BEG kërcënoi se nesër do të ndërpresë ngrohjen për 54 mijë familje

Furnizuesi më i madh i ngrohjes qendrore në Shkup – BEG ka njoftuar mbrëmë se nga nesër, e shtunë, 15 janar, do të ndërpresin ngrohjen për 54.000 amvisëri, 95 institucione arsimore dhe 1.027 objekte të tjera në kryeqytet, transmeton Portalb.mk.

Supozohet se kanë pasur para për blerjen e gazit natyror që përdorin tre termocentralet: TE-TO Lindje afër Keramidnicës, TE-TO Perëndimi në Taftalixhe dhe “11 Tetori” në Kisella Vodë, vetëm për deri në fund të ditës së sotme. BEG konsideron se janë kompani me përgjegjësi shoqërore pasi më pak se dy ditë para se ta ndërpresin ngrohjen, e informojnë opinionin për këtë. Ata kërkojnë ndihmë nga Qeveria për vazhdimin e ngrohjes, përkatësisht 9 milionë euro për furnizim me gaz natyror vetëm për muajin janar.

“Si kompani me përgjegjësi shoqërore, informojmë se nuk kemi më shumë burime për financimin e sezonit të ngrohjes pa ndihmë shtetërore për kompensimin e tarifës për prodhimin e ngrohjes, kështu që nuk do të mund të vazhdojmë me prodhimin e ngrohjes”, thuhet në njoftimin e BEG.

BEG pretendon se ka pasur “pengesa objektive për sigurimin e financimit nga shteti”. Ata sugjerojnë që në periudhën e krizës energjetike dhe derisa të mos kenë para për të blerë gaz, menaxhimin e ndërmarrjes ta marrë Qeveria dhe pas përfundimit të sezonit të ngrohjes, kompania të përdoret sërish.

Menjëherë pas këtij njoftimi të BEG-së, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski tha se BEG do të mbetet pa licencë në momentin kur do të ndërpresë furnizimin me ngrohje në Shkup.

Ai përjashtoi mundësinë që BEG-ut mund t’i zgjidhte dikë tjetër problemin, për t’u kthyer në maj “si princat mbi kuaj të bardhë”. Sipas Bislimovskit, BEG dhe TE-TO kanë refuzuar të gjitha opsionet e ofruara nga KRRE dhe Qeveria.

Krahas BEG-ut, pakënaqësi ka edhe me propozimet e qeverisë nga ShA TE-TO pas vendimit të djeshëm të qeverisë që të duhet të punojë çdo ditë nga ora 5 deri në 13:00, ku sasitë shtesë të energjisë elektrike të prodhuara do të blihen nga ShA EMV me çmim deri në 170 euro për megavat orë. Në të njëjtën kohë, energjia termike që do të prodhojnë do të duhet t’i dorëzohet BEG-ut.

Nga TE-TO thonë se duan që çmimi të jetë gati dyfish më i lartë, apo 270 euro për megavat orë pa TVSH.

“Sipas kontratës ekzistuese për prokurimin e gazit natyror që TE-TO SHA Shkup e ka të vlefshme deri më 31.01.2022, çmimi i prodhimit të energjisë elektrike nga termocentrali i saj, duke përfshirë koston e ngrohjes së prodhuar por të papaguar është 270 euro/MWh pa TVSH. Me rastin e grumbullimit të energjisë termike, çmimi i prodhimit të energjisë elektrike nga TE-TO SHA Shkup është 251 euro/MWh pa TVSH”, thuhet në njoftimin e TE-TO.

Kujtojmë se shkupJanët dhe pjesët e tjera të qytetit ditëve të fundit, janë përballur me ulje të temperaturës së ngrohjes, apo me radiatorë krejtësisht të ftohtë. Balkan Energy Group (BEG) sqaron se në kushtet e krizës energjetike, regjimi i sigurimit të ngrohjes qendrore është i optimizuar. Mbi 200 qytetarë janë ankuar për ngrohjen qendrore, ndërsa nga BEG thonë se kanë intervenuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button