RMV, përfitimi nga mbeturinat nuk është “utopi”, vetëm duhet që vlera e tyre të njihet si burim

Qytetet e pastra në Maqedoninë e Veriut, duken thjeshtë “utopi”, kurse përfitimet nga mbeturinat, “fantashkencë”, megjithatë ekspertë të fushës konsiderojnë se një gjë e tillë është e mundur. Menaxhimi i duhur i mbeturinave është pjesë e detyrimeve që vendi ynë duhet të përmbushë përmes kapitullit 27 për mjedisin jetësor, si parakusht për t’u bërë anëtar i plotë i BE-së, por realiteti tregon se në vendin tonë menaxhimi i mbeturinave zbret në grumbullimin dhe asgjësimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Mënyra se si të realizohet një gjë e till u diskutua nga ekspertët e Konventës Nacionale (KNEU-MK) në debatin online me temën “Mbeturinat – ndotës apo burim? Si të përmirësohet zbatimi i Ligjit për menaxhimin e mbeturinave në Republikën e Maqedonisë së Veriut?”.

“Plani i ri dhjetëvjeçar kombëtar i menaxhimit të mbeturinave i miratuar këtë vit (2021) ka për qëllim të bëjë ndryshime sot për të ruajtur mjedisin në të cilin do të jetojmë në të ardhmen. Por, për të arritur këtë qëllim, është e nevojshme të njihet vlera e mbeturinave si burim”, tha zëvendësministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, duke shtuar se të gjithë ne si qytetarë duhet të kontribuojmë dhe të gjitha institucionet relevante, plotësisht dhe në mënyrë të koordinuar të bashkëpunojmë ndërmjet vete.

Në debat, gjithashtu u theksua se menaxhimi i duhur i mbeturinave është pjesë e detyrimeve që vendi ynë duhet të përmbushë përmes kapitullit 27 për mjedisin jetësor, si parakusht për t’u bërë anëtar i plotë i BE-së.

Megjithatë, sipas analizave në vend, realiteti tregon se menaxhimi i mbeturinave zbret në grumbullimin dhe asgjësimin e tyre, me një përfaqësim të parëndësishëm të parandalimit dhe selektimit, që është parakusht për përdorimin e tyre si burim.

Vendndodhja e mbeturinave në Kodrën e Diellit
Vendndodhja e mbeturinave në Kodrën e Diellit

Edhe pse vendi po bën përparim në transpozimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin kombëtar, realiteti është se ne jemi larg zbatimit dhe standardeve të Bashkimit Evropian, ku vetëm 25 për qind e mbetjeve mund të hidhen dhe pjesa tjetër duhet të riciklohet, theksoi koordinatorja nacionale e KNEU-MK dhe kryetarja e Lëvizjes Evropiane (LE-MK), Mileva Gjurovska.

Përmes dialogut, në të cilat marrin pjesën ekspertë të mjedisit jetësor, konsulentë, profesorë, studiues, ambientalistë nga Maqedonia dhe Sllovakia, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe inspektorateve, u përpoq të përcaktohen çështjet kryesore në menaxhimin e mbeturinave.

Kryetarja e Qendrës për ndryshime klimatike nga Shkupi, Bojana Stanojevska-Pecurovska, theksoi se mungon sistemi i përzgjedhjes dhe se deponitë ilegale ende ekzistojnë për shkak të inspektimeve të pamjaftueshme, ndërsa përveç kësaj, shumica e deponive komunale nuk i plotësojnë kushtet për menaxhim të sigurt të mbeturinave. Një progres i caktuar, sipas saj, është bërë si rezultat i punës së aktorëve kolektivë.

Edhe udhëheqësja e Sektorit për mbeturina në Ministrinë e Mjedisit Jetësir dhe Planifikimit Hapësinor, Ana Mazneva-Karanfilovska, tha se të gjithë palët e interesuara “jemi të obliguar të marrim masa”, në mënyrë që materialet me vlerë të ri-inkorporohen në procesin e menaxhimit të mbeturinave në përputhje me kriteret specifike të zhvilluara nga Bashkimi Evropian dhe të futura në ligjet e Maqedonisë.

Mbeturinat në fshatin Tearcë, 17.12.2021 foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturinat në fshatin Tearcë, 17.12.2021 foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Jadranka Ivanova, e cila është lidere e ekipit dhe eksperte për përafrimin e programit “Mbështetje për BE-në negociatat të mjedisit jetësor, Kapitulli 27” prezantoi situatën me mbeturinat në aspektin ligjor, përderisa inspektorja e mjedisit Aleksandra Dimitrievska-Avramovska pasqyroi situatën reale në terren dhe theksoi se jo vetëm është i nevojshëm forcimi institucional i kapaciteteve të shërbimeve të inspektimit, por duhet krijuar edhe një sistem sociologjikisht i mençur për të penguar qytetarët e një kategorie të caktuar sociologjike që ta konsiderojnë “ndotjen si një të keqe më të vogël se uria”, duke përdorur materiale të dëmshme për ngrohje.

“Për mënyrën e menaxhimit me mbetjet, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është kujdesi për mjedisin jetësor, mund të mësojmë nga njëri-tjetri, veçanërisht në kuadër të agjendës së gjelbër të Bashkimit Evropian”, deklaroi  drejtori i Shoqatës sllovake për Politikë të Jashtme (SFPA) nga Bratislava, Tomas Strazhaj. Kjo është treguar, siç tha ai, përmes 44 seancave të Konventës Nacionale të mbajtura deri më tani, të cilat pas marrjes së datës për negociata do të bëhet pjesë e procesit të negociatave.

