fbpx

Gripi dhe ftohja nuk regjistrohen si Covid-19 për të krijuar një pandemi të rreme

Kovid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, ekziston dhe është reale dhe nuk është një pandemi e rreme. Këtë e konfirmojnë shifrat ditore të të infektuarve dhe personave që kanë vdekur nga virusi në mbarë botën gjatë këtij një viti e gjysmë të fundit. Fakti që simptomat e gripit dhe të Kovid-19 janë mjaft të ngjashme nuk do të thotë se gripi dhe Kovidi janë njësoj. Dhe meqenëse simptomat e të tre sëmundjeve janë të ngjashme, testimi mbetet mënyra më e mirë për të vërtetuar nëse dikush është i infektuar. Testi PCR zbulon vetëm koronavirusin dhe atë vetëm sipas Sars Cov 2 gjeneve specifike – N dhe E. Këto gjene nuk janë të pranishme tek virusi i gripit. Pra, nuk është e mundur që me testin PCR të zbulohet gripi ose anasjelltas – me testet për zbulimin e gripit të zbulohet koronavirusi, shkruan Vërtetëmatësi.

Postim në Facebook në vetëm një fjali shpalos dy dezinformata. Në të pretendohet se pandemia e shkaktuar nga koronavirusi është e rreme dhe se personat e prekur nga gripi dhe ftohja janë regjistruar si të infektuar me Kovid-19. As njëra e as tjetra nuk është e vërtetë.

Në postim thuhet: Kjo është një pandemi e rreme e cila gripin dhe ftohjen e regjistron si Kovid

Kovid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, ekziston dhe është reale dhe nuk është një pandemi e rreme. Këtë e konfirmojnë shifrat ditore të të infektuarve dhe personave që kanë vdekur nga virusi në mbarë botën gjatë këtij një viti e gjysmë të fundit. Deri më tani (17.01.2022), për dy vjet në botë janë infektuar gjithsej 329.209.880 njerëz, ndërkohë që 5.559.352 njerëz kanë vdekur.

Koronavirusi për herë të parë u shfaq në Kinë në fund të dhjetorit të vitit 2019. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi se materiali gjenetik ARN i virusit është izoluar në 7 janar të vitit 2020. Ky është një virus i ri që nuk është regjistruar më parë te njerëzit.

Më 11 mars të vitit  2020, rritja e shpejtë e numrit të rasteve jashtë Kinës bëri që Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së të njoftojë se epidemia mund të karakterizohet si një pandemi. Deri më atë datë ishin raportuar më shumë se 118.000 raste në 114 vende dhe gjithsej 4.291 raste të vdekjes.

Ky postim është publikuar në një periudhë kohore kur në Maqedoninë e Veriut pandemia ka arritur një kulminacion të ri për shkak të variantit Omikron të koronavirusit, i cili është më i transmetueshëm, gjegjësisht anashkalon më me sukses imunitetin e fituar pas shërimit nga sëmundja, si dhe imunitetin e siguruar nga vaksinat. Në spitale përsëri ka një fluks të shtuar të pacientëve, mjekët amë janë të mbingarkuar, punonjësit shëndetësorë janë të lodhur.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së shëndetësisë (nga data 16.01.2022)numri i  rasteve aktive me koronavirus është 16.132 persona. Që nga fillimi i pandemisë, 8.100 kanë humbur jetën ndërsa me koronavirus janë infektuar gjithsej 244.632 persona. Të gjithë këta njerëz e përjetuan pandeminë në lëkurën e tyre.

Në postim thuhet edhe se pacientët me diagnoza të tjera virale në mënyrë të rreme në statistika regjistrohen sikur të ishin të infektuar me koronavirus. Edhe kjo është e pasaktë. Jo vetëm që është e pasaktë por edhe nuk ka logjikë. Shtrohet pyetja pse dikush do të donte të falsifikonte të dhëna dhe të rriste në mënyrë të rreme numrin e të sëmurëve me koronavirus, dhe me këtë të ngarkojë edhe më shumë sistemin shëndetësor.

