Kemi identifikuar persona që do të jenë pjesë e sanksioneve, alarmoi diplomati amerikan

James C. O’Brien është propozuar nga Presidenti i SHBA për të qenë kreu i Zyrës së Koordinimit për Sanksionet, raporton EN. Ky pozicion i ri në administratën amerikane do të jetë në një nivel të ngjashëm me atë të ambasadorit.

Gjatë seancës dëgjimore në Senat, O’Brien tha se ka punuar për legjislacionin amerikan të sanksioneve për gati 30 vite.

Diplomati amerikan u shpreh se ka 20 nivele sanksionesh të parashikuar në legjislacion dhe theksoi se sanksionet janë pjesë e strategjisë së SHBA.

Sipas tij sanksionet vendosen me qëllime të qarta dhe gjatë viteve të fundit kanë qenë në qendër të këtyre masave rreth 950 persona.

“Kam parë se sa të rëndësishme janë sanksionet dhe e di që është jetësore. Ne duhet të kujdesimi që këto sanksione të zbatohen plotësisht”, u shpreh O’Brien.

Ai tha se ka me qindra persona në administratën amerikane që punojnë për këtë çështje përfshirë dhe persona të shërbimeve inteligjente.

“Janë me qindra të zyrtarëve në Departamentin e Shtetit dhe të Thesarit, si dhe në agjenci të tjera, që promovojnë antikorrupsionin, të drejtat e njeriut, luftën kundër terrorizmit, kundër narkotikëve, si dhe mbrojtjen e parimeve të tjera thelbësore të politikës së jashtme të SHBA”, tha ai.

Diplomati amerikan u shpreh se administrata ka identifikuar persona që do të jenë së shpejti shënjestër e këtyre sanksioneve.

“Sanksionet janë jetësore në luftën kundër korrupsionit pasi korrupsioni është cilësuar nga SHBA si kërcënim për demokracinë”, deklaroi O’Brien para Senatit.

Sipas tij çdo sanksion përveçse duhet të jetë i justifikuar mirë, duhet që të realizojë dhe objektivat.

Ndaj tha se Zyra e Koordinimit të Sanksioneve nuk mund ta bëjë këtë pa ndihmën e DASH dhe të ambasadave amerikane.

James C. O’Brien është bërë pjesë e Departamentit Amerikan të Shtetit që prej vitit 1989 si këshilltar diplomatik.

Ai ka punuar si i Dërguar Special i Presidentit për Ballkanin si dhe këshilltar i Ambasadorit amerikan në OKB dhe i Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

O’Brien është një njohës i mirë i rajonit të Ballkanit pasi ka pasur rol të rëndësishëm në Marrëveshjen e Dejtonit, paktin e paqes mes Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button