Njohja e Pavarësisë nga Greqia, lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon, vlerësoi Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë takimit të sotëm me homologun e saj grek, Nikos Dendias, në Greqi, ka ritheksuar se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe këtë vend që nuk e njeh Kosovën shtet, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, raporton Koha.net.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri, kjo do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.

“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, thuhet të ketë thënë Gërvalla.

Në këtë takim raportohet se është diskutuar edhe për çështjen e politikës së jashtme, çështje evropiane dhe rajonale.

“Kryediplomati grek Dendias theksoi ndër të tjera se Ballkani Perëndimor duhet të shikoj kah e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Sipas Dendias, perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor është perspektivë që ka vetëm një rrugë e cila është Evropa. Mbrojtja e parimeve dhe vlerave si demokracia, shteti ligjor dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, sipas tij duhet të jenë busull politike, ekonomike dhe kulturore për vendet e Ballkanit”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim të zhvilluar të enjten, i cili është i dyti brenda pak muajsh midis këtyre dy kryediplomatëve, është diskutuar edhe në terma konkret për format e bashkëpunimit dypalësh.

“Kosova e vlerëson Greqinë si një shtet mik dhe partner dhe e çmon për konstruktivitetin në raport me agjendën evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike.

“E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Gërvalla: Kosova është e hapur për biznes, e mbyllur për korrupsion

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka prezantuar ofertën e Kosovës për investime të huaja direkte, gjatë vizitës së saj zyrtare të enjten në Greqi.

Këtë ofertë ajo e prezantoi në takimin e sotëm me përfaqësues të komunitetit biznesor grek në organizimin e Forumit Ekonomik Delphi.

“Ministrja Gërvalla shpjegoi para komunitetit të biznesit shumë arsye pse vlen të investohet në Kosovë duke filluar nga taksat e ulëta dhe shërbimet pa burokraci, potenciali i madh njerëzor për punë profesionale, legjislacioni i bashkërenduar me atë të BE-së si dhe mbrojtja që i ofrohet investitorëve të huaj”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPJD-ja.

Ndër të tjera, thuhet se kryediplomatja e Kosovës ka thënë se Qeveria e re e vendit është e përkushtuar në forcimin e shtetit ligjor dhe garantoi para komunitetit biznesor grek se Kosovën do ta gjejnë si vend “shumë të hapur për biznes dhe të mbyllur për korrupsion”.

Më tej, njoftohet se ajo është përgjigjur interesimit të lartë të bashkëbiseduesve për çështje specifike që lidhen me ambientin e të bërit biznes dhe i ka ftuar që të vizitojnë Kosovën dhe të eksplorojnë mundësitë e shumta që ofron vendi për investimet e tyre eventuale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button