Arsimi në RMV, në vend të progresit shënon regres, vërejtje ka edhe nga BE-ja

Maqedonia e Veriut ka bërë progres të kufizuar në fushën e arsimit, vendi nuk ka realizuar pjesën më të madhe të rekomandimeve të Komisionit Evropian nga viti 2020. Përderisa nga MASH thonë se kanë iniciuar shumë reforma, ekspertët alarmojnë se arsimi në vendin tonë është lënë pas dore. Reforma urgjente janë të nevojshme në shkollimin fillor, kushtet në shkollimin e mesëm lënë shumë për të dëshiruar. Problem shtesë është fakti se vlerësimi arsimit në shkollimin e lartë në Maqedoninë e Veriut nga organizatat botërore me relevancë nuk është bërë nga viti 2016, shkruan Portalb.mk.

Maqedonia u kritikua në Raportin vjetor të Komisionit Evropian, i cili e vlerësoi si të kufizuar progresin në fushën e edukimit dhe kulturës.

“Për sa i përket arsimit dhe kulturës, Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur. Progres i kufizuar është bërë gjatë periudhës raportuese duke marrë parasysh edhe situatën COVID-19 e cila preku thellësisht sistemin arsimor. Prezantimi i objektivave dhe treguesve për strategjinë gjithëpërfshirëse të arsimit 2018-2025 po përparon ngadalë, si dhe zbatimin e një sistemi të duhur monitorimi”, theksohet në Raportin e progresit.

Ngecjen e reformave në sferën e arsimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e arsyetojnë me komplikimet që krijoji pandemia globale COVID 19.

Shpërthimi i pandemisë Covid 19 ka krijuar sfida në funksionimin e të gjitha sistemeve, përfshirë arsimin. Në atë periudhë prioritare ishte mundësimi i mbarëvajtjes së procesit edukativo-arsimor nëpërmjet organizimit të mësimdhënies online, me qëllim zvogëlimin e pasojave në aspektin e njohurive të nxënësve, pra realizimin dhe zotërimin e të gjithë materialit mësimor të ofruar në vitin shkollor. Tani sistemi arsimor është përshtatur me rrethanat e jashtëzakonshme”, thanë për Portalb.mk nga MASH.

Nga MASH thonë se kanë strategji specifike për arsimin 2018-2025, një program të ri pune, por edhe një sërë reformash të iniciuara që do të intensifikohen në periudhën në vijim. Ndërkohë, Raporti i progresit vuri në pah se rekomandimet që KE i bëri Maqedonisë në vitin 2020 janë plotësuar pjesërisht, kështu që pjesa më e madhe e tyre ri-rekomandohet të realizohet gjatë vitit 2022.

  • Zbatimi i kornizës strategjike për arsimin dhe veçanërisht objektivat për arsimin parashkollor dhe reformën e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP);
  •  Të përmirësojë mbështetjen për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve dhe të sigurojë se ekziston një proces vlerësimi efektiv;
  • Përmirësimi i qasjes në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome, dhe rritja e regjistrimit në arsimin parashkollor.

Edhe përkundër vërejtjes se vendi duhet të sigurojë më shumë mbështetje për kuadrin profesional arsimor nga MASH thonë se ata vazhdimisht po punojnë në këtë drejtim.

“Në këtë drejtim, në 4 vitet e kaluara pagat e mësimdhënësve janë rritur mesatarisht për 4 mijë denarë, në vazhdimësi ofrohen trajnime pikërisht për shkak se në arsimin fillor kanë filluar ndryshimet me të cilat fillimisht duhet të njihen mësimdhënësit. Janë publikuar thirrjet për avancim në titullin mentor, ku të gjithë mësimdhënësit që kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kushtet, e kanë ushtruar këtë të drejtë dhe kanë fituar titullin mësues-mentor. Gjithashtu, me iniciativë të MASH, Qeveria ka propozuar ndryshime në Ligjin për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesional në shkollat ​​fillore dhe të mesme, i cili është në procedurë parlamentare, por fatkeqësisht diskutimi është bllokuar nga disa deputetë, edhe pse synimi është që me çdo rritje të pagës minimale të lejohet rritje e vazhdueshme e pagave, pagesa e shtesave të pagave që nuk janë paguar në të kaluarën për shkak se nuk ka pasur bazë ligjore. Ligji parashikon edhe transformimin e punësimit me afat të pacaktuar të të gjithë atyre që aktualisht janë të angazhuar me kontratë për një periudhë të caktuar, si dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe avancimin në karrierë të mësuesve”, bëjnë të ditur nga MASH.

Sidoqoftë, ka mësimdhënës që nuk pajtohen me pretendimin e MASH se po bëhet mjaftueshëm në mbështetjen e mësimdhënësve. Gjatë një tryeze të rrumbullakë me temë “Librat digjital në Shkollat tona”, organizuar nga sektori civil në Strugë, mësimdhënësit u shprehen se ata janë shumë pak të informuar në formë të koordinuar nga MASH për konceptin e digjitalizimit dhe reformën konkrete që planifikon ky institucion. Shumicën e informacioneve ata i kanë marrë përmes mediave në vend dhe jo në formë zyrtare nga institucionet.

