Tetovë, rritje e infektimeve me Covid-19, rënie e interesit për t’u vaksinuar (Video)

Javën e fundit mbarë Maqedonia po përballet me shifra të larta të infektimit me Covid-19 duke përfshirë dhe qytetin e Tetovës. Nga Spitali i Tetovës thonë se ka rritje të infektimeve nga fillimi i vitit dhe pacientët e hospitalizuar janë në gjendje të rëndë. Nga ana tjetër, nga Shtëpia e Shëndetit Tetovë për Portalb.mk thanë se interesimi për tu vaksinuar javën e fundit ka rënë.

Numri i personave të shtrirë në repartin infektiv të Spitalit të Tetovës është shtatë, ndërsa numri i kontrolleve ditore lëviz nga 60 deri në 70.

Hasan Iljazi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Hasan Iljazi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Të hospitalizuar për momentin në repartin infektiv janë shtatë pacientë, ku të gjithë janë pozitiv me Covid-19 dhe janë në oksigjen. Qendër për Covid për momentin shfrytëzohet vetëm reparti infektiv i spitalit të Tetovës, nëse numri i të prekurve me Covid-19 rritet është në gatishmëri edhe reparti internistik kati i parë dhe i dyti që ti pranojnë këto raste, i cili gjithashtu është i furnizuar me terapitë e nevojshme për të prekurit”, tha Hasan Iljazi nga Spitali i Tetovës.

Ai shtoi se në repartin infektiv ka për momentin dhjetë shtretër të lirë, pasi shtatë pacientë janë të hospitalizuar, siç thonë nga Spitali i Tetovës ata kanë edhe komplikimet tjera me sëmundje tjera kronike.
Pacientet e shtrirë në spital janë kryesisht në moshë mbi 40 vjeçare dhe janë me gjendje të rëndë shëndetësore.

Nga ana tjetër, ndonëse numri i infektimeve me Covid-19 shënon rritje ditëve të fundit, në Tetovë numri i qytetarëve të interesuar për tu vaksinuar ka rënë gjatë javës së fundit.

Drita Ziberi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Drita Ziberi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Javën e fundit ka ra pak numri i pacientëve që janë të interesuar për vaksinim edhe atë dje për shembull me 20 janar me dozë të parë janë vaksinuar 46 pacientë, me dozë të dytë janë vaksinuar 44 kurse me dozë të tretë janë vaksinuar 78 pacientë. Më tepër është interesimi për dozën e tretë të vaksinës. Si dozë të tretë e japim vaksinën Pfizer”, tha Drita Ziberi, infermierja kryesore e Shtëpisë së Shëndetit Tetovë.

E pyetur për atë se nëse ka raste kur qytetarët e marrin dozën e parë dhe pastaj nuk kthehen për ta marrë të dytën, Ziberi tha se ka pasur raste të tilla kur qytetarët e kanë marrë dozën e parë dhe mandej janë sëmurë ose kanë pasur arsye, por mandej kthehen e marrin edhe të dytën.

Në Tetovë përqindja e qytetarëve të vaksinuar është mbi 50%, kurse interesimi është më i lartë për dozën e tretë.

Nga institucionet shëndetësore apelojnë që qytetarët të vaksinohen të gjithë në qoftë se duan ta kalojnë sëmundjen më lehtë, pasi deri tash është vërtetuar se të vaksinuarit e kalojnë më lehtë virusin.

Ndryshe, në Tetovë dje u regjistruan 35 raste të reja me Covid-19 ndërsa numri i rasteve aktive me këtë virus është 352.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button