Monitorimi dhe të dhënat – mjeti i vetëm për menaxhimin e duhur të burimeve ujore

Dr. Slaven Conevski, Todor Conevski, Prof. Dr. Svetislav Krstiq
Dr. Slaven Conevski, Todor Conevski, Prof. Dr. Svetislav Krstiq

Shfrytëzimi dhe kapaciteti i saktë i burimeve ujore në vendin tonë është i pamundur të llogaritet me saktësi për shkak të mungesës së matjeve të vazhdueshme hidrologjike dhe monitorimit të cilësisë së ujit.

Vetëm 2% e territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është nën sipërfaqe ujore. Në territorin e vendit ka më shumë se 65 lumenj, 3 liqene të mëdhenj natyrorë (i Ohrit, Prespës dhe Dojranit) dhe të paktën 40 liqene më të vegjël natyrorë dhe rreth 120 liqene artificiale. Sipas sasive, Maqedonia e Veriut i përket zonave me burime të kënaqshme ujore, por një meshpërndarje të pabarabartë territoriale. Megjithëse ekzistojnë disa të dhëna të caktuara, shfrytëzimi dhe kapaciteti i saktë i burimeve ujore në vendin tonë është i pamundur të llogaritet me saktësi për shkak të mungesës së matjeve të vazhdueshme hidrologjike dhe monitorimit të cilësisë së ujit.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologike, numri i përgjithshëm i stacioneve hidrologjike të regjistruara për matjen e rrjedhës së ujërave sipërfaqësore është 110, ndërsa për ujërat nëntokësore 115 stacione. Nëse ky numër do të vendosej në korrelacion me numrin e përgjithshëm të trupave ujorë, arrihet në përfundimin se ai është më pak se një stacion matës për trup ujor. Për krahasim, raporti i stacioneve matëse dhe trupave ujorë në Itali është rreth dy herë më i lartë, kurse në Norvegji është më shumë se pesë herë.

Mungesa e të dhënave hidrologjike – pengesë për zbatimin e Direktivës Kornizë Evropiane për Ujërat

Numri i pamjaftueshëm i matjeve, si dhe përpunimi jo i rregullt paraqet një pengesë serioze në zbatimin e Direktivës Kornizë të BE-së për Ujërat dhe direktivave shoqëruese dhe përkatëse të saj (për shembull, Direktiva për mbrojtjen e ujërave nëntokësore nga ndotja dhe prishja e cilësisë, Direktiva për menaxhimin e cilësisë së ujërave të larjes, etj), të cilat në masë të madhe janë integruar dhe përafruar në Ligjin tonë për Ujërat. Megjithatë, deri më sot, nuk është krijuar një sistem adekuat i matjes dhe grumbullimit/ruajtjes së të dhënave sasiore dhe as nuk ka monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së ujit në trupat ujorë në terren.

Një interpretim i thjeshtë i një pjese të Direktivës Kornizë të Ujërave (DKU) do të ishte: i) njësia e territorit në të cilën planifikohet menaxhimi i burimeve ujore është një pellg lumi/liqeni, dhe, ii) të gjithë trupat ujorë në territorin e RMV-së, në një kohë të shkurtër, në raport me gjendjen (e keqe) ekzistuese, të përmirësojnë statusin – në një kategori më të lartë cilësore. Kështu, nëse ujërat e liqenit të Prespës dhe të gjitha degët në pellgun e liqenit përcaktohen si ujëra të cilësisë së dobët-mesatare, bazuar në hulumtimet e mëparshme shkencore dhe të thelluara, me masa të përcaktuara me ekspertizë duhet të sillet në nivelin e një kategorie më të lartë të cilësisë së ujit – të mirë.

Një problem specifik në përcaktimin e masave në plan është numri i pamjaftueshëm i të dhënave për prurjet e ujit në degë, cilësinë e ujit në lumenj dhe vetë liqenin, por edhe konsumi dhe pompimi i ujit vaditës nga përdoruesit vendas bujqësor dhe ata industrial. Plani për menaxhimin e basenit të Liqenit të Prespës ka pësuar përmirësimin e dytë – i vetmi në rajonin e Ballkanit. Deri më tani janë bërë versionet bazë të planeve të menaxhimit të baseneve lumore/liqenore, por ende nuk është vërejtur asnjë përmirësim edhe pas 6 vitesh, aq sa është vlefshmëria e një plani të tillë sipas Direktivës Kornizë për Ujërat. Megjithatë, zbatimi i përpiktë i masave të përcaktuara, deri më sot, nuk është në nivel të kënaqshëm.

