Qeveria e re: Vetëm katër gra ministre, gruaja shqiptare e papërfaqësuar në këtë funksion

Vetëm 20% e ministrave të Qeverisë të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski janë gra, të gjitha nga LSDM. Partitë shqiptare nuk ia kanë besuar postin e ministrit asnjë gruaje. Nga ana tjetër në Kuvend, rreth 40% e deputetëve janë gra. Maqedonia e Veriut që nga pavarësia nuk ka pasur kurrë grua në postet e kryeministrit, presidentit apo kryetarit të Kuvendit, shkruan Portalb.mk.

Gjatë fushatave parazgjedhore, partitë figurën e gruas e përdorin vetëm për propagandë dhe mbledhje të votave pasi sapo formohen qeveritë, ajo lihet anash dhe shumë pak përfaqësohet në postet vendimmarrëse, në këtë rast në rolin e ministres. Argument dhe fakt për këtë janë përbërjet e kaluara qeveritare të vendit dhe kjo e fundit, ku raporti i ministrave burra dhe gra është katër me një.

Në Qeverinë e re të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), pjesëmarrëse janë edhe tre parti shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), nga ku asnjë grua nuk është caktuar si ministre. Të katër ministret janë nga radhët e LSDM-së.

Gratë në Qeveri do të udhëheqim me këto ministri:

  • Ministria e Mbrojtjes- Sllavjanka Petrovska;
  • Ministria e Punës dhe Politikës Sociale- Jovana Trençevski;
  • Ministria e Kulturës- Bisera Stojçevska;

Kurse, Sllavica Grkovska do të jetë ministre pa resor, konkretisht zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, editimi: Fisnik Xhelili
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, editimi: Fisnik Xhelili

“Larg Evropës”- kështu e vlerëson shoqëria civile këtë përfaqësim të grave në ekzekutiv

Pranvera Kasami
Pranvera Kasami

Drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Pranvera Kasami thotë se politika te ne gratë i sheh vetëm si kuota dhe asgjë më shumë, pasi siç potencon ajo derisa vendet tjera me demokraci të zhvilluara tentojnë përfaqësimin e barabartë, për vendin tonë kjo është një objektiv i largët.

“Ndërkohë që statusi i këtillë kishte tendencë rritjeje në vendin tonë në të kaluarën e afërt, çdo herë që ka motive për inkurajim, ndodh që kthehemi në regres sa i përket rritjes së lidershipit të grave në proceset e vendimmarrjes politike në vend. Gratë demonstrojnë lidership politik përtej linjave të caktuara tradicionalisht për shumë kohë në vendin tonë. Kjo mendoj se më së miri mund të realizohet përmes inkurajimit legjislativ që kurdo do të jetë një imperativ dhe për ne”,  tha Kasami.

Sipas analistit dhe kolumnistit Selim Ibraimi, përfaqësimi i tillë është një imazh shumë i keq, pasi vazhdon mënyra e njëjtë e përfaqësimit gjinor, ku nuk ka ligje që e parandalojnë këtë.

“Ka ligje të shkruara por vështirë se respektohen në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan” tha Ibraimi.

Sefer Tahiri
Sefer Tahiri

Për profesorin universitar Sefer Tahirin, barazia gjinore në përfaqësimin politik në një shoqëri me demokraci të brishtë si kjo e jona, nuk mund t’i lihet vullnetit të mirë të partive politike. Siç thotë ai te ne vazhdimisht nevojiten reforma zgjedhore, me të cilat garantohet rritja e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e pushtetit.

“Në këtë drejtim duhet të mendohet edhe për reforma në Kodin zgjedhor, me të cilat do të rritet përfaqësimi i grave në pozitat ministrore dhe të kryetarëve të komunave. Organizatat joqeveritare vazhdimisht duhet të adresojnë kërkesa drejtuar partive politike që të përmirësojnë përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar. Kjo duhet të bëhet duke i rikujtuar, së bashku me mediat dhe opinion-bërësit, se cilat janë përcaktimet e tyre deklarative programore për barazi gjinore dhe synimet gjoja për arritjen e vlerave evropiane, ndërkohë që politikën dhe vendimmarrjen e bëjnë me mentalitet të vjetër ballkanik”, tha Tahiri.

Cilat janë qëndrimet e partive në legjislativ për këtë përfaqësim të grave?

Deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska thotë se përqindja e grave të përfaqësuara si ministre në këtë qeveri është e ulët. Ndërkaq ende më e ulët është nëse llogaritet bashkë me numrin e zëvendëskryeministrave.

Zhaklina Peshevska
Zhaklina Peshevska

“Kjo Qeveri rezulton me të njëjtin numër të grave si në përbërjen e mëparshme, dhe BDI-ja nuk ka asnjë grua të propozuar. Kjo po ndodh sepse mungon kapaciteti demokratik në parti, përkushtimi për përfaqësim më të madh është deklarativ, pavarësisht se vlera evropiane është angazhimi dhe motivimi për më shumë gra ministra dhe gra në poste drejtuese. Për më tepër, Kodi Zgjedhor nuk ka dhe nuk garanton kuota për këto pozicione, për këtë situata është kështu prej shumë vitesh”, tha Peshevska.

