Edhe pse e paguajnë, qytetarët e Tetovës kanë probleme me ndriçimin publik

Vendbanimet në Komunën e Tetovës, si qyteti po ashtu edhe fshatrat kanë probleme me ndriçimin publik të rrugëve, pavarësisht se qytetarët për atë paguajnë tatim. Nëpër rrugët e Tetovës, ndriçimi herë është funksional e herë jo, madje në disa raste të tjera ka vende ku nuk ka fare ndriçim. Qytetarët kërkojnë nga Komuna që të gjejë zgjidhje për këtë problem, kurse nga këta të fundit, të vetëdijshëm për problemin thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me operatorin për të mbrojtur komunën dhe qytetarin, shkruan Portalb.mk.

Ndër tatimet lokale të përcaktuara me ligj, është edhe pagesa që qytetarët e Tetovës e kryejnë për ndriçimin publik.

“(Për) shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik – paguhet taksë komunale në lartësinë e kundërvlerës prej 15 kw në orë me çmim për ndriçim publik për çdo matës për matjen e energjisë elektrike”, thuhet në ueb-faqen e Komunës së Tetovës.

Sipas çmimores së Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi për 1 kw në orë për ndriçim publik është 7.35 denarë. Pra nëse e përllogarisim, çdo amvisëri në Tetovë që ka orëmatës paguan nga 110.25 denarë në muaj vetëm për ndriçim publik.

Por, pavarësisht pagesës, rrugët e qytetit nuk janë gjithmonë të ndriçuara. Ky problem, gjithashtu u ngrit edhe në debatin publik për buxhetin e Komunës për vitin 2022. Ata kërkuan nga komuna që të sigurojë ndriçim publik funksional si për qytetin ashtu edhe për fshatrat.

“Hasim shpesh në probleme me ndriçimin publik ku me javë ose me muaj duhet të bëjmë kërkesa, të shkruajnë emaile dhe marrim përgjigje se jo nuk ka poçe elektrike ose se nuk kemi mundësi. Krejt e dimë se në çdo faturë të energjisë elektrike e paguajmë ndriçimin publik dhe ato mjete alokohen te buxheti i komunës”, u shpreh gjatë debatit një qytetar.

Bulevardi "Bllagoja Toska", ndriçimi publik jofunksional, 9 janar 2021
Bulevardi “Bllagoja Toska”, ndriçimi publik jofunksional, 9 janar 2021

Kurse nga Komuna, kryetari Kasami tha se janë në koordinim to vazhdueshëm me operatorin i cili duhet të bëjë furnizimin dhe mirëmbajtjen, i cili sipas tij si në disa raste tjera nuk e kryen detyrën dhe duhet të vazhdojnë procedurat juridike se si të mbrojnë komunën dhe qytetarin.

“Njëherësh është problem që do zgjidhje afatgjate. Zgjidhje afatgjate përkon me atë që ne jemi në komunikim të rregullt me disa institucione të rëndësishme të cilat në kuadër të projekteve të caktuara që financohen edhe nga fondet evropiane, kjo mund të futet edhe në kuadër të projekteve që kanë të bëjnë edhe në projektet e efikasitetit energjetik dhe besoj që bashkë me sektorin për zhvillim ekonomik lokal do të sigurojmë fonde që njëherë e përgjithmonë çështjen e ndriçimit publik ta zgjidhim dhe të jetë efecient dhe mos e rëndojë më shumë xhepin e qytetarëve”, tha Bilall Kasami.

Rregullimi i ndriçimit publik është edhe premtim në programin e Kasamit për qeverisjen me Tetovën, te pika e Urbanizmit, konkretisht thuhet: “Do të sigurojmë fonde nëpërmjet buxhetit të komunës dhe eko projekteve të BE ku çdo shtyllë e ndriçimit publik të ketë panele solare, do të kemi efikasitet në ndriçimin e qytetit dhe kosto të ulët ekonomike.

Ndryshe, probleme me ndriçimin publik paraqiten edhe në pjesët kryesore të qytetit, ku me 9 janar, përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska” në pjesën nga Kazerma për te Tregu i Gjelbër nuk kishte ndriçim në një pjesë të rrugës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button