Shkupi ende nuk ka sistem për biçikleta me qira si transport alternativ

Në kushtet e numrit rekord të automjeteve të regjistruara nëpër rrugët e Shkupit dhe rënies së vazhdueshme të numrit të udhëtarëve që transportohen me transportin publik, në Shkup për të katërtin vit radhazi nuk funksionon sistemi për marrjen me qira biçikleta, me të cilin ka menaxhuar NP “Parkingu i qytetit”, transmeton Meta.mk.

Me projektin e dikurshëm “Shkup- merr biçikletë me qira”, në disa nga parkingjet e kryeqytetit, qytetarët mund të merrnin me qira biçikletat publike me letërnjoftime dhe pagesë me para të gatshme. Megjithatë, ky sistem nuk ia doli që gjatë viteve të funksionimit të shndërrohet në alternativë serioze për transport, që do të mund të përshtatej në sistemin e transportit publik.

Gjatë tri viteve të fundit të funksionimit të sistemit, në periudhën 2015-2017, të hyrat nga marrja e biçikletave me qira nëpërmjet NP “Parkingu i qytetit” ishin prej 9.000 deri në 20.000 denarë në vit, që tregon se interesimi i qytetarëve për shfrytëzimin e tij ka qenë tepër i ulët.

Kryetarja e re e Shkupit Danela Arsovska në fushatën zgjedhore, për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, premtoi se do të kthejë sistemin për dhënie të biçikletave me qira në Shkup, që do të modernizohej me aplikacion modern për të marrë biçikleta me qira, si dhe parimi i njëjtë do të përdorej edhe për dhënie me qira të trotineteve elektrikë. Ky premtim për zhvillimin e çiklizmit në Shkup u postua në Facebook faqen e saj më 6 tetor, pak ditë para zgjedhjeve lokale.

Meta.mk të hënën dërgoi pyetje deri te Qyteti i Shkupit nëse planifikojnë të realizojnë premtimin e dhënë për futjen e sistemit të automatizuar për dhënien të biçikletave dhe skuterëve elektrikë me qira në Shkup, por edhe nëse buxheti i qytetit për vitin 2022 parasheh mjete për realizim të një projekti të tillë. Gjithashtu pyetëm se kur do të nisë ndërtimi i këtij sistemi me qira, sa para do të nevojiten për realizimin e tij dhe kur do të bëhet e mundur për qytetarët ta shfrytëzojnë.

“Infrastruktura e biçikletave dhe inkurajimi i qytetarëve të përdorin biçikletat është një nga prioritetet kryesore të Qytetit të Shkupit në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Programi katërvjeçar parasheh përmirësim të sistemit të qiradhënies së biçikletave, me qëllim të realizimit të projektit “Shkup qytet biçikletash”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit.

Sa i përket çiklizmit, Qyteti i Shkupit për vitin 2022 ka siguruar 15 milionë denarë për subvencione për të blerë biçikleta, skuterë dhe automjete elektrike me dy rrota. Megjithatë, në përgjigjet e autoriteteve të qytetit nuk thuhet nëse janë parashikuar fonde për futjen e sistemit për biçikleta me qira në kryeqytet këtë vit. Meta.mk nuk ia doli të shqyrtojë në detaje Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2022, për shkak se i njëjti nuk është publikuar në ueb faqen e Qytetit të Shkupit, ndonëse është obligim ligjor që ta bëjnë këtë.

Printskrin nga 14 janari 2021 nga ueb-faqja e Qytetit të Shkupit ku duhet të publikohet buxheti i qytetit për vitin 2022; Foto: Meta.mk

Ndryshe, udhëheqësia e mëparshme e Shkupit e ndërpreu projektin “Shkup –merr biçikletë me qira”, i cili menaxhohej nga NP “Parkingu i qytetit”. Shpjegimi ishte, për shkak të interesimit të vogël të qytetarëve dhe procedura komplekse, që nuk ishte e automatizuar për marrjen e biçikletave me qira. Me këtë rast, autoritetet vendosën, që sistemin e ardhshëm për marrje të automatizuar me qira të biçikletave ta transferojnë  në NPT-Shkup, dhe marrja me qira e biçikletave do të përfshihej në sistemin e transportit publik.

Qyteti i Shkupit në vitin 2020 ka punuar në dizajnimin e sistemit të automatizuar për marrje me qira të biçikletave, sipas të cilit qytetarët me kartë krediti ose me SMS do të mund të marrin biçikletë publike, në një nga 30 pikat e planifikuara në Shkup, për të vozitur nëpër qytet me këtë mjet transporti dhe ta kthejeni në cilëndo pikë tjetër. Ideja ishte që të ngriheshin pika për qira biçikletash në vendet më të frekuentuara rreth Shkupit, në mënyrë që qytetarët të mund t’i kryenin punët e tyre me biçikletë, të bëjnë pazar, të shkojnë në shkollë ose të argëtoheshin.

Mirëpo, ky sistem nuk u fut në përdorim, ndërsa kryesia e mëparshme e qytetit sqaronte se duhej gjetur një zgjidhje optimale për implementim, e cila nuk do të përsërisë gabimet e NP “Parkingu i qytetit” prej para 10 vitesh, kur për shkak të prokurimit dhe furnizimit joadekuat projekti dështoi. Qyteti i Shkupit nëpërmjet NP “Parkingu i qytetit” në fillim të vitit të kaluar i nxjerri në shitje biçikletat e zakonshme, trotinetat dhe biçikletat elektrike që ishin blerë për t’u dhënë me qira nga projekte të mëparshme.

Meta.mk ka kohë që shkruan se Shkupi është një ndër kryeqytetet e pakta në Evropë që nuk ka sistem publik për marrje me qira të biçikletave dhe trotientëve. Për shembull, në Lubjanë sistemi i marrjes me qira të biçikletave “BicikeLJ” funksionon që nga viti 2011 dhe deri më sot ka mbi 60 pika dhe 600 biçikleta publike me qira dhe ora e parë e përdorimit të këtyre biçikletave në të gjithë Lubjanën është falas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button