Analizë: BDI më shumë vota gjatë 10 viteve,PDSH dy herë më shumë se në vitin 2009

Dalja e shtuar e zgjedhjeve të fundit u pasqyrua në të gjitha partitë politike shqiptare – më së shumti në BDI dhe PDSH si parti kryesore. Kjo shihet më së miri në Kërçovë dhe Strugë, ku ka dalje më të madhe krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2005, shkruhet në analizën e institutit Libertas. Pavarësisht mobilizimit etnik në këto dy komuna, edhe komunat tjera kanë dhënë mjaft befasi. Njëherazi, Struga i solli përparësi të dukshme PDSH-së, duke fituar më së shumti vota pas qytetit të Tetovës. Nga ana tjetër, BDI mbetet e rrënjëzuar në Çair, me mbështetje të shtuar në Gostivar dhe në Dibër, thuhet në analizë.

Analiza nuk e trajton cilësinë e zgjedhjeve, lëshimet objektive dhe legjitimitetin e procesit që shpesh herë kontestohet, të gjitha të dhënat bazohen në rezultatet e publikuara në ueb-faqen e Komisionit shtetëror zgjedhor. Mungesa e vazhdimësisë gjatë krahasimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale vjen si rezultat i mungesës të të dhënave zyrtare, andaj Zgjedhjet lokale të vitit 2005 bazohen në votat për këshilltarë komunalë, ndërsa Zgjedhjet lokale 2009 i referohen votave për kryetarë të komunave. Vështirësia kryesore në hulumtimin e tendencave të votuesve shqiptarë shkaktohet nga mungesa e statistikës së votuesve sipas përkatësisë etnike. Së këndejmi, kjo analizë mbështetet në supozimin se votuesit shqiptarë votojnë për partitë shqiptare dhe anasjelltas, ndonëse kjo nuk është rregull në të gjitha rastet dhe vërehet veçanërisht jo në rrethin e dytë, kur vendoset fituesi. 

BDI me kthesë të madhe – më së shumti vota gjatë 10 viteve të fundit
Para zgjedhjeve të fundit, Bashkimi Demokratik për Integrim kishte humbur 30% të trupit votues, krahasuar me vitin 2002. Por, të dielën kjo tendencë ndryshoi në masë të madhe – duke fituar 134.895 vota për kryetarë komune, ky është rezultati më i mirë gjatë dhjetë viteve të fundit, duke qenë vetëm pak më i ulët prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002, kur BDI kishte fillim të artë në zgjedhjet e para me 143.538 vota. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, BDI ka rritje të shpejtë në Gostivar (70%), Tetovë me rreth 1/3 dhe Dibër me pothuajse dy herë më tepër vota. Është interesante që pavarësisht numrit të shtuar të votave për rreth një të tretën në Strugë, BDI megjithatë humbi nga PDSH. E njëjta ndodhi edhe në Tearcë, edhe pse me dallim më të ulët. Rritje të dukshme ndaj zgjedhjeve të fundit parlamentare shënohet edhe në Çair me rreth 5.000 vota. 

PDSH – dy herë më tepër vota se në lokalet 2009
Partia Demokratike Shqiptare ka gjithashtu numër më të lartë të votave krahasuar me dhjetë vitet e kaluara – të dielën ato e kapën dyfishin e zgjedhjeve lokale 2009, si dhe 20% më shumë se zgjedhjet e vitit 2011. Dalja e shtuar kontriboi që PDSH të mos fitojë asnjë pozitë të kryetarit të komunës, ndonëse ishte shumë afër me BDI-në në Dollneni, Likovë dhe Vrapçishtë. Në Tetovë, dalja e rritur i solli më shumë vota PDSH-së krahasuar me vititn 2011, por jo mjaftueshëm për epërsi. Arritja më e madhe u shënua në Strugë – me 11.414 vota të fituara, z. Ziadin Sela ia dha modelin e fitores PDSH-së, duke sjellur dyfishin e votave të vitit 2009 dhe pothuajse trefishin e zgjedhjeve parlamentare 2011. PDSH ka mbështetje të rritur edhe në Studeniçan, Saraj dhe Likovë. 

Koalicionet etnike – Struga, Kërçova dhe shembulli për komunat tjera
Pavarësisht koalicionit brenda-maqedonas në Strugë dhe Kërçovë, kjo nuk rezultoi me efekte të dukshme. Konkretisht, maqedonasit në Strugë do të kenë 10 prej 27 këshilltarëve komunalë – po aq sa që kishin deri tani.  Ndryshimi ka ndodhur vetëm tek struktura e këshilltarëve-shqiptarë, që do ta humbin udhëheqësinë pa koalicion intra-etnik. Është e besueshme që kryetari i komunës të jetë në duar shqiptare. 

Rezultatet për Kërçovën ishin më të pritura, falë mundësisë për zgjedhjen e kryetarit shqiptar pas 70 viteve. Me votimin e diasporës në nivel lokal, BDI tani fitoi 18.552 vota, përkundër VMRO-DPMNE-së që kishte 16.222 vota. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale 2009, votat e kombinuara etnike në Vraneshticë, Drugovë, Zajaz, Kërçovë dhe Osllome i sollën 8.309 vota shqiptarëve dhe 14.544 maqedonasve. 

Por, nëse do të aplikoheshin koalicionet brenda-etnike edhe prej partive shqiptare, këto zgjedhje do të rezultonin me ndryshim të sigurt në Bërvenicë, me gjasë të madhe që kjo të ndodhë edhe në Jegunovcë. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button