Nga LSDM-ja na premtuan se do të japin qëndrimin e tyre, por deri më tani nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk për këtë përfaqësim të grave në ekzekutiv.

Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), deputetja Ilire Dauti shprehet se partitë shqiptare në pushtet haptazi dhe me zë promovojnë mentalitet gjinor të frikshëm.

Ilire Dauti
Ilire Dauti

“Të mos ketë asnjë grua apo vajzë shqiptare në postet ministrore, në dy Qeveri radhazi kjo më nuk është vetëm mospërfaqësim, por mohim i ekzistencës së gruas shqiptare këtu në Maqedoninë e Veriut. Më e keqja është që kjo tashmë bëhet edhe me miratimin e vet grave deputete të BDI-së, sepse votat e tyre mbrëmë por edhe kur u votua Qeveria e kaluar, i dhanë miratim injorimit të gruas duke votuar Qeveri pa asgjë grua shqiptare ministre. Krejt këtë duket që partia e Ali Ahmetit e ka bërë me plan. Pasi u kujdesën për të shkatërruar imazhin e gruas në politikë tani janë koncentruar në mohimin ekzistencës së saj”, tha Dauti.

Edhe pse asnjë grua nuk u propozua nga BDI, deputetja e tyre, Vjollca Ademi thotë se partia ku bën pjesë ajo vazhdimisht punon në përmirësimin e pozitën e grave dhe gratë duhet të mjaftohen me të drejtat që i kanë sot.

Vjollca Ademi
Vjollca Ademi

“Brenda, në shtëpinë e BDI-së veprojmë që t’i kemi kuadrot më të mira në vendet e dëshiruara. BDI gjithmonë punon në përmirësimin e pozitës së gruas ku për këto vjet kemi pasur gra në poste ministrore, zëvendësministre, deputete. Është partia e vetme që kandidoi grua për kryetare të komunës. Duke falënderuar këtë angazhim, gruaja sot punon në të gjitha fushat, ekonomi, shëndetësi të cilat mundësojnë jetë më të mirë për të gjitha gratë shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, tha Ademi.

Orhan Murtezani, foto screenshot nga MIA
Orhan Murtezani, foto screenshot nga MIA

Orhan Murtezani nga Alternativa tha se ka pasur oferta të caktuara të cilat nuk janë pranuar dhe në fund partia, kur ka zgjedhur listë, është prirë nga potenciali i kandidatëve të propozuar dhe jo nga gjinia.

“Kemi zhvilluar diskutim të gjerë brenda organeve të partisë, ka pas disa oferta të caktuara të cilat nuk janë pranuar dhe në fund kur kryesia ka votuar listën, nuk jemi prirë nga ajo se është mashkull apo femër, por thjesht nga potenciali kadrovik që kemi pasur dhe kuadrove që kanë shfaqur gatishmëri t’ju prijnë atyre institucioneve”, deklaroi Murtezani.

Si është përfaqësimi në Kuvend?

Për dallim prej ekzekutivit ku 20% e ministrave janë gra, situata në Kuvend është më e mirë, gjegjësisht rreth 40% e deputetëve janë gra, kjo pasi Kodi Zgjedhor e mundëson këtë.

Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituuar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 47 gra deputete nga gjithsej 120 deputetë. Që nga pavarësia, asnjëherë funksioni i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit nuk i ka takuar një gruaje.

Përfaqësimi gjinor në Kuvend mbrohet edhe me ligj, por kjo nuk vlen për postin e kryetarit të Kuvendit.

Kështu thuhet në Kodin Zgjedhor: “Me ndryshimet që janë në fuqi parashikohet që së paku 40 për qind e kandidatëve t’i takojnë gjinisë më pak të përfaqësuar apo një në tre kandidatë të jetë femër dhe në mënyrë plotësuese edhe një vend në çdo dhjetë vende.”

Në Shqipëri dhe Kosovë gratë janë më të përfaqësuara në ekzekutiv

Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kanë qeveri gjegjësisht të reja ku për sa i përket përfaqësimit të gruas në postet ministrore kanë punuar në praktikë në këtë drejtim e jo vetëm me fjalë.

Qeverinë e Shqipërisë, gratë drejtojnë dymbëdhjetë ministri nga gjithsej gjashtëmbëdhjetë. Ndërkaq në Qeverinë e Kosovës, nga gjithsej shtatëmbëdhjetë ministra, vetëm gjashtë janë gra. Shqipëria ka kryetar Kuvendi grua, ndërkaq Kosova ka presidente.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut, lëvizja e parë feministe u formua në vitin 1942, kurse katër vite më vonë, në vitin 1946 gratë në Maqedoni fituan të drejtën e votës si dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike. Pjesëmarrja e grave në politikë është e njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button