Mickoski do të takohet me Kovaçevskin nëse do të flasin për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Në VMRO-DPMNE nuk ka arritur ftesë për takim të liderit të partisë Hristijan Mickoski me liderin e LSDM-së dhe mandatarin Dimitar Kovaçevski. Nëse ftesa arrin, do të pranohet vetëm nëse në takim do të bisedohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi sot deputeti Antonio Mlloshoski, njofton Portalb.mk.

“Takim i tillë ende nuk ka arritur në VMRO-DPMNE, por nëse arrin do të pranohet me kusht që në takimin Kovaçevski Mickoski të bisedohet për zgjedhje të parakohshme, si zgjidhje e vetme logjike për dalje nga kriza e thellë në të cilën aktualisht ndodhet shteti, të diskutohet për përmbajtjen e përgjigjeve që Maqedonia e Veriut i ka dhënë deri te Sofja zyrtare më kërkesë të tyre sipas formulës 5+1 për të cilat as opinioni e as Kuvendi, për fat të keq, nuk janë të njoftuar. Kjo është pjesë e jotransparencës joqeveritare”, theksoi Milloshoski.

Sipas tij, duhet që të bisedohet edhe për rritjen e angazhimeve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, pasi që Maqedonia e Veriut edhe në rajon edhe në Evropë është në, ashtu siç theksoi, vendin më të ulët.

“Nën ato kushte dhe nëse arrin ftesa, do të ishim të disponuar që ta pranojmë dhe të realizojmë takim dhe bisedë”, tha Milloshoski.

Mandatari Kovaçevski dje paralajmëroi se do ta ftojë në mbledhje Mickoskin pas zgjedhjes së qeverisë së re.

Ndryshe, Qeveria e re që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski do të ketë 21 anëtarë. LSDM dhe koalicioni do të kenë 12 ministra, BDI gjashtë dhe Alternativa tre ministra. Kabineti i ri qeveritar do të ketë edhe një anëtar më tepër, ministër pa resor, post që i takon Alternativës.

Seanca për zgjedhjen e qeverisë së re është caktuar të shtunën në ora 11:00. Debati parlamentar për zgjedhjen e qeverisë së re zgjat maksimumi dy ditë, ndërsa zgjedhja e qeverisë votohet pas përfundimit të saj, gjegjësisht jo më vonë se 24 orë në ditën e dytë ose në këtë rast të dielën deri në mesnatë. Qeveria zgjidhet nëse për të voton shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend.

Ndryshe, Dimitar Kovaçevski në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut zëvendëson ish-kryeminsitrin, Zoran Zaev i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button