fbpx

A ka “njerëz që kanë varësi nga sëmundjet”?

Besoni ose jo, paradokohësh, shumë mediume publikuan një informatë se ”në Shtëpinë për njerëz me varësi në Kisella Vodë, personat që kanë varësi nga sëmundjet trajtohen me terapi me metadon” [referenca nga mediumet: NETpress, Dnevnik, MKD news, Komunikacija, Press 24, Veçer, Republika, Kurir, ?akfaks, Kajgana, Skopje info, Deneshen, ??çka, Libertas, ??ksim]. Informata për “personat që kanë varësi nga sëmundjet” është përcjellë edhe nga TVM-ja, dhe është marrë nga lajmi i MIA-s – Dislokimi i Shtëpisë për njerëz me varësi në Kisella Vodë, në vend të saj do të ketë poliklinikë.

Kur aq shumë mediume do të publikojnë informatë se ekzistojnë “persona që kanë varësi nga sëmundjet” dhe se njerëzit e tillë “trajtohen me terapi me metadon”, atëherë është e logjikshme të parashtrohen pyetjet: A është pyetur dikush nga ata që e kanë krijuar dhe që e kanë përcjellë këtë lajm se si do të ndihen pacientët që marrin terapi me metadon, kur do ta lexojnë diagnozën e tyre të re – “persona që kanë varësi nga sëmundjet”? Prej kur sëmundjet janë varësi, “persona që kanë varësi nga sëmundjet” (kam frikë të filloj t’i numëroj)? Dhe në fund, me çfarë “terapie” duhet të trajtohen gazetarët/et – që kanë “varësi nga lajmet e agjencive? A mund të minimizohet dëmi nga “virusi” copy-paste – “persona që kanë varësi nga sëmundjet”?

Injorim i të pazëshmëve

“Mundësoni që të dëgjohet zëri i të pazëshmëve – edhe burimet zyrtare edhe burimet jozyrtare mund të jenë valide në mënyrë të njëjtë.” (Kodeksi i gazetarëve)

Supozoj, do të kishte reagime të ashpra në opinion sikur ndonjë ministër ose politikan të dilte me idenë për dislokimin e “shtëpisë së gazetarëve-që kanë varësi nga lajmet e agjencive” në vende maskimalisht të sigurta, të cilat “nuk do të jenë në afërsi të shkollave, çerdheve ose vendeve ku ka frekuencë më të madhe të të miturve”. Besoj se reagime të ngjashme do të kishte edhe për idenë për “dislokimin” e qendrave për dializë, ose qendrave ditore për personat me nevoja të posaçme, qendrave për ndihmë të shpejtë, qendrave për transfuzion, qendrave për dhënie të gjakut … Por, pse nuk ka asnjë reagim në opinion, pasi ministri për shëndetësi dhe kandidatja për kryetare komune në komunën e Kisella Vodës, dolën së bashku me idenë për dislokimin e “Shtëpisë për njerëzit me varësi” (ku, gjoja, shërohen “persona që kanë varësi nga sëmundjet”)?

Pse gazetarët/et nuk e vunë në pikëpyetje idenë për “dislokimin” e një grupi të pacientëve nga institucioni shëndetësor (i paralajmëruar si poliklinikë e ardhshme) si diskriminim i mundshëm në bazë të statusit shëndetësor? Pse nuk e respektuan urdhërin etik dhe nuk mundësuan që të dëgjohet zëri i të pazëshmëve? Pse me këmbëngulje i injoruan ata që janë më të prekur nga ky tregim – pacientët që marrin terapi me metadon, mjekët e qendrës, shoqatat e qytetarëve për zvogëlimin e dëmeve, shoqatat për të drejtat e pacientëve dhe të drejtat e njeriut?

