Petkov për MIA-n: Punën duhet ta kryejmë vetë, e jo të presim që dikush të na shpëtojë apo të na ndihmojë

Me një dialog konstruktiv, të ecim përpara, pasi për mua fqinjësia e mirë është e një rëndësie të madhe për Bullgarinë, për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit”, tha kryeministri bullgar Kiril Petkov në një intervistë për MIA-n para vizitës së tij në Shkupi nesër, transmeton Portalb.mk.

“Me të vërtet besoj se sa më shumë të punojmë së bashku, sa më shumë të jemi të lidhur, sa më shumë qytetarët tanë të komunikojnë me njëri-tjetrin, të vendosin bashkëpunim biznesor, do të jetë aq më mirë”, tha Petkov, duke shtuar se në vend të deklaratave dhe fjalimeve politike, duhet t’i përveshim mëngët dhe të kryejmë shumë punë së bashku.

Kryeministri bullgar thekson se kjo është arsyeja që menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Dimitar Kovaçevskit viziton vendin për të krijuar komunikim të vazhdueshëm dhe për të arritur përparim.

“Nuk dua që vetëm politikanët të vijnë dhe të flasin, kur flas për ekonominë dua të shoh të gjitha kompanitë tona që duan dhe kanë interes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha kompanitë nga vendi juaj që kanë interes në Bullgari. Në atë takim politikanët nuk janë të nevojshëm, në atë takim duhen njerëz që duan të punojnë, të bëjmë biznes bashkë”, tha Petkov dhe theksoi se duhet të punojmë për të gjitha ato çështje që nuk kemi mundur t’i zgjidhim për 30 vjet.

Ai thekson se nuk dëshiron të flasë vetëm për atë që duhet bërë, por se të dy vendet të punojnë së bashku për realizimin e projekteve konkrete.

“Tani e tutje le t’i numërojmë rezultatet që do t’i realizojmë së bashku”, shtoi Petkov në intervistë.

Sipas tij, pesha e disa problemeve varet nga konteksti në të cilin janë vendosur dhe nëse mund të përcaktojmë saktësisht se cilat janë ato probleme dhe nga vijnë, atëherë zgjidhja e tyre bëhet më e lehtë.

Petkovi theksoi se Ballkani si rajon ka potencial të madh për të qenë i pasur, duke pasur parasysh afërsinë me tregun evropian, vendin pjellor, vendet e mira për turizëm, por megjithatë është në nivel të ulët në Evropë sa i përket zhvillimit ekonomik, para së gjithash për shkak të korrupsionit.

“Duhet t’i pastrojmë të gjithë ata që fitojnë në kurrizin e popujve tanë. Sepse ka një grup të vogël njerëzish që fitojnë para përmes korrupsionit në kurriz të gjithë të tjerëve. Edhe unë mendoj se janë pjesë e elementeve destruktive që janë të lidhura dhe që shtrojnë pyetjen nëse fqinjësia e mirë mes dy vendeve është apo jo e mirë. Shumë nga të njëjtat grupe janë gjithashtu të lidhura me korrupsionin e brendshëm në vende. Dhe mendoj se nëse së bashku mund t’i themi: JO korrupsionit, JO diskriminimit, JO mosrespektimit të të drejtave të njeriut, PO fqinjësisë së mirë, PO lidhjeve të përbashkëta, PO ekonomisë së përbashkët dhe t’i vendosim në atë kuadër, në dialogu do të jetë shumë më i shpejtë dhe njerëzit që nuk i kanë zgjedhur këto pozicione do të na kuptojnë shumë më mirë. Kështu, nëse arrijmë ta bëjmë bashkë, mendoj se do të jetë shumë më e dobishme për të dyja vendet”, tha Petkov dhe shtoi se kur flasim për korrupsion nuk duhet të presim që dikush të na shpëtojë apo të na ndihmojë, por duhet ne vetë ta mbarojmë punën.

Kryeministri bullgar në intervistë për MIA-n, ka folur edhe për pritjet nga vizita në vend, presionet ndaj Sofjes për zgjidhjen e kontestit.

Ai thotë se në Shkup vjen vetëm me ton konstruktiv dhe gatishmëri për të filluar punën së bashku, se nuk ka asnjë dokument të përgatitur pasi sipas tij të gjitha ato dokumente nuk kanë kuptim, nëse nuk u jepet motivim real se duhet të përfundojmë punën.

“Unë sugjeroj që t’i lëmë dokumentet si hap të dytë dhe të fillojmë së pari, që të ketë diçka për të cilën do të shkruajmë në dokumentin e ardhshëm. Këtu, detyra është të bëjmë një program, të bëjmë grupet e punës, të fillojmë dialog, të kemi ndjenjë besimi reciprok dhe të ketë qëllime të mira nga të dyja palët dhe të vendosim synime, të cilat duam t’i arrijmë për periudhë maksimalisht të shkurtër”, thotë Petkov për këtë çështje.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button