Ambasadori britanik Yvon: Rrethi i dytë i zgjedhjeve të përqëndrohet në temat lokale, pa retorikë nacionaliste

Ambasadori britanik në Maqedoni Christopher Yvon pret që rrethi i dytë i zgjedhjeve më 7 prill të kalojë në atmosferë të qetë dhe korrekte, pa retorikë nacionaliste, por me diskutim të çështjeve lokale të cilat janë në dobi të qytetarëve.

“Duhet të ketë zgjedhje të qeta dhe korrekte, por gjithsesi se nuk ka garanci për këtë, nuk dimë se çka do të ndodh më 7 prill. Unë shpresoj se zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe efikase, për shkak duam të shohim zgjedhje që janë në favor të Maqedonisë si vend kandidat për anëtarësim në BE”, tha Yvon, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në pauzën e konferencës “Përmirësimi i kornizës ligjore për mjedisin jetësor në pjesën e shfrytëzimit të ujit”.

Ai konsideron se është shumë herët të jepet vlerësim i plotë për zgjedhjet. Përshtypjet, siç theksoi, bazohen në konkluzionet preliminare të ODIHR-së, ku thuhet se zgjedhjet u realizuan në mënyrë efikase, por ka shumë sfera në të cilat duhet të punohet e poashtu jepen edhe rekomandime për përmirësime në të ardhmen.

“Gjithsesi se është shumë e rëndësishme që në zgjedhje të mos ketë dhunë dhe ato të kalojnë qetë.

Duke i pasur parasysh ciklet e kaluara zgjedhore, të gjithë shpresonin në zgjedhje të qeta. Ky nuk është standard i vetëm për zgjedhje, ka edhe standarde të tjera. Mendoj se ODIHR-i i potencoi mirë sferat ku nevojiten përmirësime. Në qoftë se përqëndrimi në çështjet lokale bëhet i paqartë, atëherë largoheni nga qëllimi i zgjedhjeve lokale. Do të donim të shohim sa më pak retorikë nacionaliste, e sa më shumë diskutim për çështjet lokale dhe shërbimet për qytetarët, gjëra që janë me rëndësi të madhe për njerëzit, familjet dhe bashkësitë e tyre”, tha Yvon.

Lajme të ngjashme

Back to top button