Qasje jokritike ndaj “partneritetit” parazgjedhor shtetëror-partiak

Edhe një herë, pjesa më e madhe e gazetarëve/eve e harruan imperativin etik për ndjekje kritike të proceseve politike. Nuk e parashtruan pyetjen kritike: Pse projekti shpaloset disa ditë para heshtjes zgjedhore, kur “bëhet fjalë për një projekt që duhet të realizohet gjatë vitit të ardhshëm“? Nuk u parashtrua as pyetja: Çka kërkon ministri për shëndetësi në orar të punës, si përfaqësues i strukturës shtetërore, së bashku me kandidaten partiake për kryetare të komunës, në një institucion shëndetësor shtetëror? A nuk është ky një rast i qartë i “mosndarjes së qartë të strukturave shtetërore nga ato partiake”? Shumica e mediumeve njoftuan se “Mjetet për realizimin e projektit do të sigurohen nga Shtëpia e shëndetit në Shkup”. Por, edhe pse “dislokimi i Qendrës për persona që kanë varësi nga drogat” është paralajmëruar edhe në programin e kandidates, asnjë medium nuk e parashtroi pyetjen: A nuk është paralajmërimi i ministrit se do të harxhohen para shtetërore për realizimin e programit të një kandidati në zgjedhje, “keqpërdorim i resurseve shtetërore për qëllime të fushatës”?

Përjashtim social i të margjinalizuarve

Pothuajse të gjitha mediumet e paraqitën “dislokimin e qendrës” dhe të pacientëve që shërohen në të, si përfitim për komunën dhe për qytetarët, si dhe zgjidhje për një problem afatgjatë. Si u definua problemi nga ana e aktorëve që paraqiten si burime të informatave në këtë tregim?

Sipas ministrit, problemi ka qëndruar në faktin se ka pasur koncentrim të tepruar të personave me varësi në një vend, ndërsa vendimi për dislokim, edhe pse “në mes të fushatës së zgjedhjeve lok?le”, është marrë në bazë të kërkesës së banorëve të komunës:

“Ideja është që të mos kemi koncentrim të madh të personave që kanë varësi nga sëmundjet në një vend.”

Asnjëri nga gazetarët e pranishëm nuk e pyeti ministrin që është kompetent për shërimin dhe risocializimin e personave që kanë varësi nga drogat: Kush është përgjegjës që për aq vite nuk hapen qendra për shërim, kështu që ka “koncentrim të madh të personave që kanë varësi nga sëmundjet në një vend”? Sipas cilave standarde, strategji dhe programe, nuk duhet të lejohet assesi që vendet ku shërohen personat që kanë varësi të jenë “në afërsi të shkollave, çerdheve ose vendeve ku ka frekuencë më të madhe të të miturve”?

Si i paraqitën mediumet ankesat e qytetarëve? Disa thanë se qytetarët “kanë jetuar në frikë për shkak të prezencës së përditshme të personave që kanë varësi nga drogat.” Disa konstatuan se “të jetohet në afërsi të Qendrës për persona që kanë varësi është horor i vërtetë.” Në transkriptën e deklaratës së një qytetari shprehja “fotografi e tmerrshme” është zëvendësuar me fjalën “llahtari”. Edhe mediumet e tjera përcollën një porosi dramatike se fëmijët janë të rrezikuar nga qendra:
“Banorët me vite apelojnë që të dislokohet qendra, për shkak se fëmijët e tyre janë të rrezikuar.”

U përcoll edhe ankesa e një qytetari:

“Besimtarët nuk mund të kalojnë këndej, sepse deri tani ishin personat që kanë varësi.“

Me një mënyrë të këtillë stereotipe të paraqitjes së të gjithë pacientëve, shumë mediume morën pjesë në krijimin e një imixhi negativ për një grup të tërë, duke i shkelur parimet e gazetarisë etike. Me përdorimin e diskurseve të frikës dhe të tronditjes dhe me injorimin e pacientëve dhe të shoqatave të tyre, shumë mediume dërguan porosi përjashtuese në aspekt social.

Minimizimi i dëmeve

Gazetarët dhe aktivistët nga shoqatat e qytetarëve që punojnë me përdoruesit e drogave ndajnë parime të ngjashme etike. Imperativ i gazetarëve është “minimizimi i dëmeve”, ndërsa aktivisitët për të drejtat e njeriut të përdoruesve të drogave veprojnë sipas parimit “zvogëlimi i dëmeve” (harm reduction).

Gazetarët janë të obliguar ndaj pjesëmarrësve të ngjarjeve që i mbulojnë të sillen si ndaj qenieve njerëzore që meritojnë respekt. Janë të obliguar të tregojnë njerëzi ndaj personave që ndoshta janë të prekur në mënyrë të disfavorshme nga mbulimi i lajmit. Por, a treguan gazetarët respekt dhe kapacitet elementar që ta njohin dhe ta minimizojnë dëmin?

