Kryetarja e Parlamentit çek u bëri thirrje hungarezëve ta largojnë Orbanin në zgjedhjet e ardhshme

Pas komenteve të kryetares së parlamentit, e cila shpresonte se hungarezët do ta largonin kryeministrin Viktor Orban nga detyra në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, polemika është ndezur në koalicionin e ri qeverisës të Çekisë, shkruan Euroactiv.

“Çekët tashmë e kanë dëbuar Babishin. Unë sinqerisht shpresoj se edhe hungarezët do t’ia dalin ta bëjnë këtë”, shkroi kryetarja e parlamentit çek, Marketa Pekarova Adamova, në faqen e saj në Facebook. Sipas saj, Hungaria duhet të votojë për ndryshim në zgjedhjet e 3 prillit.

“Është thelbësore që Bashkimi Evropian të formohet nga shtete, qeveritë e të cilave kanë prioritet parimet demokratike, jo përfitimin e kryeministrave të tyre,” shkroi ajo ndër të tjera.

Kryeministri çek Petr Fiala refuzoi të komentojë, duke thënë se nuk dëshiron të trazojë atmosferën tashmë të ndezur. ”

Mund të shtoj vetëm se qeveria është përgjegjëse për politikën e jashtme dhe unë si kryeministër i saj do të bëj përpjekjet e mia në koordinimin e pozicionit të autoriteteve kushtetuese”, tha Fiala.

Pekarová Adamová i hodhi “benzinë zjarrit” më 10 janar kur kritikoi pozicionin e Hungarisë ndaj Kazakistanit ndërsa Orban shprehu solidaritetin e tij me presidentin e Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev.

“Viktor Orbán de facto miratoi të shtënat ndaj njerëzve të Kazakistanit dhe mbërritjen e ushtrisë ruse”, tha Pekarová.

Këtë herë, kritika të ngjashme adresoi edhe ministri i Jashtëm Jan Lipavský.

“Një president që jep urdhër për të qëlluar civilët pa asnjë paralajmërim nuk ka nevojë për solidaritet. Solidariteti ynë i përket popullit të Kazakistanit”, shkroi Lipavský në Twitter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button