Të dhënat si mjet bazë dhe kryesor në menaxhimin e burimeve ujore

Informacionet ekzistuese (rrjedha e ujit, cilësia e ujit, niveli i ujit, niveli i ujërave nëntokësore, etj.) dhe mënyra aktuale e grumbullimit, ruajtjes, formatimit dhe përpunimit të tyre, nuk janë të mjaftueshme për analiza të mëtejshme statistikore dhe hidrologjike, veçanërisht për periudha më të shkurtra ( p.sh. orë/ditë), të cilat nga ana e tyre janë të nevojshme për modelimin e proceseve stokastike, siç janë ndryshimet klimatike. Nëse këtu përfshijmë edhe vjetërsimin e harduerit dhe softuerit përkatës dhe/ose nevojën për të monitoruar arritjet evropiane dhe botërore në këtë fushë, por edhe mungesën e ekspertëve shumë të profilizuar të kësaj fushe (janë shumë pak dhe të pamjaftueshëm në DPH dhe universitete, veçanërisht në Universitetin Qirili dhe Metodiu), nevoja për ndezjen e alarmit në këtë sferë/veprimtari është evidente.

Interesant është fakti se ka shumë studime dhe raporte që tregojnë nevojën për menaxhim dhe planifikim të duhur të ujit, ku renditen një sërë masash, por një analizë e detajuar e zbatimit të tyre nuk ekziston. Në shumë raste situata është komplekse dhe masat e bashkëngjitura nuk mund të zbatohen në praktikë. Për shembull, restaurimi i një shtrati lumi kërkon të dhëna hidrologjike nga disa vendndodhje në zonën e ujëmbledhësit, si dhe matjet e rrjedhës pas çdo dege të rëndësishme.

Të dhënat shtesë për vegjetacionin, faunën dhe gjithë sistemin ekologjik janë gjithashtu të nevojshme. Nëse ka nevojë për informacion mbi sedimentin dhe erozionin në pellgun ujëmbledhës, kompleksiteti bëhet edhe më i madh, veçanërisht duke pasur parasysh mënyrën frustruese të vështirë të matjes së sedimentit të lumit ose erozionit të pellgut ujëmbledhës. Vëllimi i të dhënave të tilla është i madh dhe duhen të paktën 50 vjet për analiza të kënaqshme dhe projektimin e duhur të sistemit. Në Maqedoninë e Veriut, ndoshta nuk ka asnjë lumë për të cilin të gjitha këto informacione të nevojshme janë në dispozicion. Me fjalë të tjera, sfidat dhe problemet e përmirësimit të menaxhimit dhe përdorimit të cilësisë së ujit në vendin tonë, për fat të keq, analizohen vetëm sipërfaqësisht dhe shumë prej zgjidhjeve bazohen në supozime ose empirizëm të papërshtatshëm (p.sh. formula të nxjerra nga laboratori).

Shpërndarja e pabarabartë e burimeve ujore, si dhe konsumi i pakontrolluar kontribuojnë në presion shtesë mbi sistemet mjedisore, gjë që e ndërlikon më tej menaxhimin dhe planifikimin e tyre. Këtu përfshihet problemi i ujërave të zeza ku rrjeti i pakënaqshëm i monitorimit pengon menaxhimin e duhur. Për shembull, vetëm 5% e ujërave të zeza në Maqedoninë e Veriut trajtohen siç duhet përpara se të derdhen në lumenj ose liqene. Kjo shifër është jo vetëm dështuese, por ndoshta edhe më e ulët, sepse saktësia nuk është analizuar plotësisht dhe nuk është e disponueshme për publikun. Për krahasim, Direktiva e BE-së për ujërat e zeza kërkon trajtimin parësor dhe dytësor të ujërave të zeza për zonat me më shumë se 2000 banorë ekuivalent.

Konkluzioni i deklaruar se ujërat e zeza trajtohen minimalisht pasqyrohet qartë në raportet e ekipeve të ekspertëve shkencorë (DPH, Cilësia e ujit në Rashçe, Nerezi-Lepenc dhe Fusha e Shkupit, 2009-2010; AS, 2014-2015; Partners, 2016), por jo në raportet vjetore zyrtare, madje të fundit të Drejtorisëpër Punë Hidrometeorologjike. Gjegjësisht, pikat e shumta matëse të analizuara në kuadër të këtyre projekteve tregojnë se rajoni dominohet nga kategoria e katërt dhe e pestë e cilësisë së ujit në ekosistemet e lumenjve të studiuar, ndërsa kategoritë e tjera që tregojnë ujëra më të pastër janë mjaft të rralla. Kjo situatë e krijuar tregon për presionin e vazhdueshëm mbi ekosistemet e lumenjve që janë rezultat i ujërave të zeza komunale dhe industriale të keqtrajtuara ose të patrajtuara.

