Kiril Petkov: Radev nuk mi lidh duart për qasje të re me Maqedoninë e Veriut

Kryeministri bullgar Kiril Petkov, në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në Alsat, mohon se me konkluzionet e mbledhjes së fundit të Këshillit konsultativ të sigurisë kombëtare, presidenti Rumen Radev, në fakt ia ka lidhur duart dhe e ka zbutur entuziazmin e Petkovit për qasje të re në dialogun me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Jo, përkundrazi. Ajo që ndodhi në Këshillin Konsultativ është se të gjitha palët dhe presidenti Radev u bashkuan rreth kësaj qasjeje të re, në fakt konfirmuam qëndrimin ekzistues të Bullgarisë, por në të njëjtën kohë vendosëm tonin për hapat e ardhshëm që duhet të ndodhin. Prandaj, nga ai këndvështrim, ajo platformë e përgjithshme më mundësoi që të më jepet edhe mandat i qartë dhe konkret për hapat e ardhshëm që duhet t’i bëjmë së bashku, sepse në Këshillin Konsultativ të gjitha partitë parlamentare morën pjesë”, tha Petkov.

I pyetur se kush do ta ketë stafetën në dialogun me Shkupin, ai apo presidenti Radev, kryeministri bullgar përgjigjet:

“Në fakt, këtu nuk ka stafetë. Kemi plan të qartë për veprim dhe ajo që vërtet varet nga ajo se sa mirë dhe sa shpejt lëvizin gjërat do të bazohet në rezultatet reale të arritura”, tha Petkov.

Kjo është vetëm një segment i bisedës me kryeministrin bullgar në prag të vizitës së tij në Shkup, në të cilën hapen aspekte të tjera të rëndësishme të çështjeve të hapura mes dy vendeve dhe perspektivës së mbylljes së tyre.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button