fbpx

Pasoja të mëdha për Rusinë nëse sulmon Ukrainën, alarmoi Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe aleatët kryesorë të Uashingtonit në Evropë kanë lëshuar një paralajmërim tjetër për Rusinë për “pasoja të rënda” nëse ajo vepron në mënyrë agresive ndaj Ukrainës, raporton REL. Ky shqetësim vjen pasi kanë kaluar disa javë që Moska ka përforcuar me ushtarë kufirin me Ukrainën.

Sekretari Blinken, tha në Berlin më 20 janar, 2022, se nëse ndonjë forcë ruse lëviz përtej kufirit ukrainas, do të ketë një “përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tonë”. Këto komente Blinken i bëri pas takimit me aleatët nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin amerikan të shtetit, Blinken, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se ata “i bëjnë thirrje Rusisë të ndërmarrë hapa drejt një de-përshkallëzimi” të situatës.

“Çdo qëndrim i mëtejshëm agresiv, çdo agresion i mëtejshëm, do të kishte pasoja të rënda,” tha Baerbock.

Takimi i aleatëve vjen një ditë përpara se Blinken të shkojë në Gjenevë për bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Alarmet kanë rënë në të gjithë kryeqytetet perëndimore për rrezikun e një konflikti të ri të madh pasi Rusia grumbulloi rreth 127 mijë trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe vendosi një forcë të konsiderueshme në Bjellorusi për atë që Moska dhe Minsku thonë se do të jenë stërvitje ushtarake.

Blinken tha se Rusia mund të përdorë një gamë të gjerë veprimesh për të destabilizuar situatën, duke përfshirë sulme hibride dhe paraushtarake në Ukrainë.

Blinken vizitoi Kievin një ditë më parë për të siguruar Ukrainën se kishte mbështetjen e Uashingtonit, duke thënë se nëse Rusia vazhdon me ndonjë lëvizje agresive kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ofrojnë materiale shtesë për Kievin për ta ndihmuar atë që të mbrohet.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha në një konferencë shtypi më 19 janar se Rusia do të përballet me pasoja të rënda ekonomike nëse ndodh një ofensivë ushtarake.

“Unë nuk jam aq i bindur se ai është i sigurt se çfarë do të bëjë. Mendoj se ai do të intervenojë. Ai duhet të bëjë diçka,” tha Biden në një konferencë shtypi për të shënuar vitin e tij të parë në detyrë.

Kievi zyrtar ka mirëpritur sinjalizimin e presidentit amerikan, Joe Biden se do të ketë një përgjigje të koordinuar me aleatët në rast se Rusia tenton të pushtojë Ukrainën.

Kremlini, i cili mohon planifikimin e një sulmi, tha më 20 janar se paralajmërimet e tilla të SHBA-së mund të kenë pasoja katastrofike mund të destabilizojë më tej situatën.

Në anën tjetër, sekretari amerikan i shtetit, Blinken, ka shfaqur shpresë se pavarësisht nga indikacionet se Rusia vazhdon të grumbullojë trupa pranë Ukrainës, bisedimet e tij të ardhshme me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov do të tregojnë “se diplomacia mbetet një mundësi e hapur”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button