Dje dhe sot u dogjën disa kontejnerë në Tetovë, policia në kërkim të autorëve

Mbrëmë në orët e natës dhe sot paradite, te Posta e Vjetër dhe përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë janë djegur kontejnerë të mbeturinave. Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë njoftojnë se deri tani rastet nuk janë denoncuar në polici, por po punohet në zbardhjen e rastit, shkruan Portalb.mk.

Mbrëmë, rreth ora 11 të natës person/a të panjohur kanë djegur kontejnerët e mbeturinave, te lokacioni i Postës së Vjetër në Tetovë, i cili është tani më i njohur si lokacion në të cilin shpesh herë krijohet deponi e vogël e mbeturinave. Nga komuna njoftuan se zjarri u shua në kohë nga punonjësit e Ndërmarrjes Publike Komunale dhe Njësinë Territoriale kundër zjarrit, ku pastruan mbetjet e djegura.

“Akt i tmerrshëm djegia e mbeturinave, hapësira publike është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të kujdesemi si për shtëpinë tonë. Këto skena nuk i shërbejnë qytetit tonë, kjo nuk është qytetaria jonë. Kërkojmë nga policia që të hetohet rasti, dhe personat përgjegjës të marrin dënimin e merituar”, njoftoi kryetari i Komunës, Bilall Kasami në Facebook.

Zjarr në konrenjerët e Tetovës, 13 janar 2022
Zjarr në kontejnerët e Tetovës, 13 janar 2022

Akti i djegies së koshave të plehrave nga person/a të panjohur është përsëritur sot në mëngjes, por këtë herë përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti informoi për Portalb.mk se ata kanë intervenuar në kohë dhe zjarri nuk është përhapur.

This slideshow requires JavaScript.

Nga ana tjetër, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, njofton se asnjëri nga të dy rastet nuk është paraqitur në polici, por po punohet në zbardhjen e rastit.

“Edhe pse nuk ka pasur denoncim në polici, në bazë të videove të publikuara në rrjetet sociale policia punon në gjetjen e personave të cilët u kanë vënë zjarrin kontejnerëve dhe në zbardhjen e plotë të rastit”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Gjatë vitit 2021 në Tetovë janë djegur 54 kontejnerë të plehrave 

SPB Tetovë informon se gjatë vitit të kaluar janë raportuar vetëm pesë raste ku autorët e djegies së kontejnerëve kanë marrë dënime.

“Në SPB Tetovë gjatë vitit 2021 janë raportuar 5 raste ku janë djegur kontejnerët e mbeturinave, vepër kjo e dënueshme në bazë të nenit 288 dhe 218 të Kodit Penal, veprat në fjalë janë pastruar plotësisht dhe lidhur me këtë janë privuar nga liria 4 persona, tre prej të cilëve të mitur, të cilët e kanë marrë përgjegjësinë për zjarrvënien në kontejnerë dhe për këto në Prokurorinë Themelore Publike-Tetovë janë ngritur kallëzime përkatëse”, tha Rexhepi.

Shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta. Të pyetur për atë se çfarë po bën inspektorati komunal për këto raste, sa nga to janë zbardhur dhe çfarë masash janë marrë nga ky inspektorat, nga Komuna e Tetovës thonë se gjatë orarit të punës inspektorët e ambientit jetësor çdo ditë bëjnë kontrolle të vazhdueshme për pastërtinë e qytetit ku gjatë kohës së mbikëqyrjes nuk është vërejtur ndezje e kontejnerëve dhe koshave të plehrave.

“Paralelisht lajmërohet edhe policia për marrjen e masave për gjetjen e shkaktarëve ku të njëjtit sanksionohen sipas dispozitave ligjore në fushën e ambientit jetësor. Për vitin 2021 pa pasur gjithësej 15 denoncime për djegie të kontejnerëve. Për vitin 2022 gjatë këtij muaji ka pasur tre denoncime dhe është intervenuar nga ana e njësisë kundër zjarrit”, thanë nga Komuna e Tetovës, nga ku Inspektorati komunal për ambient jetësor apelon te qytetarët mos të hedhin materiale lehtë të djegshme dhe të raportojnë veprime të tilla kur shohin.

Vetëm në vitin 2021, zjarrfikësit e Tetovës kanë intervenuar në 54 djegie të kontejnerëve, dhe rreth 40 djegie të deponive të egra.

“Në vitin 2021 kemi pasur 54 intervenime vetëm në kontejnerë, veç këtyre kemi pasur edhe 30 apo 40 intervenime në deponitë e egra që formojnë njerëzit. Çka mund të them nga ana jonë, parashikimet dhe mendimi ynë është se këto kontejnerë kanë qenë dhe që po vazhdon kjo djegie e tyre krejt me qëllim, faktori njeri është ai që po i bën, pasi nuk ka shkaktar tjetër të shpërthimit të zjarrit në kontejner. Nuk e di tani pse i ndezin. Problemi ynë gjatë intervenimit është bllokimi i rrugëve, qytetarët gjithmonë parkojnë makinat përreth kontejnerëve, mos dhashtë zoti ndonjë domino efekt, të kapet ndonjë makinë, prej njërës të ndizet tjetra që të vijë në katastrofë më e madhe apo ndonjë objekt”, tha Uka Aliti, komandant i njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë.

Këto akte të shëmtuara pa diskutim që ndikojnë edhe në rritjen e ndotjes, ku Tetova viteve të fundit është lider jo vetëm në vend por edhe më gjerë për sa i përket ndotjes. Vetëm për ilustrim, mesatarja e regjistruar e grimcave PM 10 nga 1 janari deri 13 janar është 88.49 μg/m3 që gati për dyfish e kalon sasinë e lejuar, vlera mesatare e të cilave nuk mund të  kalojë 50 mikrogramë për metër kub dhe jo më shumë se 35 herë në vit. së ajrit në Tetovë, e ku kjo e fundit me vite të tëra nuk po bën përparim në këtë fushë. Qytetarët ankohen që inspektorati ekologjik nuk është funksional në marrjen e masave kundër ndotësve.

Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por duke mos potencuar se kur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button