Të gjitha paratë do të shkojnë për rrymë, ankohen kryetarët e komunave të RMV-së pas rritjes enorme të faturave

Nuk do mund të bëjmë dot gjë tjetër sepse të gjitha paratë do të duhet t’i japim për rrymë, thonë kryetarët e komunave pasi çmimet e faturave në dy-tre muajt e fundit janë rritur tepër. Për shkak të krizës energjetike, kompanitë me të cilat komunat kishin lidhur kontrata për furnizim të energjisë elektrike i kanë ndërprerë, prandaj tani janë të detyruara që energji elektrike të blejnë nga furnizuesi final, gjegjësisht EVN, që është shumë më e lartë, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Komunat të vetmin shpëtim tani e shohin në ndihmën nga Qeveria.

“Situata është shumë e keqe dhe s’do të mund të përballojmë çmime të tilla të energjisë elektrike pa ndihmën e Qeverisë. Për tetor dhe nëntor faturat ishin mbi 3 milionë denarë, ndërsa për dhjetor 4,7 milionë denarë, që në fakt është tre apo katër herë më shumë. Komuna nuk mund të funksionojë normalisht. Tërë buxhetin, të cilin e kemi planifikuar për projekte infrastrukturore, tani duhet ta japim për faturat e rrymës dhe në fakt nuk do të mund të bëjmë asgjë, do të kemi para vetëm për të mbuluar shpenzimet aktuale”, tha Aleksandar Stojkovski, kryetar i komunës Gjorçe Petrov.

Kryetari i Velesit, Marko Kolev, thotë se për muajin dhjetor fatura e rrymës që ka ardhur në Komunë është 8 milionë denarë, që është tetë herë më e lartë se ajo që e kanë paguar me vite. Thotë se Komuna nuk ka prej ku t’i mbledhë ato para, qoftë edhe t’i heqë shpenzimet rrjedhëse.

“Deri tani kemi paguar rreth 1,5 milionë denarë për rrymë ku përfshihej rryma e konsumuar për ndriçimin e rrugëve, si dhe rryma që përdorej për objektin e komunës, çerdhet dhe shkollat. Pas ndërprerjes së kontratës për furnizim me rrymë, fatura e tetorit ishte 5,9 milionë denarë, e nëntorit 6,6 milionë denarë, ndërsa ajo e dhjetorit u bë  madje 8 milionë denarë, që për mua ishte e pabesueshme. Me fatura kaq të mëdha do të falimentojmë”, tha kryetari Marko Kolev.

Problem shtesë për komunat është se shkollat ​​përdorin energji elektrike industriale, prandaj nga Qeveria kërkojnë që, sipas shembullit të kopshteve, edhe shkollat të kalojnë në tarifën e amvisërive, e cila është më e lirë dhe sado-kudo goditja do të ulet.

“Faturat e energjisë elektrike në shkolla janë rritur dy deri në tre herë. Prandaj, mendojmë se një nga masat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria është kalimi i shkollave në tarifën për amvisëri. Situata është e keqe, vështirë se do ta përballojmë krizën, nëse vazhdon kështu nuk do të funksionojnë as ndërmarrjet tona publike. Faturat e ”Ujësjellësit” nga 2 milionë denarë janë rritur në 7 milionë denarë, ndërsa e “Biljanini Izvori” nga 100.000 denarë në gati gjysmë milion denarë”, thotë kryetari i Ohrit Kiril Peçakov.

Pishina në Kumanovë nga kjo javë u mbyll, pasi faturat e rrymës dhe gazit kanë shkuar nga 15 mijë në 50 mijë euro.

Komuna e Çairit filloi me kursime duke fikur ndriçimin rrugor në disa rrugë.

Komuna e Vallandovës është ndër të paktat ku kontrata për furnizim me energji elektrike nuk është ndërprerë dhe vlen deri në mes të shkurtit. Kryetari Pero Kostadinovski, njëkohësisht edhe nënkryetar i BNJVL-së, thotë se deri tani nuk kanë problem me rritjen e faturave të rrymës, por situata mund të ndryshojë nëse, në tenderin e ri që tashmë është shpallur nuk përgjigjet asnjë kompani atëherë ata, si komunat tjera, do të duhet të blejnë nga furnizuesi final ku çmimi i bursës është plus 50 për qind.

“Ne kemi instaluar ndriçim rrugor me efikasitet energjetik në të gjithë komunën, gjë që ka ulur koston e energjisë elektrike në këtë bazë. Në BNJVL patëm një takim me Qeverinë dhe ramë dakord që brenda disa ditësh të gjendet një mënyrë e përbashkët për atë se si të gjithë të kontribuojmë për tejkalimin e pasojave nga kjo krizë”, tha Kostadinov.

Kryetarja e Shkupit dhe kryetare e BNJVL-së Danela Arsovska në një konferencë për media para dhjetë ditësh kërkoi ndihmë urgjente nga Qeveria, duke thënë se nuk është koha për lojëra politike.

“Qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të ndihmojë komunat. Nuk është koha për lojëra politike, të gjitha komunat janë në gjendje alarmante. Siç thanë kryetarët e komunave, faturat e energjisë elektrike tani për dy muaj janë aq sa buxheti për këtë qëllim për gjithë vitin. Likuiditeti është çrregulluar dhe janë të mundshme kufizime që mund të shkaktojnë ndërprerje të shërbimeve për qytetarët, veçanërisht shërbimet e ndërmarrjeve publike. Kërkojmë nga Qeveria që të ndërhyjë, gjegjësisht të ndihmojë të mbulohet diferenca në çmimin e energjisë elektrike. Mendojmë se situata me çmimin e energjisë elektrike nuk është nën kontroll si në vendet e tjera. Nuk ka rregulla të tregut dhe ato rregulla i dikton Qeveria dhe Komisioni Rregullator për Energjetikë”, tha Arsovska më 11 janar në një konferencë për media në BNJVL.

Përfaqësuesit e BNJVL-së të martën kishin takim me ekipin ekonomik qeveritar, ku i kanë dorëzuar kërkesat e tyre për subvencionimin e dallimeve të cilat kanë rezultuar nga rritja e çmimeve në mënyrë që ato të funksionojnë normalisht.

Pas takimit me BNJVL, Qeveria njoftoi se “janë pajtuar që detajisht t’i elaborojnë sfidat me të cilat ballafaqohen njësitë e vetëqeverisjes lokale, të bëjnë analiza adekuate dhe të propozojnë zgjidhje të përshtatshme për tejkalimin e tyre”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button