Kryeredaktorja e Portalbit, Zylbeari: Gazetaret t’i publikojnë kërcënimet, profesionalizmi nuk njeh gjini

“Profesionalizmi nuk njeh gjini, gazetaret duhet t’i publikojnë rastet e kërcënimeve duke e rikthyer besimin në media”, kështu u shpreh kryeredaktorja e Portalbit, Elida Zylbeari në paraqitjen e saj në panelin e diskutimit të organizuar nga Balkan Insight në Bashkëpunim me BIRN, ku u shpalosën gjetjet kryesore të raportit mbi pozicionin e gazetareve në Ballkan “Platforma B – Gratë në redaksi: Perspektivat mbi barazinë, diversitetin dhe qëndrueshmërinë”, Bashkë me Zylbearin në këtë panel mbi gjetjet e raportit diskutuan edhe vetë autoret Bojana Kostiç dhe Jennifer Adams, shkruan Portalb.mk.

Dy autoret e raportit, Adams dhe Kostiç shpalosën gjetjet e raportit ku theksohen tendencat, mundësitë dhe pengesat, të identifikuara përmes shkëmbimit të përvojave dhe perspektivave nga gratë që punojnë në media, për të paraqitur një imazh me më shumë nuanca dhe më kompleks të rolit të grave në redaksitë e lajmeve, në shoqëritë rajonale dhe më gjerë.

Ata shtuan se kur bëhet fjalë për gratë gazetare, narrativet mbizotëruese janë fokusuar pothuajse ekskluzivisht në dhunën në internet dhe cënueshmërinë e grave, në vend se te sistemet që e bëjnë këtë lloj abuzimi të përhapur, të normalizuar dhe madje edhe fitimprurës.

Kryeredaktrorja e Portalbit, Elida Zylbeari u shpreh se të jesh gazetare shqiptare në Maqedoninë e Veriut është sfidë e dyfishtë, edhe përkundër ligjit për përdorimin e gjuhëve ende ka barriera gjuhësore në komunikim, dokumente dhe të tjera. Ndër të tjera ajo theksoi se gazetaret nuk merren seriozisht, madje përmendi edhe raste të saja personale kur është kërcënuar si gazetare gjatë punës. Por, siç thotë ajo profesionalizmi nuk njeh gjini, edhe pse në praktikë nuk funksionon kështu.

Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk
Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk

“Unë kam filluar në moshë shumë të re, është problem sepse gratë nuk merren seriozisht në gazetarinë investiguese, edhe nëse ti përpiqesh burimet nuk të japin informacione. Gratë nuk kanë mundësi të barabarta për të ecur përpara në karrierë. Pozicionet udhëheqëse barten nga burrat, dhe siç duket asgjë nuk do të ndryshojë nëse ne nuk bëjmë asgjë, edhe pse tani kemi më shumë gazetarë vajza ”, tha Zylbeari.

Ndër të tjera, ajo theksoi se për të kthyer besimin në media, gazetaret duhet që t’i publikojnë rastet kur marrin kërcënime, edhe nëse nuk kanë mbështetjen e institucioneve të drejtësisë. Kështu duke apeluar që të njëjtit të veprojnë sipas ligjit.

“Do kisha apeluar te të gjithë gazetarët dhe gazetaret që të kontribuojnë në përmirësimin e profesionalizmit në media, ne mund të bëjmë shumë për ta kthyer. Gjithashtu për sigurinë institucionet duhet te bëjnë punën e tyre, duhet te sigurojnë siguri ndaj grave duke krijuar mekanizma te mbrojtjes si ne jetën reale ashtu edhe ne atë online, sepse po përhapet shume shpejt. Ne duhet t’i bëjmë ata ta bëjnë punën e tyre, ne duhet te shkruajmë me shume për ketë. Edhe paga duhet te jete ne baze te meritave jo te gjinisë”, u shpreh Zylbeari.

Ndryshe, ky raport është përpjekje për të shfaqur një imazh me më shumë ngjyra, për të trajtuar përvojat e ndryshme që karakterizojnë mediat e grave, redaksitë, pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre në Ballkan. Raporti përfshin intervista të thelluara me më shumë se 20 gazetare, redaktore, verifikuese të fakteve, kryeredaktore dhe aktiviste, si dhe një koleksion të gjerë të dhënash, që përfshin një total prej 175 përgjigjesh të marra nga BIRN përmes një sondazhi online të kryer në tetor dhe nëntor 2021.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button