Nesër në Shkup do të takohet kryeministri i ri i Bullgarisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut

Kiril Petkov, kryeministri i ri i Bullgarisë do të realizojë vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku do të pritet edhe nga kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Delegacioni bullgar përfshin ministren e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Nikollaj Sibev dhe nënkryetarin e Asamblesë kombëtare Kristian Vigenin.

Delegacioni i Bullgarisë fillimisht do të zhvillojë takime me ekipin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të vazhduar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferin.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button