fbpx

Krimi pa emër

Çdo krim e ka emërtimin e tij adekuat dhe ndiqet si i tillë. Por kur bëhet fjalë për gjenocidin, si krimi më i rendë që e njeh njerëzimi, emërtimi i saktë zakonisht problematizohet, politizohet dhe jo rralë herë injorohet. Vetë fakti që ky krim është definuar shumë vonë historikisht, tregon sa jo i gatshëm është njerëzimi për ta pranuar dhe për ta ndjekur krimin që synon vetë zhdukjen e tij.

Kur flasim për definimin e krimeve ndërkombëtare, duhet të kemi parasysh se flasim për katër krime bazë që shkenca i quan krimet stricto senso për të cilat sot është i mundshëm një gjykim ndërkombëtar. Këto krime përfshinë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe agresionin. Nga këto krime, janë krimet e luftës ato që janë definuar më herët, së pari në tekstet religjioze dhe normat zakonore, ndërsa më vonë me ato që i quajmë Konventat e Gjenevës dhe të Hagës me të cilat definohen personat e mbrojtur gjatë luftës dhe mënyrat dhe mjetet e ndaluara të luftës. Këto konventa e kodifikuan të drejtën zakonore të luftës dhe shërbyen si bazë për themelimin e asaj që sot njihet si e drejta ndërkombëtare humanitare, qëllimi i së cilës është të “humanizojë” luftën dhe t’i jape fund thënies shekullore se në kohë lufte lejohet gjithçka.

Krimet kundër njerëzimit janë definuar më vonë se ato të luftës. Si kuptim, krimet kundër njerëzimit janë paraqitur në kohën e Gjenocidit Armen, në vitin 1915, por të njëjtat nuk janë definuar atëherë, gjë që ka kontribuar që asnjëherë të mos mbahet përgjegjësi për këtë gjenocid të cilin sot e kësaj dite shteti Turk e mohon se ka ndodhur. Pra koncepti i krimeve kundër njerëzimit u paraqit si inicijativë për të dënuar një gjenocid, inicijativë kjo që mbeti e pasuksesshme dhe ndër të tjerat kontribuoi në krijimin e ndjenjës së padënueshmërisë, që solli deri te gjenocidi i ri, ai i Holokaustit. Hitleri citohet të ketë pyetur në një fjalim: “E kush flet sot për atë që u ndodhi Armenëve?” Historia na meson se krimet që mbeten të padënuara kanë tendencë të përsëriten.

Krimet kundër njerëzimit për here të parë u definuan në Statutin e Gjykatës së Nyrembergut, ku u dënuan funksionarët më të lartë të Rajhut të Tretë, për Gjenocidin e Holokaustit. Edhe ky gjenocid u dënua si krim kundër njerëzimit për vetë faktin se definimi i gjenocidit paraqitet disa vite më vonë, në vitin 1948 kur OKB sjell Konventën për ndalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit.

Sipas kësaj konvente, gjenocidi definohet në mënyrë shumë të qartë dhe shumë strikte: Zhdukja e tërësishme ose e pjesërishme e një grupi etnik, nacional, fetar apo racor quhet gjenocid. Në kohën kur kjo konventë u soll, nuk i jepej shumë rendësi numrit të viktimave, por i jepej rendësi qëllimit gjenocidal, pra qëllimit që një grup i caktuar të zhduket dhe të mos ekzistojë më. Me kalimin e kohës, tribunalet që pasuan filluan të meren më pak me qëllimin dhe më shumë me numrat, dhe kështu, në vitet 1990 ishin numrat ato që përcaktonin a ka ose jo gjenocid. Kështu në bazë të numrit të viktimave masakra e Srebrenicës u shpall gjenocid, ndërsa masakra e Reçakut dhe masakrat tjera në Kosovë u shpallën krim kundër njerëzimit.

Kur flasim për vendosje të dejtësisë, janë qëllimet dhe motivet e kryersve ato që kanë rëndësi, ndërsa numrat kanë rëndësi dytësore. Konventa e gjenocidit flet për vrasje dhe shfarosje të anëtarit të grupit, jo për numër të konsiderueshëm të viktimave. Sepse është hipokrizi të bëhen dallime mes krimeve në bazë të numrit të viktimave. Çdo viktimë është individ në vete, dhimbje në vete, humbje në vete. Çdo viktimë është një jetë e përfunduar para kohe vetëm për shkak të përkatësisë në një grup të caktuar, çdo viktimë është shumë më tepër se sa një numër. Prandaj krimi i gjenocidit duhet të emërtohet saktë kurdoherë që ndodh, sepse është qëllimi ai që e definon këtë krim dhe jo numrat.

Gjenocidi është krim që kryhet në disa faza. Shkencëtrët thonë që ka dhjetë faza të gjenocidit. Faza e parë është ndarja e shoqërisë në “ne” dhe “ata”, faza e dytë është simbolizimi i “atyre”, faza e tretë është diskriminimi i vazhdueshëm i “atyre”, faza e katërt është  dehumanizimi i “atyre”, personifikimi me kafshë, insekte, sëmundje, faza e pestë është organizimi i procesit gjenocidal, faza e gjashtë është polarizimi i popullatës përmes propagandaës dhe gjuhës së urrejtjes, faza e shtattë është përgatitja e procesit të shfarrosjes, faza e tettë është persekutimi i viktimave dhe grumbullimi në vendet e shfarrosjes, faza e nëntë është vetë procesi i shfarrosjes dhe faza e dhjettë është mohimi i gjenocidit. Të gjitha këto faza janë të dukshme dhe të identifikueshme në krimet që ndodhën në Kosovë e të cilat komemorohen çdo 15 Janar, në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut, në ditën kombëtare të shënimit të Gjenocidit në Kosovë. Mohimi dhe mospranimi i këtij krimi nga shteti Serb, së bashku me mospranimin dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera e vulosin fazën përfundimtare të krimeve që kanë ndodhur.

Gjenocidi mund të quhet me emër tjetër, mund të injorohet, mund të mohohet, por nuk mund të zhduket nga memorja kolektive e një populli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button