Vendimet e para të Qeverisë së Kovaçevskit, në pikëpyetje vazhdimi i mësimit në shkolla prej 20 janarit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot zhvilloi seancën e parë të udhëhequr nga kryeministri i sapozgjedhur, Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Në këtë seancë u emëruan zëvendëskryeministrat dhe u caktuan obligimet e tyre. Gjithashtu u përcaktuan kryetarët dhe anëtarët e komisioneve themelore dhe të veçanta të Qeverisë. Fatmir Bytyqi u emërua kryetar i Komisionit për sistem ekonomik, ndërsa anëtar të saj u caktuan Fatmir Besimi, Kreshnik Bekteshi, Naser Nuredini, Blagoja Boçvarski, Lupço Nikollovski dhe Jovana Trençevska.

Në krye të Komisionit për sistem politik u vendos Artan Grubi, ndërsa anëtar të saj Bojan Mariçiq, Sllavjanka Petrovska, Oliver Spasovski, Bujar Osmani dhe Admirim Aliti. Komisioni për resurse njerëzore do të udhëhiqet nga zv.kryeministrja Sllavica Grkovska, ndërsa anëtarë do të jenë Fatmir Bytyqi, Fatmir Besimi, Bekim Sali, Jovana Trençevska, Admirim Aliti, Goran Milevski dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Në Komisionin për emërime dhe të emëruar është kryetar zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, ndërsa anëtarë do të jenë Artan Grubi, Fatmir Besimi, Lupço Nikollovski, Oliver Spasovski dhe Naser Nuredini. Në Komisionin për çështje banesore do të jetë Bllagoj Boçvarski, ndërsa në krye të Komisionit për privatizim do të jetë Kreshnik Bekteshi.

Martin Popov do të jetë shef i kabinetit të kryeministrit.

U caktua seancë konsultative me Shtabin e krizës për menaxhim të pandemisë në lidhje me vazhdimin e vitit shkollor. Mbledhja pritet të mbahet sot në ora 20:00, ku në konsultim me Komisionin për sëmundje ngjitëse do të bisedohet për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë në shkolla fillore dhe të mesme.

Shtabit koordinativ të përgjithshëm të krizës për pasojat e krizës i vazhdohet mandati, derisa në krye të saj do të jetë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button