Fakti që simptomat e gripit dhe ftohjes mund të jenë të ngjashme, nuk do të thotë se gripi dhe ftohja janë e njëjta gjë. Me mutacionin e virusit dhe krijimin e varianteve të reja, simptomat që shfaqen tek pacientët kanë ndryshuar dhe disa nga simptomat përkojnë me gripin sezonal apo ftohjen e zakonshme. Ngjashmëria midis viruseve që shkaktojnë ftohjen, gripin dhe Kovid-19 është se ato përhapen në të njëjtën mënyrë – përmes pikave nga hunda dhe goja e të infektuarit.

Simptomat specifike të Kovid-19 janë humbja e ndjesisë së nuhatjes, shijes ose të dyja. Sidoqoftë, jo çdo i prekur nga koronavirusi i ka këto simptoma prandaj nuk mund të caktohet një diagnozë vetëm duke u bazuar në këtë gjë.

Meqenëse simptomat e të tre sëmundjeve janë të ngjashme, testimi mbetet mënyra më e mirë për të vërtetuar nëse dikush është i infektuar.

Sipas Klinikës Mayo në SHBA dallimi midis Kovid-19 dhe gripit është se shkaktohen nga viruse të ndryshme. Kovid-19 shkaktohet nga koronavirusi, ndërsa gripi nga viruset e influencës A ose B.

Testi PCR zbulon vetëm koronavirusin dhe atë vetëm sipas Sars Cov 2 gjeneve specifike – N dhe E. Këto gjene nuk janë të pranishme tek virusi i gripit. Pra, nuk është e mundur që me testin PCR të zbulohet gripi ose anasjelltas – me testet për zbulimin e gripit të zbulohet koronavirusi.

Infeksioni i njëkohësishëm me grip dhe Kovid-19 është i mundur, tani njihet si flurona (një kombinim i gripit dhe koronavirusit). Por, për ta zbuluar këtë, ka analiza adekuate që bëhen në laborator.

Gjatë këtij sezoni, numri i rritur i personave të infektuar me koronavirus, grip sezonal, viruse të tjera apo infeksione bakteriale është edhe për shkak të respektimit jo të plotë të apeleve dhe masave që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së këtyre viruseve, si mbajtja e distancës fizike, shmangia e grupimeve masive dhe mbajtja e maskave të përshtatshme mbrojtëse. Këto rekomandime nuk u respektuan, sidomos gjatë festave të fundvitit kur pati një rritje të ndjeshme të numrit të të infektuarve me të gjitha llojet e infeksioneve.

Vitin e kaluar numri i të sëmurëve me grip ra ndjeshëm për shkak se një pjesë e madhe e popullsisë punonte nga shtëpia, ambientet e hotelierisë nuk funksiononin ose funksiononin me kapacitet të kufizuar dhe popullata zbatonte masat mbrojtëse si distancën fizike dhe mbajtjen e maskave.

Është krejtësisht e palogjikshme dhe në të njëjtën kohë e papërgjegjshme të pretendohet se Kovidi është një pandemi e rreme në një situatë ku në shumë vende ka gjithnjë e më shumë të infektuar, veçanërisht me llojin Omikron, kur në asnjë vend popullsia nuk është plotësisht e vaksinuar dhe në disa vende të varfra kanë një përqindje shumë të vogël të vaksinuarve. Si rezultat numri i të infektuarve si dhe i vdekjeve si pasojë e virusit po rritet për çdo ditë.

Në fund të fundit, secili prej nesh ka të afërm, miq apo kolegë që kanë qenë ose janë të infektuar me virusin, ndaj nuk mund të pretendohet në mënyrë kaq tendencioze dhe të rreme se virusi është shpikur dhe nuk ekziston, apo se është grip apo ftohje.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button