Kriza termike, Qeveria i ndau 6 milionë euro ESM-së që të menaxhojë me “BEG” dhe “Shkup Veri”

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka transferuar 6 milionë euro në llogarinë e Sh.A. ESM që ta marrë menaxhimin, shpërndarjen, menaxhimin dhe prodhimin e energjisë termike për Qytetin  e Shkupit për tërë sezonin e ngrohjes nga bartësi momental i licencës BEG, konfirmoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, njofton Portalb.mk.

Këto mjete, siç tha Bekteshi gjatë vizitës së Komunës Saraj, do të shfrytëzohen në pjesën e pagesës së dallimit nga çmimi real dhe ekzistues i energjisë termike për tërë vitin 2022.

I pyetur nëse do të jenë të nevojshme vetëm 6 milionë euro për tërë sezonin e ngrohjes, Bekteshi tha se ashtu tregojnë projeksionet e bëra nga ESM, Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe udhëheqësia e “ESM – Energjetikë”, e cila prodhon energji termike, në pajtueshmëri me çmimet ekzistuese dhe çmimet e bursës së gazit natyror për janar.

“Do të shohim si do të lëvizin edhe fjuçersat veçanërisht për muajt shkurt dhe mars dhe pasi që të kemi oferta gjithsesi çmimi që do të na kushtojë mund të jetë më i ulët, apo më i lartë. Por, sipas të gjitha gjasave, në pajtueshmëri me parashikimet çmimet do të jenë më të vogla se të janarit”, tha Bekteshi.

Në pyetjen nëse ESM ka sasi të mjaftueshme të qymyrit për prodhim të rrymës elektrike, Bekteshi theksoi se për momentin ka rreth 250 mijë tonelata.

“Siç më informoi Komisioni i cili e ndjek situatën në pjesën e energjetikës së energjisë termike dhe elektrike mund vetëm të ju informoj se në depo kemi rreth 250 mijë tonelata për nevojat e TEC Manastir që para tre-katër muajve nuk ka tejkaluar as 40 mijë tonelata. Sasitë janë tonat dhe nga importi. Me këto 250 mijë tonelata TEC Manastir punon në vazhdimësi, a plotësisht ata mund të shfrytëzohen që të rritet prodhimtare nëse ka nevojë dhe nëse nominacionet për ndonjë ditë janë më të mëdha”, tha Bekteshi.

Ndryshe, Sh.A. Elektranat e Maqedonisë së Veriut prej sot i ka marrë në menaxhim “BEG” dhe “Shkup Veri”, pas shpalljes së gjendjes së krizës me furnizim me energji termike që ka shkaktuar probleme me ngrohjen qendrore në kryeqytet.

Pushteti lokal dhe qendror akuzojnë njëra tjetrën për moskujdes ndaj qytetarëve

LSDM ka akuzuar se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, i ka injoruar kërkesat për ndihmë dhe nevojat e shkupjanëve.

“Derisa kryetarja e VMRP-DPMNE-së Danella Arsovska i injoron kërkesat e shkupjanëve që të zgjidhjet problemi me ngrohjen qendrore, Qeveria e udhëhequr nga LSDM ka marrë një sërë hapash përgjegjëse për tejkalimin e krizës me energji termike. Sipas vendimit qeveritar, Sh.A. ESM prej 21 janarit do ta marrë nën menaxhim “BEG”-un dhe “Shkup Veri” derisa të zgjatë sezoni i ngrohjes, me çka do të zgjidhet problemi me ngrohjen qendrore në Shkup, a shkupjanët do të fitojnë plotësisht tre orë ngrohje deri në orën 1 pas mesnate”, theksojnë nga LSDM.

Qeveria, nëpërmjet ESM-së, thonë nga partia qeveritare, do ta stabilizojë tregun e energjisë së ngrohjes, edhe pse në zgjidhjen e problemit nuk participuan Qyteti i Shkupit dhe komunat.

Nga VMRO-DPMNE, sot sërish e kanë akuzuar kryeministrin e ri Dimitar Kovaçevskin, i cili ishte zëvendësministër i Financave në qeverinë e Zoran Zaevit se ka qenë mes atyre që kanë shkaktuar rritje të çmimit të ngrohjes qendrore.

“Piuni Kovaçevski ka shkaktuar inflacion si zëvendësministër, a më pas e ka shtrenjtuar rrymën dhe ngrohjen qendrore. Piuni Kovaçevski është direkt fajtor për të gjitha efektet negative në ekonomi. Ai ishte zëvendësministër i Financave derisa borxhi arriti 60% nga BPV, numër më të vogël të investimeve në rajon dhe ekonomia dhe qytetarët përballen me inflacion”, thonë mes tjerash nga VMRO-DPMNE.

Në lidhje me marrjen e menaxhimit me “BEG” dhe “Shkup Veri” nga ana e ESM-së, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi para dy ditëve deklaroi se nëpërmjet kompanisë shtetërore do të mbulohet dallimi nga çmimi real dhe ekzistues për shfrytëzuesit.

Më 14 janar, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli Dekret për shpallje të gjendjes së krizës për shkak të çrregullimeve me furnizimin me energjinë termike

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button