(Mos)efektiviteti i BE-së në mbështetjen e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Gjykata e Auditorëve të BE-së kritike për rezultatin e projekteve rajonale për sundimin e ligjit.

Edhe vetë titulli “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor: pavarësisht mbështetjes, problemet thelbësore vazhdojnë” i raportit special të Gjykatës së Auditorëve të BE-së, që u publikua para pak kohësh tregon shumë për përmbajtjen e tij.

Në këtë raport, Gjykata e Auditorëve të BE-së e ka vlerësuar efektivitetin e mbështetjes së BE-së për sundimin e ligjit, të zbatuar nëpërmjet Instrumentit IPA II në periudhën 2014-2020. Gjatë kësaj periudhe janë investuar 690 milionë euro në projekte për mbështetje të sundimit të ligjit në të gjithë rajonin (projekte në nivel kombëtar dhe rajonal). Raporti është përgatitur në bazë të 17 projekteve kombëtare dhe 3 rajonale, që janë hulumtuar, ku vendet e rajonit përfaqësohen me numër të ndryshëm projektesh. Maqedonia dhe Mali i Zi përfaqësohen me nga një projekt, Kosova – 2, Bosnja dhe Hercegovina – 3, Shqipëria – 4, Serbia – 6. Gjetjet mbështeten në analizën e disa dokumenteve relevante, si dhe në intervista.

Dy pyetjet themelore, të cilave ky raport përpiqet t’iu përgjigjet janë:

  1. nëse mbështetja ishte menduar mirë dhe
  2. nëse ajo i ka sjellë rezultatet e planifikuara.

Për sa i përket pyetjes parë, auditorët konstatojnë se mbështetja ka qenë e projektuar në përputhje me prioritetet e politikave të BE-së, duke marrë parasysh gjetjet dhe rekomandimet e raporteve vjetore të BE-së, si dhe dialogun që po zhvillohet brenda organeve të marrëveshjeve për stabilizim asociim (e në këtë fushë veçanërisht relevant është Nën-komiteti për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme). Një nga gjetjet më kritike është se mbështetja për aktivitetet e shoqërisë civile është “e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e sektorit” dhe se ajo bazohet kryesisht në projekte afatshkurtra. Prandaj është edhe rekomandimi që të forcohet mbështetja e sektorit të shoqërisë civile të angazhuar në fushën e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias.

Gjetja kryesore është se ndërhyrja e BE-së ka kontribuar në reformat në fushat teknike dhe operacionale, si për shembull përmirësimi i efikasitetit të gjyqësorit dhe zhvillimi i legjislacionit përkatës, është i vogël ndikimi në reformat themelore të sundimit të ligjit në rajon. Këtu përfshihen pavarësia e gjyqësorit, përqendrimi i pushtetit, ndërhyrjet politike dhe korrupsioni.

Arsyeja kryesore për ndikimin e vogël të mbështetjes, në reformat thelbësore themelore, është vullneti i pamjaftueshëm politik i brendshëm, i cili vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e projekteve, gjegjësisht mbetet pyetja – çfarë pas përfundimit të tyre. Megjithatë, kritikohet edhe Komisioni Evropian – kryesisht për shkak se nuk i ka përdorur të gjitha veglat që i ka në dispozicion për t’iu parapri rreziqeve. Duke vepruar kështu, vlerësohet se rregullat për aplikimin e kushtëzimit politik nuk janë të qarta dhe se dallimet në vlerësimet e Komisionit dhe Këshillit të BE-së në lidhje me përmbushjen e klauzolës për balancë i rrezikojnë efektet e kushtëzimit. Dispozita e balancës është e përfshirë në kornizën negociuese për Serbinë, Malin e Zi dhe sipas saj, përparimi në negociata në përgjithësi varet nga përparimi në sundimin e ligjit.

Auditorët rekomandojnë vendosje të objektivave strategjikë me tregues të ndikimit për fushat prioritare, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e robëruar. Rekomandimi sigurisht që nuk do të jetë i lehtë për t’u zbatuar, duke pasur parasysh problemet me mundësinë për t’i matur këto fusha, tendencat ekzistuese për të bërë teknike çështjet e tilla, por edhe rëndësinë e institucioneve dhe proceseve joformale kundrejt atyre formale në rajon.

Megjithatë, pavarësisht faktit se rolin vendimtar për mbështetjen nga BE në rajon e ka Komisioni Evropian, fokusi i përgjegjësisë dhe rezultati i ndërhyrjeve të BE-së në fushën e sundimit të ligjit është sërish tek autoritetet kombëtare. Prej atje sërish aktualizohet çështja (e mungesës) e pronësisë kombëtare të projekteve dhe, mbi të gjitha, e (mos)ekzistimit të vullnetit real politik për të siguruar ekuilibër të pushteteve dhe për të kufizuar fuqinë dhe ndikimin politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button