fbpx

Frika, kjo “vlerë” e njeriut modern

Kur përmendim shoqërinë e konsumit që modernizmi, demokracia, zhvillimi teknologjik dhe industrial na solli, nuk mund të lëmë pas dhe “konsumin” e vlerave njerëzore. Vlera dhe virtyte të cilat jo vetëm u tjetërsuan, por sot vendosen edhe në dyshim nëse mund të jenë të drejta, të moralshme dhe meritore.

Kur thua se ky person është njeri i ndershëm dhe i përulur na paralelizon njeriun i cili nuk ngre krye, i heshtur dhe i pafat në një shoqëri kapitaliste, vrastare dhe materialiste.

Kur thua se ky person është i përgjegjshëm për veprimet e tij, kjo vlerë kaq njerëzore barazohet me njeriun i cili “pranon” kushte që vetë kjo shoqëri i vendos, jo të barabarta, shpesh të padrejta, joreale, por klanore.

E ndërkohë të jesh i denjë në një shoqëri e cila nuk shqetësohet më për mendimin, të bën të dukesh i padukshëm pasi vlera dhe virtyte të reja i janë shtuar njerëzimit.

Nëse intelektuali hesht, nuk prodhon asgjë më shumë se frikë… se veshët e shurdhuar nuk e dëgjojnë, madje nëse mësuesi yt shprehet gabim, ti mund të stepesh pasi “frika” e pasigurisë tënde mund të jetë tallëse….

Nëse lajmet prodhojnë gënjeshtra, turmat e joshura mundohen të përhapin injorancë saqë vetë njeriu fillon të dyshoj  tek vetja e tij e nën “frikën” e kundër-turmës pranon nën zë broçkullat.

Nëse ti proteston për të drejtat e tua, por pafuqia për t’u dëgjuar, të bën të padukshëm,  njeriu hesht, me frikën se drejtësia jote mund të të bëj të padëshirueshëm.

Ka dicka kaq monotone në morinë e vlerave njerëzore, ku ndërgjegjia e bardhë, merr edhe ngjyra të tjera… madje dhe ngjyrë flamujsh partiak, se një bark i ngopur vlen më shumë se një mendje e shqetësuar, ndaj për hir të barkut bosh, njeriu e mbush atë me lugën e frikës.

Një shprehje tepër popullore se “bota është e atij që guxon”, në shoqërinë e konsumit duket se zëvëndësohet me frikën se guximi mund të të lë në baltë dhe se duke qenë kokëulur të bën të jesh pjesëmarrës i kësaj bote.

Dhe ti sa mund të guxosh? ….

Sa të paaftë japin mend në zyra shtetërore?  Madje nuk dinë të shkruajnë as shqip?  Sa mend u jepen këtij populli që nuk do më “mend” ?! Sa profesionistë nuk guxojnë të shprehen, edhe pse “mendtë tregtohen” ? Ka diçka që vlen më shumë se mendimi, të ngrohësh kolltukun me besimin se ky “mund” shpërblehet.

Kështu frika krijon rehati, kënaqësi se duke qëndruar i bindur, ti shpëton veten nga faji.

E nëse populli thotë se turpi tek ne zgjat vetëm 3 ditë…. frika mund të zgjasë tërë jetën.

Të jesh thjesht pjesëmarrës në këtë shoqëri kapitaliste të bën spektatorë pa të drejtën e gjendjes emocionale, pasi frika për të vepruar kundër, mund të të bëj HERO.

Por jo HERO i së mirës, por HERO i kotësisë, që “luftoi dhe sakrifikoi gjithçka për hiçgjë”.

Por tek ne, njerëzit rrojnë me nostalgjinë e idhullit. Ata adhurohen, nuk kundërshtohen, madje edhe kur janë gabim, ne i adhurojmë prapë. Në ktë shoqëri kontradiktore ne vazhdojmë të jetojmë çdo ditë, me vlera që i prodhon pushtetari, oligarku, i padituri dhe i forti.

A mund të më thotë dikush se ç’vlerë përcjellë kultura? Kur sot libri mbahet për të zbukuruar raftet?! Dhe midis kësaj padije, shkolla, Universiteti bëhen fabrika të letrës, që nuk i vlen as ngjyra.

Ndërkohë që filozofia vazhdon të shqetësojë mendjet, të ngre pyetje rreth gjendjes njerëzore, shoqëria e konsumit do të vazhdojë të tregtojë aksesorë luksi që turbullojnë shqisat.

Kështu jeta vazhdon, njeriu kapitalist dhe i frikësuar gjendet kudo, në administratë, spital, shkolla, në qytet, fshat, veri, jug, lindje, perëndim dhe kjo gjëndje frike kthehet në një vlerë.

Lum si ata! E mjerë ne!

Shkruan: Adriana Istrefi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button