Blinken, Kurtit: Shpresojmë në rikthimin e momentumit në dialog

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që Kosova të mbështetë zotimet paraprake, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Ai e ka bërë këtë deklaratë në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar Qeveria e Kosovës më 13 janar.

Blinken ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.

Sipas Sekretarit amerikan, natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesë për anëtarësimin dhe integrimin e plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka thënë ai përmes letrës.

Blinken mes tjerash ka bërë thirrje për shmangie të veprimeve dhe retorikës që mund t’i rrisë tensionet.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Më 2021, në kuadër të dialogut janë zhvilluar vetëm dy takime të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button