Dejtoresha e Institutit për ekonomi cirkulare e Republikës së Sllovakisë, Ivana Malesh, e cila tha se autoritetet në Maqedoni mund të mësojnë nga gabimet e tyre. Ajo i njohu pjesëmarrësit me legjislacionin në Sllovaki, duke theksuar se një nga hallkat më të rëndësishme është ekonomia cirkulare, ndërsa prezantoi edhe një politikë të gjelbër të quajtur “Sllovaki më e gjelbër”, sipas së cilës deri në vitin 2030, së bashku me luftën kundër ndryshimeve klimatike, vendi do të duhet të tranzitojë në atë rrethrrotullim ekonomik.

“Jam shumë e lumtur që sot situata në Sllovaki, për dallim nga dhjetë vjet më parë, është shumë ndryshe, që riciklimi është përmirësuar me 60 për qind dhe që kemi ndërtuar deponi të reja. Megjithatë, duhet theksuar se ka lindur një problem tjetër, ai është se menaxhimi i mbetjeve është bërë shumë më i shtrenjtë. Por ky është çmimi që duhet paguar për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, tha Ivana Malesh.

Ajo theksoi se çdo banor i Sllovakisë duhet të paguajë kompensim sipas sasisë së mbeturinave që prodhon, gjegjësisht që secili ndotës të paguajë një shumë të përshtatshme për ndotjen. Gjithashtu, në ndryshimin e jetës së përditshme ndikuan edhe mbeturinat nga ushqimet dhe materialet e biodegradueshme. Një tjetër ndryshim që ajo e theksoi është tranzitimi në prokurim të gjеlbër publik, gjatë së cilit kujdeset që paratë publike të shpenzohen për zgjidhjet e gjelbra. 

Për t’iu afruar sa më shpejt standardeve të BE-së për menaxhimin e mbeturinave, përmes dialogut, dolën rekomandime konkrete për zbatimin më efikas të Ligjit të ri për Menaxhimin e mbeturinave nga tetori 2021, i cili mund të jetë i dobishëm në trajtimin e deponive të paligjshme, afirmimin dhe zbatimin e standardeve të BE-së në hapësirat lokale dhe operacionalizimi i perspektivës rajonale në menaxhimin e mbeturinave, të cilin në fund të debatit si dokument zyrtar e lexoi drejtoresha e “Eko-vetëdija” nga Shkupi, Ana Çoloviq-Leshoska.

Deponia në f. Odër, Komuna e Tearcës
Deponia në f. Odër, Komuna e Tearcës

Ndryshe, çdo banor në vitin 2020 ka bërë 452 kilogramë mbeturina komunale,është rritje prej katër kilogramësh në krahasim me vitin 2019 ose edhe deri 68 kilogramë më shumë në krahasim me vitin 2016. Nga gjithsej 913 mijë tonë mbeturina komunale të krijuara, rreth dy të tretat ose 630 tonë u grumbulluan dhe përfunduan në deponi. Shumica e mbeturinave të prodhuara dhe të ricikluara janë prej letre, tregoi statistika vjetore e Entit Shtetëror të Statistikave për gjendjen demografike dhe socio-ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020.

Mbetjet komunale përfshijnë mbetjet shtëpiake, duke përfshirë mbetjet e mëdha, mbetjet e ngjashme nga aktivitetet komerciale dhe tregtare, ndërtesat, institucionet dhe bizneset e vogla, mbetjet nga oborret dhe kopshtet, mbeturinat e rrugëve, përmbajtjen e kontejnerëve të mbeturinave dhe mbetjet nga pastrimi i tregjeve.

Gjithsej, në vitin 2020 janë krijuar  913.033 ton mbetje, ndërsa janë grumbulluar 630.086. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e mbetjeve të grumbulluara, siç tregon statistika, është hedhur në deponi. Mbetet diferenca midis mbetjeve të krijuara dhe atyre të grumbulluara, e cila është 282.947 ton mbetje, e cila nuk përfshihet mes mbetjeve që përfunduan në deponi.

Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Mbetjet komunale të gjeneruara për vitin 2020 janë më pak se në vitin 2019, kur ishin 915.943 tonë, megjithatë përsëri kanë linjë në rritje, ndryshe nga viti 2016, kur ishin 796.585 tonë.

Mbetjet e grumbulluara, nga ana tjetër, shënuan rënie të lehtë me 2.398 ton mbetje më pak të grumbulluara në krahasim me vitin 2019, kur mbetjet e grumbulluara ishin 632.484. Megjithatë vërehet rritje në krahasim me vitin 2016, kur ishin 610.227 ton.

Pandëshkueshmëria dhe moszbatimi i ligjeve u theksuar si probleme kryesore në mbrojtjen e mjedisit jetësor në një debat publik, në nëntor rë vitit që lam pas me titull “Gjendja e mjedisit jetësor – menaxhimi me mbeturinat” në organizim të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit.

Kryetarja e KSHPK, Biljana Ivanovska, në paraqitjen e saj theksoi mjedisin jetësor si sektor me probleme primare në luftën kundër korrupsionit.

“Vlerësojmë se problem akut me të cilin ballafaqohet sektori i mjedisit jetësor është implementimi jo i duhur i ligjit për menaxhim me mbeturina në pjesën e menaxhimit të integruar dhe rajonal me mbeturinat. KSHPK vërtetoi se ndërmarrjet publike komunale janë në përgjithësi në gjendje të keqe dhe jo efikase në menaxhimin me mbeturinat. Duke pasur parasysh se, Strategia nacionale në thelbin e saj synon drejt përmirësimi të jetës së qytetarëve dhe çlirimit të shoqërisë nga korrupsioni, është e domosdoshme që të sigurohet mbështetje e plotë në këtë proces”, tha Ivanovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button