fbpx

Kundërspin: Çmimet e larta të importit të gazit nuk lidhen me aftësitë negociuese të qeverisë

Spin është pretendimi i VMRO-DPMNE-së se qeveria nuk ka ofruar çmime të ulëta të gazit, ndryshe nga “të gjitha qeveritë në rajon dhe në botë”. Çmimi i gazit natyror nga importi varet shumë pak nga aftësitë negociuese të qeverisë, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Goran Lefkov

Partia politike VMRO-DPMNE në një komunikatë të publikuar në faqen e tyre zyrtare më 13 janar 2022, pohon se Qeveria nuk ka arritur të sigurojë gaz më të lirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Spin: Nëse qeveria e Zaevit dhe pionit Kovaçevski do të ishte përpjekur të siguronte tregun ndërkombëtar si të gjitha qeveritë në rajon dhe në botë për të ofruar gaz të lirë, kompanitë dhe qytetarët në Maqedoni nuk do të paguanin tani ngrohje më të shtrenjtë. Qytetarët tani paguajnë më shumë për ngrohjen sepse qeveria nuk ka siguruar çmime të ulëta të gazit, kur qeveritë e tjera e kanë bërë.

[Burimi: faqja e VMRO-DPMNE, data: 13.01.2022]

Kundërspin: Ky pohim është spin për dy arsye:

Arsyeja e parë është se gazi në Maqedoninë e Veriut vjen nga Rusia. Shteti nuk ka qasje alternative në gazsjellës. I gjithë gazi në vend arrin përmes gazsjellësit nga Kriva Pallanka, i cili ka kapacitet prej 800 milionë metra kub gaz në vit. Vendi është 100 për qind i varur nga gazi rus. Një pjesë e vogël e ndërmarrjes komunale “Strumica Gas” ka mundësi të sjellë kamionë nga Petriç, por edhe ai është gaz rus.

Federata Ruse e përdor gazin si mjet presioni diplomatik ndaj vendeve euroatlantike të orientuara. Komisioni Evropian, në studimin e tij “Energjia si mjet i politikës së jashtme të vendeve autoritare, në veçanti Rusia“, thotë se Rusia përdor burimet e energjisë për të mbrojtur dhe promovuar interesat dhe për të shtrirë ndikimin e saj gjeopolitik në vende të tjera. Maqedonia e Veriut është një vend veçanërisht i përshtatshëm për Rusinë për të praktikuar çmime të larta të gazit për disa arsye.

Njëra prej tyre është edhe për shkak të përkushtimit të fuqishëm euroatlantik të qytetarëve, pas çka vendi tashmë është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë situatë, pala maqedonase nuk ka shumë hapësirë ​​për manovrim në negocimin e çmimit të gazit me Rusinë.

Arsyeja e dytë për çmimin e lartë të gazit rus në Maqedoninë e Veriut është përdorimi i ulët i tij.

Sipas raportit të fundit vjetor të Komisionit Rregullator Energjetik për vitin 2020, në faqen 92 bëhet e ditur se në vend janë transferuar 338 milionë metër kub gaz. Në të njëjtën kohë, Gjermania konsumoi 120 miliardë metra kub gaz, Turqia rreth 60 miliardë metra kub gaz dhe Serbia 2 miliardë metra kub gaz. Gjermania konsumon 1450 metra kub gaz për kokë banori, Turqia 731, Serbia 280, ndërsa Maqedonia e Veriut konsumon 180 metra kub gaz për kokë banori në vit.

Një arsye tjetër shtesë është se tubacioni përfundon në Maqedoninë e Veriut nuk ka vazhdim për shembull në Kosovë dhe Shqipëri, kështu që vendi nuk është në gjendje të kalojë tranzit gaz përmes tij dhe të ketë pozicion më të mirë negociues me monopolin shtetëror rus për eksportin e gazit “Gazprom”.

Ndryshe nga Serbia, ku “Gazprom” është pronari shumicë i Industrisë Serbe të Naftës (ISN) dhe “Srbija Gas”, pronarë të kompanive të gazit në vend janë, shteti dhe Makpetrol. Kjo është arsyeja pse Serbia, pas Bjellorusisë, ka çmimin më të ulët të gazit në Evropë.

Edhe pse çmimi i gazit, për të cilin është arritur marrëveshje me partnerët rusë, është sekret, sërish për Maqedoninë e Veriut, ai çmim ka qenë gjithmonë 5 deri në 10 herë më i shtrenjtë për dallim nga Bjellorusia apo më herët Ukraina. Në vitin 2009, çmimi për Maqedoninë e Veriut ishte rreth 400 dollarë për 1000 metër kub gaz, ndërsa në Ukrainë ishte vetëm 40 dollarë.

Në komunikatën e VMRO-DPMNE-së ka një gabim material ku thuhet: “Ajo diferencë prej minimum 500 euro për metër kub gaz më shumë, nëse negociohej në kohë nuk do të ishte në kurriz të popullit dhe buxhetit“. Çmimet e dakorduara nga shtetet janë shprehur në 1000 metër kub gaz, e jo siç thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së “minimumi 500 euro për metër kub”. Çmimi 500 euro i referohet 1000 metër kub, jo 1 metër kub.

Prandaj, deklarata se qeveria me paaftësinë e saj për të siguruar gaz të lirë për qytetarët është spin, sepse edhe pse zyrtarisht-ligjërisht qeveria ka marrëveshje për çmimin e gazit me rusët, megjithatë roli dhe ndikimi i saj në çmim, për arsyet e mësipërme është shumë i vogël. Më shumë bëhet fjalë për tentim për ndikim nga pala ruse mbi situatën gjeopolitike në rajon, sesa negociata reale ekonomike përmes të cilave pala maqedonase do të kishte ndonjë ndikim në çmim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button