ESTETIKA DHE PËRSHPIRTËSIA

Jeta jonë është ngushtë e lidhur me të bukurën, estetikën dhe artin si “porosi” (Schoen), si “frymëzim” (An & Youn), si  “imitim dhe përfaqësim” (Platoni), si “mjet për përcjellje të ndjenjave” (Tolstoi), si “shprehje e intuitës” (Croce), si “sistem kulturor” (Geertz), si “pasqyrim i identitetit” (Long), ose si “akt politik” (Caruso). Vepra E bukura dhe islami (Logos-A, 2020) është një tekst që shpalos përmasat e estetikës së mendimit klasik islam në dritën e teorive bashkëkohore, që elaboron perspektivat e artit dhe arkitekturës islame, shoqëruar me shembuj nga Kur’ani dhe Alhambra grandioze, me reflektime nga  artistë dhe filozofë të kohës moderne. Autore është Valérie Gonzalez (1960), një shkollare me renome, e doktoruar në shkencat humane dhe e specializuar në çështjet e botës arabe pranë Université d’Aix–en–Provence, studiuese e historisë së artit islam, estetikës e kulturës vizuale, me përvojë nga Instituti i Studimeve të Avancuara (Princeton), ligjëruese e historisë së arkitekturës dhe planifikimit të qytetit islamik në Shkollën e Arteve të Bukura të Marseille-Luminy, profesoreshë në Leighton House Museum. Repertori i publikimeve të Gonzalez-it përfshin edhe veprat Emaux d’al–Andalus et du Maghreb (“Smaltet e Endelusit dhe Magrebit”, Edisud, 1994) La Pensée de l’art dans le Coran (“Mendimi i artit në Kur’an”, Albin Michel, 2002).

Pesë esetë e këtij libri na mësojnë se teoria estetike islame duhet të trajtohet brenda një konteksti më të gjerë të mendimit paralel mbi teologjinë, etikën, fizikën dhe metafizikën. Punimi në fjalë, me një qasje ahistorike ndaj artit (Robinson, 2002), përfshin gjerësinë dhe thellësinë e përvojës, të kuptuarit dhe formulimin e bukurisë së vështruar nga syri islamik, që nga punimet e filozofëve të mëdhenj si Ibn Sina, Ibn Rushdi, Ibn Hazmi, duke e sintetizuar me botën ideore të Bachelard-it, Goodman-it, Derrida-së, Husserl-it dhe Wittgenstein-it. Gonzalez-i nuk mjaftohet vetëm me teorinë e të bukurës në islam. Ajo shqyrton edhe përmasën aplikative të saj në kontekstin e civilizimit islam. Duke e ndërtuar diskursin e vet mbi atë të M. G. Vilchez-it (1997), ajo shpjegon se si arti islamik, i studiuar tradicionalisht nga këndvështrimet historike, sociologjike dhe përshkruese, mund të pasurohet me aplikimin e teorisë estetike dhe fenomenologjike.

Në kapitullin e parë të këtij vëllimi Gonzalez ekzaminon disa aspekte të konceptit të së bukurës dhe antipodin e saj, shëmtinë, në mendimin klasik arab, duke nënvizuar se estetika, si një fushë filozofike, ka baza në mendimin mesjetar islamik. (iis.ac.uk, 2020) Kapitulli i dytë merret me mitin e Sulejmanit si një paradigmë estetike, kurse i treti me përmasat estetike të pallatit Nasirit të Alhambrës në dritën e fenomenologjisë, duke e shenjuar Kupolën e Kamares si metaforë vizuale. Kapitulli në vijim zbërthen gjeometrinë si një temë artistike në kulturën islame, me ndërthurjen gjeometrike të Alhambras në rrafshin figurativ, kinetik dhe vizual, që ofron diçka më tepër se kënaqësia. Ndërkaq pjesa e fundit trajton mbishkrimet në artin figurativ dhe qeramikat, pra sistemin artistik të tyre si medium vizual brenda traditës islame. Teksti ngërthen edhe analizë profesionale të objekteve, si enët metalike, shkrimet historike (Taberiu), letrare (Hariri, Nizami) e të ngjashme.

Kjo vepër, e cilësuar si “emblemë e një epoke të re në fushën e artit islamik”, bashkë me veprën Estetika islame të  Ajvazogllut (2009), Arti i Islamit: Gjuha dhe Kuptimet  i Titus Burchkardt-i (2012), Çështje të estetikës të autorëve Cometti, Mourizot dhe Pouivet (2020), përbëjnë një kolanë të rëndësishme të Logos-A ofruar  komunitetit lexues dhe akademik, që merret me të bukurën dhe artin. Shpresojmë që me keto vepra po hapen shtigje të reja në trajtimin e estetikës si disiplinë me vlerë për kultivimin dhe kulturizimin e individit dhe shoqërisë në një kohë kur kemi shpërfaqje eksponenciale të shëmtive e antivlerave në përditshmërinë tonë dhe, si kurrë më parë, kemi nevojë për të bukurën, artin dhe estetikën, në veçanti për ato të proveniencës spirituale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button