Gjendja e tre liqeneve natyrore dhe e shumicës së rezervuarëve në vend është gjithashtu alarmante. Janë të shumta botimet dhe projektet që tregojnë se pjesë, rajone të tëra ose sipërfaqja e përgjithshme e Liqenit të Prespës, si dhe pjesë të liqenit të Ohrit janë nën presion të madh nga eutrofikimi me origjinë nga pellgu dhe/ose zonat bujqësore (Inxhineringu Gjeoteknik, Përmirësimi i planit të menaxhimit të basenit të Liqenit të Prespës, 2016; Inxhineringu Gjeoteknik, Plani i menaxhimit të basenit të Liqenit të Prespës, 2011)Më e keqja është gjendja ekologjike me liqenin e Dojranit (REC, 2015, 2016; Mileukontakt, 2019; CEPF 2020-2021) për të cilin vazhdimisht konstatohet një shkallë e lartë eutrofikimi me rritje të shfaqjes së “florës ujore” të dëmshme të algave blu-jeshile, për të cilat konfirmohet edhe se janë toksike. Pra, monitorimi shtetëror i liqeneve dhe rezervuarëve natyrorë bazuar në Direktivën Kornizë të Ujërave nuk ekziston fare, ose zhvillohet në mënyrë kaotike në periudha dhe jashtë, në kundërshtim me ose nuk ndjek metodologjitë e propozuara dhe kontrollin e rezultatit në përputhje me ligjet vendase dhe DKU.

Ka nevojë për një monitorim të vazhdueshëm

Është evidente se çdo aktivitet në drejtim të menaxhimit të pellgut ujëmbledhës bazohet në thelb në të dhënat përkatëse, të sakta dhe të verifikuara të marra nga aplikimi i sistemeve të ndryshme të monitorimit të postuluara në direktivën evropiane dhe legjislacionin vendas. Deri më sot, në Maqedoninë e Veriut, nuk është krijuar një sistem adekuat i monitorimit të trupave ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë. Është pasojë e problemeve të shumta, por mbi të gjitha e personelit të pamjaftueshëm, mungesës së mbështetjes financiare, interesit nga shteti, si dhe një sistemi monitorimi të ndërtuar siç duhet, ku marrin do të merrnin pjesë praktikuesit (DPH) dhe komuniteti akademik si kontrollues i metodës. Kurse, aplikimet dhe rezultatet e marra nga monitorimi të bazohen në njohuritë aktuale shkencore.

Pamundësia për vlerësim të detajuar (p.sh. për shkak të mungesës së të dhënave) të sasive ujore në dispozicion, shkalla e shfrytëzimit të tyre dhe cilësia e tyre redukton mundësinë për përgatitjen dhe zbatimin e planeve dhe strategjive të detajuara për menaxhim më të mirë të burimeve ujore. Në të njëjtën kohë, shpesh është pengesë për përgatitjen e aplikimeve të detajuara për projekte të sponsorizuara nga fondacionet ndërkombëtare, më së shpeshti nga BE-ja ose Banka Botërore, megjithëse këtu kryesojnë Qeveria e Konfederatës Zvicerane përmes Sekretariatit të saj Shtetëror për Çështjet Ekonomike ( SECO) dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Gjetje të ngjashme u prezantuan në një konferencë shtypi të fundit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike duke theksuar nevojën për fonde dhe burime njerëzore (aktualisht punojnë vetëm tetë persona, kurse buxheti është vetëm 8,000 euro në vit), si dhe përmirësim të përgjithshëm të të gjithë rrjetit të monitorimit në Maqedoni.

