Migjeni – kundërshtari i Parisë së shtetit X

Në dallim nga Rilindësit që krijuan mitin mbi Shqipërinë zonjë të rëndë e të lulëzuar, mbi shqiptarin sinonim të trimërisë e fisnikërisë dhe mbi shqiptaren sinonim të besës e të nderit, Migjeni portretoi atdheun e mbytur në mjerim, malësorin që bëhet frikacak para prefekturës ku ndahet misri për skamnorë, malësoren që prostituon për bukën e fëmijëve, shtatzënën e mjerueme që e di se edhe fryti i saj ka me u rrit në mjerim, lypsarin që lyp bukë në vend se të protestojë e të kërkojë punë, studentin oportunist që s’guxon të ballafaqohet me fanatizmin e babait, plakun e shejtnuem që vret ardhmërinë… Me një fjalë, Migjeni qe antikonformist dhe shkroi ndryshe nga kolegët e penës. Ai portretoi anën e errët të shoqërisë shqiptare – mjerimin, vuajtjen, shpirtin e robit, moralin e rremë, fatalizmin, degjenerimin dhe frikën e përhershme të heronjve të tij.

Migjeni qe kundërshtar i rrezikshëm i idhujve pa krena dhe regjimeve despotike të mbështetura në aleancën e parisë me klerin – binomin të cilit njerëzimi ia pa sherrin, të paktën që nga periudha e mesjetës. Ideali i tij qe rrënimi i botës së vjetër dhe dalja e një njeriu që do ta mkamb Kohën e Re! Ai s’deshi që, për hir të kalbsinave të vjetra që kërkojnë “shejtnim”, të përsëritet vajtimi i këngës monotone, pa shpirt, të skllavnis…

Vepra e Migjenit, e vogël  për nga faqet, por e madhe për nga vlerat estetike, gëlon nga fragmentet që duken si të shkruara enkas për të sfiduar diktaturat e të gjitha kohërave. Në to gjejmë Revolucionin kulturor kinez, Zhdanovizmin rus, Realizmin socialist, mediet e oligarkëve, opinionistët e shitur, rapsodët e elozheve dhe gjithë shpikjet e goditura të parisë matrapaze që mjegullon të vërtetën e varfërimit të skajshëm dhe të jetës mizerje të masave popullore.

Për më shumë lexoni rreshtat e shkëputur nga skica Novelë mbi krizë.

Paria e shtetit X nuk dinte ç’të bajë dhe si ta vendosi çashtjen e krizës… Ngritja e shkopeve të lypsisë, rrëmbimet, vjedhjet, vrasjet…, këta e shtyjnë parinë të kuptojë se nuk asht puna për t’u tallë… Prandaj paria dëshironte, nji herë përgjithmonë, ta hjeki qafet këtë çashtje… Përpjekjet e shumta, me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme n’ungjill, në humanitet, n’instinkt, në violencë e në ndonjë utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk u kqyrshin me sy të mirë në mbledhjen e shtetit X – arsyeja ishte se ato qenë nji shkak i fortë i krizës…

Vendimi i Parisë së shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasvet të shtetit X… Të vorfnit mos me vjedhë e mos me vue në dajak të pasunit për nji krodhë bukë, e të pasunit me pas mëshirë për të vorfnit e me ua bamë nji hise të vogël…

Për nji kohë të shkurt shndrroj faqen shteti X. Arti i frymëzuem dhe i punuem mbas reçetave të Parisë, shndrroi shtetin në një museum artistik. Ishte triumf i reçetës! Ose triumf i artit me qëllim! Kur shndrroi faqen shteti zu të shndrrojë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti, dikur pëllumb, ishte bam skyfter, tash u bë prap pëllumb…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button