Vaksinat nuk mund t’ju sëmurin me Kovid-19

Koronavirusi është një virus respirator që transmetohet nëpërmjet kontaktit me një person të infektuar, pra nëpërmjet sekrecioneve të tij respiratore që spërkaten në formë pikash të vogla kur i infektuari kollitet dhe teshtin, përmes pështymës ose sekrecionit nga hunda. Vaksina kundër Kovid-19 nuk mund t’ju infektojë me koronavirus. Vaksina nuk përmban asnjë pjesë të gjallë ose aktive të virusit Kovid-19 dhe nuk do të shkaktojë një test pozitiv me të cilin testohet për një infeksion aktiv me Kovid-19. Fakt është se vaksina mbron nga infektimi me koronavirus, pasqyra e rëndë e sëmundjes, hospitalizimi dhe vdekja, dhe këtë e tregojnë edhe statistikat për Maqedoninë e Veriut, shkruan Vërtetëmatësi.

Një postim në Facebook përhap dezinformata se nëse pranoni vaksinën kundër Kovid-19 do sëmureni me virusin SARS CoV -2. Kjo nuk është e vërtetë.

Nuk keni pasur “Kovid”? Nuk ka problem. Merrni vaksinën dhe do e fitoni, thuhet në postimin që po e analizojmë.

Është një mit që vaksinimi kundër Kovid-19 mund t’ju sëmurë me koronavirus dhe kjo është theksuar qartë edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së shëndetësisë të dedikuar vaksinimit kundër Kovid-19.

Vaksina nuk përmban asnjë pjesë të gjallë apo aktive të virusit Kovid-19. Nuk do të shkaktojë një test pozitiv me të cilin testohet për një infeksion aktiv me Kovid-19. Disa njerëz që kanë marrë vaksinën kanë raportuar efekte anësore të lehta deri në mesatare, përfshirë këtu dhimbje në vendin e injektimit, lodhje, dhimbje të kokës dhe dhimbje të muskujve. Jo të gjithë kanë efekte anësore. Por nëse ndodh, ato janë normale dhe një shenjë se trupi juaj po ndërton mbrojtjen e tij kundër virusit, sqarojnë zyrtarët shëndetësorë.

Që vaksina nuk infekton me Kovid-19, por e mëson sistemin tonë imunitar se si të njohë dhe luftojë virusin e konfirmon edhe Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve.

Vaksinat kundër Kovid-19 mësojnë sistemin tonë imunitar se si të njohë dhe luftojë virusin që shkakton Kovid-19. Ndonjëherë ky proces mund të shkaktojë simptoma, të tilla si ethe. Këto simptoma janë normale dhe janë shenja që trupi po ndërton mbrojtje kundër virusit që shkakton Kovid-19, shkruan në faqen e CDC.

Koronavirusi është një virus respirator që transmetohet nëpërmjet kontaktit me një person të infektuar, pra nëpërmjet sekrecioneve të tij respiratore që spërkaten në formë pikash të vogla kur i infektuari kollitet dhe teshtin, përmes pështymës ose sekrecionit nga hunda. Vaksina nuk përmban asnjë pjesë të gjallë ose aktive të virusit Kovid-19 dhe nuk do të shkaktojë një test pozitiv me të cilin testohet për një infeksion aktiv me Kovid-19. Fakt është se vaksina mbron nga infektimi me koronavirus, pasqyra e rëndë e sëmundjes, hospitalizimi dhe vdekja, dhe këtë e tregojnë edhe statistikat për Maqedoninë e Veriut.

Sipas Ministrisë së shëndetësisë, në periudhën nga 6 gushti i vitit 2021 deri më 13 janar të vitit 2022, në të gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 85.593 raste me Kovid-19. 37% e tyre, ose  32.079 persona kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Është i madh numri i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me Kovid-19. Sipas statistikave të muajve të kaluar, 53 mijë e 514 qytetarë, përkatësisht 63 përqind e personave pozitiv me Kovid-19 nuk janë të vaksinuar, thuhet në analizën e publikuar nga Ministria e shëndetësisë.

Sipas raporteve spitalore, për momentin të hospitalizuar janë 340 persona, 19 përqind e të cilëve janë të vaksinuar dhe 81 përqind të pavaksinuar. Gjatë javëve të fundit presioni ndaj spitaleve është ulur, por janë shtuar ekzaminimet ambulatore, duke arritur deri në njëqind pacientë në ditë për spital. Analiza tregon se vdekshmëria te të pavaksinuarit është drastikisht më e lartë. Në periudhën nga 6 gushti i vitit 2021 dhe 13 janari i vitit 2022, 78 përqind e të vdekurve nga Kovid-19 ishin të pavaksinuar dhe vetëm 22 përqind të vaksinuar. Sipas analizave, personat e ndjerë kanë pasur edhe disa sëmundje kronike bashkëshoqëruese. Pacientët kanë qenë të vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave që disponojmë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, pretendimin në postim se vaksina ju infekton me Kovid-19, e vlerësojmë si të pasaktë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button