A do ta shtyjë përhapja e omikronit fillimin e gjysmëvjetorit të dytë në Maqedoninë e Veriut?

Shifrat e larta të të infektuarve rishtazi me kovid 19 janë arsye, për shkak të cilave qeveria vendosi që gjysmëvjetori i dytë shkollor të vazhdojë më 1 shkurt, në vend të 21 janarit siç duhej të ishte, raporton REL, përcjell Portalb.mk. Sa do të ndikojë kjo në përmirësimin e situatës epidemiologjike tek nxënësit?

Vendimi që gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të vazhdojë më 1 shkurt për shkak të situatës aktuale epidemiologjike me kovid 19 është i arsyeshëm, thotë dr. Zlate Mehmedoviq. Sipas përvojave të deritanishme në botë, vala e variantit omikron zgjat rreth tetë javë, ashtu që nëse gjysmëvjetori i dytë duhet të fillojë më 1 shkurt, sipas Mehmedoviq, duhet të vendoset sërish pesë ditë para fillimit, si dhe varësisht nga situata epidemiologjike në atë moment.

“Situata epidemiologjike duhet të monitorohet në mënyrë aktive, ashtu që nëse edhe atëherë situata epidemiologjike është e keqe gjithsesi duhet të mendohet për diçka që do të zvogëlojë procesin e transmetimit të virusit dhe a do të jetë mësimi onlajn apo mund të ketë shtyrje e mësimit etj. Por nëse situata epidemiologjike është e keqe edhe atëherë, gjithsesi që do të duhet të gjendet zgjidhje që të mos kemi mësim me prani fizike”, tha Mehmedoviq.

Nxënësit në shkollat ​​fillore dhe të mesme gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor e kanë vijuar me prani fizike duke iu përmbajtur disa protokolleve si mbajtja e detyrueshme e maskave dhe matja e temperaturës në momentin e hyrjes në shkolla. Ish-ministrat e Arsimit dhe Shëndetësisë, Mila Carovska dhe Venko Filipçe, shpeshherë e kanë përsëritur se gjendja në shkolla me përhapjen e koronavirusit është stabile dhe se numri i të sapoinfektuarve te nxënësit shkon prej 0,01 deri në 0,03 për qind në ditë.

Tani me praninë e variantit omikron, virusi ka filluar të përhapet gjithnjë e më shumë nëpër shkolla. Përvoja nga Kroacia, për shembull, është se nga fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkollor, vetëm brenda një jave ka pasur mbi 9000 nxënës të sapoinfektuar.
Mehmedoviq thotë se situata në Maqedoni për momentin është më e ngjashme me atë në Gjermani se sa në Britani.

“Në Britani, vala e llojit delta përfundoi shumë më herët se në Gjermani, ku ishte paralel me omikronin, ndërsa nga ajo që po ndodh në Maqedoni mund të presim që do të komplikojë më tej situatën epidemiologjike ose mund të shkaktojë të kemi numër të lartë të të sapoinfektuarve, për një periudhë të gjatë kohore, dhe për shkak se delta është shumë më agresiv dhe shkakton shumë më tepër komplikime dhe ka nevojë për kujdes intensiv, ka gjasa që të kemi shifra të larta edhe në hospitalizimin e pacientëve”, tha Mehmedoviq.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë që u publikuan javën e kaluar për periudhën 5-10 janar, analizat e bëra në gjithsej 152 mostra pozitive, në 104 prej tyre ose në 68% është zbuluar varianti omikron, që do të thotë se ky lloj po dominon. Omikroni është treguar se është më rezistent ndaj imunitetit të krijuar me shërimin nga sëmundja dhe vaksinat e mëparshme, kështu që ka filluar të rritet edhe numri i ri-infeksioneve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë javën e kaluar tha se pritet që, brenda dy muajve të ardhshëm, të infektoheshin më shumë se gjysma e evropianëve me llojin Omikron të koronavirusit. Nga rajoni, Serbia dhe Bullgaria, si dhe Maqedonia, këto ditë po shënojnë rekorde të numrave të të sapoinfektuarve që nga fillimi i epidemisë.

Ndërkohë, disa mjekë kanë apeluar që qeveria të shtyjë gjysmëvjetorin e dytë. Profesor dr. Aleksandar Petliçkovski, drejtor i Institutit për Imunobiologji dhe Gjenetikë Humane, para pak kohësh tha, se shtyrja është momenti më efektiv për parandalimin e transmetimit të virusit. Apel të ngjashëm, siç kanë raportuar disa media, bëri edhe kryetarja e Shoqatës së Pediatërve të Maqedonisë, Aspazija Sofijanova.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid në vend, nga fillimi i epidemisë është 245.398, numri i të vdekurve është 8.115, ndërsa numri i rasteve aktive është 16.397.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button