fbpx

Qytetarët e Kumanovës ankohen se mungesa e transportit publik po i dëmton financiarisht

Komuna e Kumanovës, qytet me mbi 100.000 banorë, e filloi vitin 2022 pa transport publik, pasi që kompanive transportuese u kanë skaduar licencat për transport komunal. Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë sa më shpejtë të rikthehet transporti pasi që është e papërballueshme për xhepin e tyre, sidomos për ata që udhëtojnë në punë çdo ditë, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët e Kumanovës ankohen se po dëmtohen financiarisht pasi në vend që të udhëtojnë me autobus, detyrohen të udhëtojnë me automjete personale ose me taksi që u kushton shumëfish më shtrenjtë.

“Në këtë kohë krize ekonomike, ku mezi e përballojmë, doli tani problemi i transportit që ndikon në mënyrë direkte në xhepat tonë, sepse në vend të 20 denarëve për shfrytëzim të autobusëve, tani na duhet të paguajmë 100-150 denarë për taksi çdo ditë. Çdo vonesë në zgjidhjen e kësaj problematike na dëmton neve si qytetarë“, thotë për Portalb.mk qytetari Aleksander Spasovski.

“Është e pa përballueshme financiarisht sidomos për neve të punësuarit që duhet të udhëtojmë nga fshatrat përreth deri në vendin e punës, po ashtu është e vështirë të arrijmë në kohë të caktuar, për shkak të vonesave si pasojë e mungesës së transportit“, ankohet qytetari Toni Stefanovski.

Maksim Dimitrievski
Maksim Dimitrievski

Kryetar i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, sqarohet për Portalb.mk se janë në procedurë duke bërë përzgjedhjen e kompanive trasnportuese që kanë aplikuar në shpalljen e 14 dhjetorit të vitit 2021.

“Në afatin më të shkurtër të mundshëm, pas shqyrtimit të plotë të aplikimeve të paraqitura për transport publik dhe përcaktimit, para së gjithash, të parametrave mjedisorë dhe të sigurisë së mjeteve, të cilat ofrohen nga transportuesit, do të merren vendimet e duhura, me qëllim që qytetarët e Kumanovës të kenë transport publik, në përputhje me të gjitha standardet evropiane“, thotë Dimitrievski.

Ndryshe, Komuna e Kumanovës ka gjithsej 25 linja të autobusëve, ata transportojnë brenda qytetit dhe disa prej fshatrave përreth. Për dallim prej Qytetit të Shkupit, i cili ka Ndërmarrje Publike për Transport, Komuna e Kumanovës transportin publik e organizon nëpërmjet kompanive private. Sipas Komunës, transportin publik e shfrytëzojnë mbi 15.000 qytetarë, prej tyre 5.000 nxënës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button