Reformat në shkollimin fillor janë më se të nevojshme dhe urgjente 

Eksperti dhe studiuesi i çështjeve të arsimit, Artan Limani, vlerëson se sistemi i arsimit, i lënë në rend të fundit të prioriteteve të shtetit, me pandeminë jo vetëm që u gjunjëzua por edhe u thye tërësisht.

Artan Limani
Artan Limani

Shkollimi i mirëfilltë ngelën të jetë katalizator për ndryshim në politikë, ekonomi, shoqëri, teknologji, ekologji, dhe më tej. Për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut, shkollimi ngelën t’i takojë kohës Viktoriane. Përderisa shtetet e zhvilluara janë duke kthyer sfidat në mundësi për zhvillim, në shtetin tonë kjo jo vetëm që nuk ndodh por edhe nuk flitet aspak për një strategji zhvillimi. Pandemia e vendosi komplet sistemin e arsimit në një kurth të cilin vet sistemi e kishte krijuar ndër vite. Duke mos u angazhuar për të inicuar mësim te kombinuar (online dhe fizik) me kohë, sistemi i papërgatitur u fut në kurthin e vet”, u shpreh për Portalb.mk, profesori universitar Artan Limani.

 

Sipas Limanit, shkollimi fillor përbën elementin më të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, prandaj qasja në arsimin fillor do të duhet të përqendrohet në vendosjen e postulateve të reja për të shkolluar gjeneratën digjitale për vendet e punës të cilat ende nuk ekzistojnë apo nuk janë krijuar.

Në kontekst global, sipas Esposito dhe Tse, 65% e fëmijëve që tash janë në shkollë fillore do të punojnë diçka që ende nuk ekziston. Nga një studim të vitit 2017, i bërë nga platforma Upwork, shihet se njerëzit që punojnë nga shtëpia për një kompani për një vit të tërë dhe për një kompani tjetër vitin e ardhshëm, së shpejti do të përbëjnë shumicën e të punësuarve në SHBA. Si rezultat, Esposito dhe Tse sugjerojnë që filozofia e shkollimit duhet të bazohët në:

  1. Kodim apo aftësim digjital;
  2. Komunikim apo aftësi për të komunikuar në kontekst global;
  3. Kreativitet apo në zhvillim të potencialit kreativ që fëmijët e kanë; dhe
  4. Vetëbesim apo ngritje të vetëbesimit te nxënësit

Sugjerimet e Esposito dhe Tse janë më se të rëndësishme për ndryshimet që duhet të implementohen në çdo sistem të arsimit në botë, duke inkuadruar edhe shtetin tonë. Si rezultat, sugjerimi im është të bëhet një bashkë dyzim i sugjerimeve të Esposito dhe Tse me qasjen që implementon Finlanda, një shtet i cili rangohet ndër tre sistemet më funksionale në botë. Jam i vetëdijshëm që skeptikët do të përqendrohen te më e lehta dhe do të thuan se ne nuk jemi Finlanda! Për ato kam vetëm një sqarim dhe ju them që të gjithë fëmijët kudo në botë janë të barabartë pasi që krejt ata lindin me potencial të lartë“, shton më tej Artan Limani.

 

Qasja e kombinuar është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të përmirësuar cilësinë e arsimit në vendin tonë.
“Nëse ne duam të përmirësojmë arsimin, një qasje e kombinuar dhe e dizajnuar për kontekstin tonë do të ishte më se e përshtatshme. Koncepti i “ekuitetit” apo mundësia e drejtë për shkollim për secilin nxënës siguron mundësi për sukses për të gjithë, pa marrë parasysh statusin socio-ekonomik të nxënësve. Këtë qasje unë e quaj shteti për qytetarët dhe e njëjta është e mundshme nëse ka vullnet dhe guxim, por edhe më e rëndësishme, nëse ka dije. Jam i sigurt që nëse nesër nisim me dizanjimin e një strategjie shtetërore, për 4 vite do të shihnim rezultatet e ndryshimit. Qasja shteti për qytetarët jep rezultate përfundimtarë pozitive ku mandej qytetari bëhet i devotshëm për shtetin dhe i ofron zhvillim në kapitalin më të çmueshëm – atë të njeriut. Pra, si që thash, nëse nesër i kapemi punës, pasnesër i shohim rezultatet. Shume e thjeshtë dhe e frytshme”, tha Artan Limani.

