Tetova regjistroi shifra të larta të ndotjes së ajrit, Komuna në kërkim të zgjidhjes afatgjate

Ditët e para të 2022 shënuan shifra të larta të ndotjes së ajrit edhe në Tetovë. Mesatarja e regjistruar e grimcave PM 10 nga 1 janari deri 13 janar është 88.49 μg/m3 që gati për dyfish e kalon sasinë e lejuar, vlera mesatare e të cilave nuk mund të  kalojë 50 mikrogramë për metër kub dhe jo më shumë se 35 herë në vit. Komuna e Tetovës thotë se kjo kërkon zgjidhje më afatgjate dhe se për momentin nuk kanë plan aksional të veçantë, pasi janë në fazën e parë. Ata thonë se inspektorati është në terren për t’i identifikuar ndotësit. Organizatat e ambientit thonë se nuk merren masa serioze nga autoritetet, shkruan Portalb.mk.

Tetova njihet si lider për sa i takon ndotjes së ajrit, jo vetëm në vend dhe rajon por edhe më gjerë. Autoritetet deri më tani nuk kanë punuar në këtë drejtim, pasi problemi nuk është zgjidhur.

Kryetari i Komunës së Tetovës i cili ka më pak se tre muaj që është në këtë funksion, së fundmi përmes një deklarate për media tha se është problem që kërkon zgjidhje më afatgjate dhe sistemore.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Atë që e bëjmë, për momentin inspektorati komunal i ambientit jetësor pra është çdo ditë në terren për t’i identifikuar ndotësit të cilët pra janë edhe familjet edhe bizneset edhe gjithë ata që mund të paraqesin ndotje shtesë dhe në këtë drejtim është një aktivitet i përditshëm i inspektoratit komunal për pengimin dhe evidentimin. Sa i përket ndonjë plani aksional, nuk kemi ndonjë plan të tillë sepse jemi në fazën e parë kur jemi marrë me probleme shumë më akute sa i përket mbeturinave, ujit të pijshëm dhe problemeve tjera me të cilat jemi ballafaquar. Në bashkëpunim me sektorin civil, me institucionet shtetërore edhe për këtë do dalim me plan të detajuar”, tha Bilall Kasami.

Në infografikun e përgatitur nga Portalb.mk mund të shihet niveli i grimcave PM 10, nga fillimi i janarit të këtij viti e deri më 12 janar, gjatë tërë vitit 2021 si dhe mesatarja vjetore për vitet nga 2004 deri 2021.

This slideshow requires JavaScript.

Qytetarët, të vetëdijshëm se ngrohja me dru e ndot ajrin, shprehen se nuk kanë zgjidhje tjetër pasi çmimi i rrymës është i lartë, sidomos tani që u shtrenjtua nuk mund ta përballojnë ekonomikisht ngrohjen me rrymë.

Organizatat ekologjike nga ana tjetër, thonë se ë këtë periudhë kriza energjetike bashkë me rritjen e shpenzimeve të amvisërive për shkak të rritjes së çmimeve, i orientoi edhe më tepër amvisëritë kah përdorimi i resurseve për ngrohje më të lira.

“Në nivel qendror ose lokal momentalisht nuk është duke u ndërmarrë ndonjë hap për të zbutur indeksin e ndotjes sadopak, si për shembull me ndryshim të sistemit të ngrohjes së institucioneve lokale, identifikimin e ndotësve më të mëdhenj, zgjidhjen e problemit të trafikut të shtuar, parkingjeve adekuate, pastrimin e rrugëve me larje, higjienën komunale, etj. Qeveria tani ka disa shkaqe më shumë pse duhet të fokusohet në ofrimin e zgjidhjeve alternative për qytetarët ngaqë përgjegjësia është kryekëput e tyre se si do të ndihmojnë daljen nga krizat e shumta që kanë kapluar vendin, ndër to edhe ndotja”, thanë nga organizata “Nëna dhe Fëmija”.

“Me shtrenjtimin e energjisë elektrike qytetarët kthehen në metodat e vjetra të ngrohjes, që po ashtu është faktor tjetër. Shtrenjtimi 120% i metanit për automjete po ashtu paraqet problem. Ajo që premtohet me vite nga qeveritë por nuk realizohet është rrjeti i gazifikimit. Nëse jo amvisëritë, por objektet publike si shkollat, spitalet e bizneset e mëdha po të fillonin ngrohjen me gazifikim do ishte një hap i madh për uljen e ndotjes”, thanë nga organizata “Eco Guerila”.

Ajri i ndotur në Tetovë

 Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por duke mos potencuar se kur.

Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet

Raportet mujore të Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2021 ka pasur 132 ditë ajër të ndotur. Sipas standardeve botërore të shëndetit, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit, e cila mbetet shqetësim serioz.

Nga Qeveria e RMV-së thonë se shpresojnë se fuqizimi i kapaciteteve dhe rregullimi më i detajuar i obligimeve do të ketë efekt kundër ndotjes së ajrit në një të ardhme të afërt. Në kuadër të kësaj, një nga ndryshimet kryesore të Ligjit për Ajrin ka të bëjë me detyrimet dhe koordinimin e saktë të organeve të pushtetit vendor dhe qendror, të cilat do të përcaktohen me plane të sakta dhe masa të detyrueshme.

Qeveria paralajmëroi dhe formimin e një fondi të gjelbër për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike në vlerë prej 36,3 milionë dollarë.

Ndryshe, rreth 1.8 milionë vdekje dhe gati dy milionë raste të astmës i janë atribuar ndotjes së ajrit në vitin 2019 në mbarë botën, sipas dy studimeve të publikuara në revistën The Lancet Planetary Health.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button