Sulm masiv kibernetik në Ukrainë me një mesazh: “Kini frikë dhe prisni më të keqen”

Qeveria e Ukrainës mbrëmë vonë u godit nga një sulm masiv kibernetik, duke rrëzuar dhjetëra ueb-faqe të disa departamenteve qeveritare, lajmërojnë agjencitë botërore të lajmeve, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ndër institucionet qeveritare të goditura janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Arsimit, si dhe Ambasadat e Ukrainës në Britaninë e Madhe, SHBA dhe Suedi, shkruan “BBC”. Në fillim të sulmit, në ueb-faqet e hakuara u postua një mesazh në tre gjuhë – ukrainase, rusisht dhe polonisht.

“Ukrainas! Të gjitha të dhënat tuaja personale postohen në internetin publik. Kini frikë dhe prisni më të keqen. Kjo ka të bëjë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj”, ishte shkrimi në faqen e hakuar të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Shërbimet e sigurisë ukrainase informuan se sipas vlerësimeve fillestare, asnjë e dhënë personale nuk ka rrjedhur dhe as përmbajtja e faqeve ishte ndryshuar.

Si rezultat i sulmit masiv të hakerëve, faqet e internetit të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës dhe një sërë agjencish të tjera qeveritare përkohësisht janë jashtë funksionit.

Ndër objektivat e hakerëve ishte faqja e internetit Diia, një sistem kyç që përmban shërbime qeveritare që ruan të dhënat personale dhe certifikatat e vaksinimit të qytetarëve.

Nuk dihet ende se kush qëndron pas sulmit, por BBC shkruan se sulmet e mëparshme kibernetike kanë ardhur nga Rusia.

Zyrtarët thonë se është shumë herët për të nxjerrë ndonjë përfundim, por tregojnë për një histori të gjatë të sulmeve kibernetike ruse ndaj Ukrainës, të cilat erdhën pasi bisedimet e sigurisë midis Moskës dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve këtë javë përfunduan në qorr-sokak, shkruan “Guardian”. Rusia nuk ka komentuar ende për rastin.

Qeveria ukrainase është vënë nën presion të madh nga fqinji i saj, duke pas 100.000 trupa ruse të dislokuara pranë kufijve të saj.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Zhosep Borrell, tha se të gjitha burimet e BE-së janë mobilizuar për t’i ndihmuar Ukrainës të përballet me këtë lloj sulmi kibernetik.

Shërbimi i sigurisë i Ukrainës, SBU, tha se vetëm gjatë nëntë muajve vitin e kaluar kishte neutralizuar 1200 sulme ose incidente kibernetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button