Drita që shkëlqen në qiell letërsie

Viti 1981. Shqipëri. Vendi më i mbyllur i botës. Një muze ateist ku ishte përjashtuar metafizika, pa të cilën arti është asgjë. Se arti (si Gilgameshi, që ishte njeri e hyjni) e përmbledh në botën e tij të dukshmen e të padukshmen; realitetin e shajninë; tokësoren, qielloren dhe infernalen; parajsën e ferrin; engjëjt e djajtë; Kainin e Abelin; Judën e Krishtin; protagonistin e antagonistin; agun e muzgun; ëndrrën e zhgjëndrrën; të mundshmen e të pamundshmen…

Në këtë vit, në spital onkologjie, jepte shpirt një vajzë 23 vjeçare. E vetme. Pa askënd pranë. E ëma e saj më kot i adresonte lutje mikeshës së dikurshme, Lejdi Makbethit, që t’ia mundësonte, së paku, në çastet e fundit, të ishte pranë së bijës. Asnjë përgjigje. Makbethët e Shqipërisë ishin të pamëshirshëm.

Ne vetëm mund ta paramendojmë si mund të jetë ndjerë një nënë në kësi çastesh. Gjendja e nënës, mbase, më përafërsisht, përshkruhet nga e bija (për ndonjë situatë tjetër të ngjashme): “Atë ditë ajo dukej krejt e thinjur. / Sytë e errët, / Si gjithnjë fshihnin dhembjen. / E kish harruar atë ditë zemërimin. / Atë ditë ajo ishte / Vetëm nënë.”

Nëse vajza nuk do të ikte në amshim si 23 vjeçare, sot do të ishte grua 63 vjeçare. Mbase do të qeshte me vargjet rinore: “Dhe e di se kurrë s’do bëhesh nënë”. Do të shkruante poezi. Do të botonte libra. Do të ishte emër i çmuar në letërsinë shqipe. Kjo është vetëm imagjinatë. Dihet se ajo është poete dhe emër i çmuar në letërsinë shqipe edhe pa moshën 63 vjeçare, edhe pa librat që nuk i arriti t’i shkruante.

II. Emri i saj është Drita Çomo (1959 – 1981). Dritë e veçantë e poezisë shqipe. Dritë që ka mbetur edhe pasi ka ikur nga kjo botë.

Libri i vetëm i saj, “Dritë që vjen nga humnera” (2004), është botuar pas vdekjes. Është një libër më i çmuar se qindra libra për të cilët janë shkruar recensione e studime.

Libri i Drita Çomos ka poezi dhe ditarin që autorja e ka shkruar derisa ishte në internim dhe në spitalin onkologjik.

Kjo qenie e pafajshme, e brishtë, shkruan për vuajtjen e saj. Vetëm ajo mund ta dinte se “ç’do të thotë të vuash, kur s’ke faj”. Ishte e bija e Liri Belishovës dhe Maço Çomos. Të dënuar politikë.

Në sistemin totalitar vlejnë ligjet mesjetare. Dënimi është kolektiv. Dënohen edhe fëmijët apo të afërmit e të dënuarve politikë. Dënimi kolektiv synon ta shuajë çdo disidencë. Se kur njeriu e mendon që rebelimi i tij u sjell fatkeqësi të pafajshmëve, atëherë e humb guximin për të bërë akt prej martiri…

III. Drita Çomo është njëra nga poetet më të mira që ka pasur letërsia shqipe. Poezitë e saj i ka shkruar dhembja, trishtimi, mërzia, por edhe dashuria.

Në poezinë e saj ka hije vdekjeje, dashuri siberiane, shpirtra prej akulli, qiell gri ose të errët, trishtim, mërzi, vetmi, vjeshtë, dhimbje, heshtje, pritje të ankthshme, por ka edhe jetë “kur gjithçka tjetër fle”, ka shpresë për “ata që do të vijnë”.

“Ecëm / me një të kaluar që s’e kishim jetuar / Dhe pa të ardhme. / Megjithatë jetuam. / Pikërisht për të kaluarën / Dhe pikërisht për të ardhmen. / E deshëm jetën. Thjesht. / Dhe e duam. / Në humbëtirën e kohës shtyjmë monotoninë e ditëve”.

Në kohën “pa asgjë të re” duhej të jetohej edhe për ata që do të vinin.

“Jetuam, që ata mos jetojnë si ne. / Që ata të kenë ëndrra të lira, / si deti; / Të mos e njohin ngushtësinë / makabre të qelive, / Që ata ta duan diellin dhe njëri – tjetrin / Dhe të mos u besojnë kaq shumë perëndive. / Që ata ta dinë çdo të thotë dhembje / Çdo të thotë të njohësh frikën dhe lotët / Dhe ta kuptojnë se… “Partia” dhe “Revolucioni” / Nuk mjaftojnë për ta bërë më të mirë botën”.

IV. Drita Çomo ishte poetja shpirtçiltër në një bote të egër, hipokrite dhe “fjalësh të bukura”: “Sa hipokrite, net pa gjumë, / Njerëzit dhe vetes i flasin bukur / Njësoj në dashuri, në politikë / Të gjitha i mbështjellin me lustër”.

Për të poezia ishte ëndërr, vegim i kaltër, zanë. Poezia ishte kudo pranë saj: në dhomë, në klasë, në spital. Kudo e shoqëronte “e përziera me ëndrrat, dëshirat, mendimet”, që “lë prapa vetëm heshtjen”.

Poezia e Drita Çomos na përforcon bindjen se për letërsinë është e parëndësishme mosha e poetit dhe sasia e librave…

Poetja njohu dy sëmundje të rënda: njëra personale dhe tjetra personale e shoqërore. Sëmundja e parë quhej kancer. E dyta komunizëm. Të dyja metastazojnë. E para në trup. E dyta në shpirtrat e njerëzve. E para e shkatërron trupin. E dyta shpirtin.

“Në udhët e jetës së saj i kishin dalë herët, tepër herët, dy nga përbindëshat më të zezë të kohës: diktatura dhe kanceri”, ka shkruar për të Ismail Kadare.

Drita Çomo iku nga kjo botë dhe kaloi në një botë tjetër, në botën e artit, ku nuk të bëjnë asgjë as kanceri, as komunizmi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button