Petkov-Kovaçevski: Bullgaria e pranon emrin Maqedonia e Veriut, javën e ardhshme seancë e përbashkët qeveritare

Bullgaria ka pranuar që ta shfrytëzojë emrin e shkurtër të shtetit – Maqedonia e Veriut, por edhe emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut. Për këtë janë marrë vesh sot kryeministrat e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kiril Petkov dhe Dimitar Kovaçevski në takimin që sot u mbajt në Shkup, njofton Portalb.mk.

“Jemi marrë vesh që Bullgaria ta pranojë shfrytëzimin e emrit të shkurtër – Maqedonia e Veriut njëjtë sikur emrin gjatë – Republika e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria nuk do ta frenojë më përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë institucion dhe për atë i ka njoftuar edhe Kombet e Bashkuara”, deklaroi Kovaçevski.

Nga ana tjetër, ashtu siç tha kryeministri, Maqedonia e Veriut ka dërguar notë verbale deri te OKB në të cilën theksohet se të dy emrat (i shkurtër dhe i gjatë) janë njëjtë të vlefshëm dhe se me përdorimin e emrit të shkurtër nuk kemi kurrfarë implikime ndaj pretendimeve territoriale.

Tani, tha Kovaçevski, kryeministri Petkov mundet lirisht ta shfrytëzojë emrin Maqedonia e Veriut nëpër intervistat për mediat.

Nga ana tjetër, kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov njoftoi se çështjet historike RMV-Bullgari do të jenë në plan të dytë.

“Do të kemi kujdes në çështjet që na bashkojnë, a tjerave do t’u japim afat më të gjatë. Dua të them shumë qartë se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë ka definicion shumë të qartë për gjuhën. Këtu është çështja se Bullgaria e respekton dhe jemi krenar që e kemi pranuar pavarësinë e Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht me atë e respektojnë vetëvendosjen e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe shfrytëzimin e të gjitha gjuhëve të juaja, ashtu siç janë në Kushtetutë. Kemi respektim të plotë në atë”, tha Petkov.

Kryeministri Petkov theksoi se për 60 ditë do të vihet në funksion avio-linja Shkup-Sofje.

Kryeministrat kanë rënë dakord që më 25 janar të mbahet seancë e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ndryshe, kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov sot në mëngjes ka arritur në Shkup për vizitë zyrtare. Në Aeroportin e Shkupit e ka pritur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërkaq më pas para Qeverisë është pritur me nderime shtetërore nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Delegacioni bullgar përfshin ministren e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Nikollaj Sibev dhe nënkryetarin e Asamblesë kombëtare Kristian Vigenin.

This slideshow requires JavaScript.

Delegacioni i Bullgarisë fillimisht do të zhvillojë takime me ekipin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të vazhduar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferin.

Petkov do të takohet edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button