Qindra miliona fonde të BE-së joefektive në forcimin e sundimit të ligjit në Ballkan

Komisioni Evropian pranon se duhet bërë më shumë për reformat e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, pas raportit të Gjykatës Evropiane të Auditorëve, i cili i vlerësoi  si të “paefektshme” dhe të “pasuksesshme” 700 milionë eurot e BE-së, transmeton Euroactiv.

Raporti, i kompletuar nga agjencia mbikëqyrëse e Komisionit, tha se programet e BE-së për sundimin e ligjit me vlerë mbi 700 milionë euro midis viteve 2014 dhe 2020 kishin pak efekt dhe ndikim në vendet kandidate.

“Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë pastër e suksesshme në sjelljen e ndryshimeve”, tha një anëtar i gjykatës së auditorëve, Juhan Parts, në një deklaratë për media.

Ai nënvizoi se nuk ishte vetëm faji i BE-së, por edhe “vullneti i pamjaftueshëm politik dhe mungesa e angazhimit” nga qeveritë vendore, gjë që ka bërë që mbështetja e BE-së të jetë “përgjithësisht e pamjaftueshme për të luftuar problemet në fusha të tilla si pavarësia e sistemit të drejtësisë , përqendrimi i pushtetit, ndërhyrjet politike dhe korrupsioni.”

Auditorët kritikuan BE-në për “aplikimin jo konsistent të parakushteve për financimin dhe zbatimin e projekteve”. Ata shtuan se Brukseli “rrallë e ka përdorur mundësinë e pezullimit të ndihmës në rast se përfituesi nuk respekton parimet themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, duke vënë në dukje se këto mekanizma duhet të përdoret pasi shumë vende kanë stagnuar apo edhe janë në rënie në disa fusha kyçe

Për më tepër, ai zbuloi se ata shpesh nuk arrinin të masin rezultatet në drejtim të projekteve të udhëhequra nga BE-ja dhe “pak projekte ka të ngjarë të jenë të qëndrueshme”. Kjo mungesë qëndrueshmërie do të thotë që paratë e dhëna në projektet e udhëhequra nga BE-ja de facto shkojnë dëm nëse nuk çojnë në ndryshime të qëndrueshme.

Progresi i bërë gjatë dy dekadave të fundit ka qenë “modest”, gjë që kërcënon qëndrueshmërinë e mbështetjes që BE-ja ka dhënë gjatë procesit të anëtarësimit.

“Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë nëse nuk japin rezultate të prekshme”, vazhdoi ai.

Euroactiv pyeti një zëdhënës të Komisionit për gjetjet e raportit, i cili tha se: “Është arritur progres i rëndësishëm gjatë viteve të fundit, por është e qartë se duhet bërë shumë më tepër”.

Ata shtuan se Komisioni e mirëpret raportin, duke theksuar se  ka pasur “disa zhvillime pozitive në sundimin e ligjit si përmirësimi i efikasitetit të gjyqësorit dhe zhvillimin e shtetit të së drejtës”. Ata gjithashtu nënvizuan se një pjesë e fajit qëndron në “vullnetin e pamjaftueshëm politik të brendshëm për të çuar përpara reformat”.

Përgjigja e Komisionit vazhdoi se ndërsa disa partnerë kanë bërë përparim, “sfidat në sundimin e ligjit në rajon vazhdojnë dhe përpjekje të mëtejshme në këtë fushë themelore të politikës së zgjerimit të BE-së nevojiten për të krijuar një kulturë të vërtetë të sundimit të ligjit, si dhe angazhim më të fortë politik në Ballkanin Perëndimor për të çuar përpara reformat kyçe.

Ata e përshkruan raportin kritik të auditorëve si “një kontribut të dobishëm” në përpjekjet e tyre në angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në avancimin e reformave dhe konsolidimin e sundimit të ligjit në të gjithë rajonin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button