Në Konferencën e fundit Evropiane për Ujërat, në vitin 2018, u prezantuan pikat më të rëndësishme të Direktivës, si dhe progresi i Bashkimit Evropian në drejtim të zbatimit të masave dhe objektivave të direktivës. Në konferencë u theksua se ka një stagnim dhe vonesë në zbatimin e synimeve të përcaktuara në periudhën e mëparshme (zbatimi i tyre në vitin 2025). Për më tepër, u theksua se ndryshimet klimatike, si dhe qasja joholistike ndaj menaxhimit të burimeve ujore janë arsyet kryesore të këtij stagnimi në nivel evropian. E ashtuquajtura qasje holistike do të thotë “source control (kontroll i burimit)” (p.sh. gjetja e burimit të ndotjes ose varfërimit të ujit dhe gjetja e një zgjidhjeje parandaluese), e jo qasje “end of pipe” për zgjidhjen e problemeve (për shembull, problemi i mungesës ose ndotjes së ujit zgjidhet me prurje artificiale ose trajtim dhe pastrim të vetë vendit). Kjo kërkon një rrjet të detajuar monitorimi dhe krijimin e një metodologjie multidisiplinare (duke përfshirë të gjithë palët me interes) në zgjidhjen e problemeve të burimeve ujore.

Praktikat e mira nga vendet e Evropës Perëndimore për monitorimin e burimeve ujore dhe zgjidhjen e problemeve klimatike në analizat hidrologjike

Hapi i parë është planifikimi dhe zbatimi i një rrjeti të ri monitorues për matjen e vazhdueshme të të gjitha të dhënave të nevojshme hidrologjike dhe cilësore, si dhe përgatitja e bazës së të dhënave të disponueshme për sektorin privat dhe publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në Norvegji, për shembull, aplikacioni NVE atlas është zhvilluar për të vizualizuar të gjitha stacionet matëse dhe të dhënat e disponueshme për çdo lumë dhe zonë ujëmbledhëse. Përveç të dhënave historike, është e mundur të monitorohet edhe situata aktuale në disa nga stacionet – Xgeo.

Në përgjithësi, sistemi i monitorimit të burimeve ujore në Norvegji është gjithnjë e më i rëndësishëm dhe ndahen fonde të mëdha për financimin e rrjetit të monitorimit, megjithëse konsiderohet një vend me një sasi shumë të kënaqshme të ujit. Në të njëjtën kohë, përdoruesit privatë janë të detyruar ligjërisht të bëjnë matje dhe të fusin të dhënat në bazën e të dhënave. Në Itali ekziston edhe një portal për shkarkimin e të dhënave hidrologjike – Portale dei dati idrologici, por ai nuk është plotësisht i disponueshëm dhe nuk është aq i detajuar sa në vendet skandinave. Portale të ngjashme po zhvillohen në të gjitha vendet evropiane si një nga hapat më të rëndësishëm për të trajtuar mungesën e ujit në të ardhmen.

Ndryshimet klimatike në Itali përfshihen në të gjitha planet e detajuara (për shembull, rregullimi i liqenit të Komos dhe të gjitha pellgjet ujëmbledhëse në Lombardi, Italia Veriore), ku përdoren qasjet më të fundit për të optimizuar përdorimin e ujit. Për shembull, rregullimi i nivelit të ujit të Liqenit të Komos bazohet në një numër skenarësh që përfshijnë ndryshimet klimatike për 100 vitet e ardhshme. Në Norvegji, nga ana tjetër, ekziston një rregullore ku ndryshimet klimatike duhet të merren parasysh në çdo studim apo projekt. Për analiza dhe studime më të thjeshta, propozohet një rritje në përqindje e prurjeve në varësi të madhësisë dhe vendndodhjes së pellgut ujëmbledhës në Norvegji.

Nga aspekti i ndryshimeve klimatike, situata në Maqedoninë e Veriut është shumë më alarmante. Ndryshimet klimatike nuk përfshihen fare si një element i domosdoshëm në menaxhimin e burimeve ujore (p.sh. korrigjimi i përqindjes së rrjedhës për planifikimin e pellgjeve lumore). Qasja “End of pipe” është ende metoda më e pranishme, siç dëshmohet nga një sërë ngjarjesh nga e kaluara e afërt, si situata me Liqenin e Prespës. Dhe vetëm pak muaj më parë, madje në vitin 2021, u promovua një portal për monitorimin publik të burimeve ujore, por nga i cili nuk është i mundur shkarkimi i të dhënave të detajuara.

Shembujt e mësipërm tregojnë se problemi i menaxhimit të burimeve ujore si ulja e ndikimit të ndryshimeve klimatike, duhet sa më parë të bëhet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përmirësimi i rrjetit mbarëkombëtar të monitorimit është hapi i parë në identifikimin dhe gjetjen e problemeve. Rritja e vëllimit të të dhënave dhe matjeve do të kontribuojnë në zhvillimin më efektiv të planeve dhe strategjive të menaxhimit, por edhe zgjidhje të shpejtë, efikase dhe të përhershme të problemeve të burimeve ujore.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button