Shteti ndan shumë pak para nga buxheti për shkollat

Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM) thonë se të gjitha kritikat dhe rekomandimet e Raportit të progresit në fushën e arsimit janë me ve vend. Shkollat e mesme në vend përballen me sfida të shumta, qofshin ato infrastrukturore apo edukim cilësor.
“Problemi më i madh për sistemin e përgjithshëm arsimor është (1) financimi i ulët për shkollat i ndarë nga buxheti  dhe (2) shpenzimi joefikas dhe i korruptuar i fondeve. Në vitin 2020, vetëm 3.3% e PBB-së shkoi në arsim, shumë më poshtë mesatares evropiane prej 5%. Një mos-investim i tillë në arsim kolektivisht na vuri në një situatë të humbasim prestigjin e gjimnazit klasik jugosllav, ku arsimi ishte realisht në nivel dhe shkollat e mesme prodhonin kuadro të forta”, thonë nga UNSHM.
Nga UNSH alarmojnë se tekstet shkollore jo vetëm që nuk janë cilësore por edhe janë të mbushura me fakte të pa vërteta.
“Aktualisht nxënësit janë të mbingarkuar me shumë lëndë – rreth 15, ndërsa në vendet evropiane numri është rreth 8. Për më tepër, vetë programet dhe tekstet shkollore janë të mbushura me fakte të panevojshme, e ndonjëherë edhe të pavërteta. Gjithashtu, sistemi i mësimdhënies nuk kërkon të menduarit kritik dhe ndërveprim, por memorizimin verbërisht të fakteve dhe të dhënave. Prandaj, nëse duam të përmirësojmë arsimin e mesëm në vend, është e nevojshme të fillojmë një proces më të gjerë reformash dhe të miratojmë një Koncept të ri për arsimin e mesëm”, u shprehën nga UNSHM.
UNSHM i bën thirrje MASH që sa më shpejt të inicojë reformën për një koncept të ri në shkollimin e mesëm, ku nga UNSH shprehen të gatshëm të marrin pjesë dhe të kontribuojnë që në fillim të procesit.
Nga ana tjetër, Artan Limani thotë se shkolla e mesme është një plagë tjetër e sistemit arsimor në shtetin tonë, ku mësimi vazhdon me një qasje të “modelit të fabrikës” që i përket shekullit të 19-të.
“Nxënësit kalojnë shumë orë në shkollë pa ushqim të shëndetshëm, udhëtojnë nga vende të largëta, nuk kanë libra të vyeshëm dhe krejt çka mban mend është sa shumë ka folur mësimdhënësi! Drejtorët të paaftë për të udhëhequr dhe për të menaxhuar kualitetin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies, të njëjtit nuk munden të sigurojnë të dhëna kualitative dhe kuantitative për procesin mësimor që të udhëheqin duke u bazuar në to, por edhe të kërkojnë ndryshime në baza të argumentuara”, deklaroi Artan Limani.
Në këtë shkallë të arsimit, profesori universitar Limani, thekson se nevojitet një strategji shtetërore për inicim të ndryshimeve të kurikulave. 

Nga viti 2016 në RMV nuk është bërë vlerësim i Universiteteve

Situata aktuale duket pesimiste edhe sa i përket cilësisë së arsimit në shkollimin e lartë. Vlerësimi i Universiteteve në vendin tonë nga institucione relevante ndërkombëtare nuk është bërë nga viti 2016.

ShanghaiRanking Consultancy” është organizatë plotësisht e pavarur që bënë vlerësimin e Universiteteve në të gjithë botën. Më shumë se 1800 Universitete vlerësohen nga ekspertë të arsimit të cilët dërgohen në shtetin përkatës ku brenda vitit bëjnë matje të cilësisë së universiteteve bazuar në katër kategori:
  • Mësimdhënie;
  • Mësim-nxënie;
  • Hulumtim;
  • Shërbimi i universitetit ndaj komunitetit.
Për çdo vit organizata publikon listën me 1000 universitetet më të mira.
Limani shpjegon se bazuar në vlerësimet e Listës së Shangait vetëm universitetet e radhitura në 6 vendet e para janë të akredituar për të ofruar programe të doktoratës. Që universitetet e Maqedonisë së veriut të jenë pjesë e rangimeve botërore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të ftoj organizatat botërore dhe ekspertët e tyre që të vijnë në vendin tonë dhe në mënyrë direkte të bëjnë hulumtime dhe vlerësimin e universiteteve.
Në fillim të muajit shkurt në opinion bëri mjaftë bujë publikimi i listës botërore të renditjes sipas renditjes Webometrics të Universiteteve Botërore (Webometrics). Sipas kësaj liste universitetet në vendin tonë jo vetëm që ishin shumë dobët në rangimin botëror, por edhe kishin humbur pikë krahasuar me në vit më parë. Megjithatë, ky rangim nga ekspertët e arsimit nuk vlerësohet si adekuat pasi nuk ka metodologji relevante për të bërë vlerësim adekuat. Vlerësimi që bën Webometrics bazohet në mbledhjen e të dhënave për performancën online të universiteteve në të gjithë botën, pra bëhet matja e publikimeve të universiteteve në ueb-faqe.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button