Pjesa më e madhe e gazetarëve e paraqitën “shtëpinë për persona me varësi” si të dëmshme për qytetarët, ndërsa “dislokimin” e saj dhe ridestinimin në poliklinikë, si të dobishme për qytetarët dhe komunën. Një pjesë e mediumeve nuk u sollën aspak me respekt ndaj pacientëve. E injoruan edhe problemin se numri i konsiderueshëm i pacientëve ka të bëjë me faktin se Ministria për shëndetësi akoma nuk ka hapur qendra për shërim në të gjitha komunat e Shkupit. Gazetarët nuk treguan asnjë grimcë simpatie ndaj pacientëve që janë të detyruar për çdo ditë të udhëtojnë nga komunat e tjera, për shkak se në komunën e tyre nuk janë siguruar kushte për shërim. Asnjë gazetar nuk i parashtroi pyetjet: Në ç’vend saktësisht do të shërohen pacientët? Pse ministri për shëndetësi fillimisht nuk siguroi kushte për shërim të të gjithë pacientëve që kanë varësi nga drogat në çdo komunë të Shkupit, e pastaj ta paralajmërojë ridestinimin e qendrës ku shërohen ata?

Për fat të keq, gazetarët nuk vërejtën nxitje të diskriminimit që mund t’i shkaktojë dëm serioz edhe premtimit të parazgjedhor të kandidates për kryetare të komunës së Kisella Vodës. Në programin e saj në mënyrë eksplicite “parashihet dislokimi i Qendrës për persona që kanë varësi nga drogat në hapësirën e zonës industriale”. Edhe pse vetë riemërimi i qendrës medicinale në “Qendrën për persona që kanë varësi nga drogat” mund të interpretohet si akt diskriminues, asnjë gazetar nuk i parashtroi pyetjet: Pse kandidatja ka përdorur terme stigmatizuese në programin e saj? A është akt i përjashtimit social dislokimi i qendrës ku shërohen pacientët në hapësirën e zonës industriale? A është hapja e qendrave medicinale çështje për të cilën kompetente është komuna, ose Ministria për shëndetësi?

Pjesa më e madhe e mediumeve vetëm pjesërisht e publikuan deklaratën e kandidates për kryetare të komunës, të cilën e dha në shoqëri të ministrit për shëndetësi:

“Me gjithë respektin e merituar, ndaj atyre që i shfrytëzojnë shërbimet në këtë qendër ditore, por mendoj se, në nivel të komunës, çdo komunë duhet të kujdeset për atë kategori të njerëzve dhe duhet t’i mbledhë ata në komunën e saj.”

Më tej, ajo thekson:

“Në këtë rast, me dislokimin e kësaj qendre, ne, më në fund, do ta fitonim edhe poliklinikën.”

Dhe përsëri askush nuk guxon ta parsahtrojë pyetjen më logjike: E pse në poliklinikën e re nuk është paraparë që të shërohen edhe personat që marrin terapi me metadon? Pse, “me gjithë respektin e merituar”, kandidatja premton se do t’i dislokojë nga poliklinika e ardhshme?

Në këtë rast, kandidatja për kryetare të komunës fitoi publicitet medial dhe përkrahje të hapur nga ministri për shëndetësi për një premtim nga programi i saj zgjedhor, edhe pse ai premtim është në kompetencë të ministrit për shëndetësi. Këtë e konfirmoi edhe vetë ajo në një intervistë ku tha se ”qendra për persona që kanë varësi do të dislokohet – këtë ma vërtetoi ministri për shëndetësi”. Por, asnjë gazetar nuk e vuri në pikëpyetje premtimin parazgjedhor për “dislokimin e Qendrës për persona me varësi nga drogat në hapësirën e zonës industriale”. Asnjë gazetar nuk e parashtroi pyetjen se pse Ministria për shëndetësi u jep përkrahje të hapur kandidatëve partiakë, në kulmin e fushatës parazgjedhore?

Për fat të keq, në vend që ta minimizojnë dëmin ndaj pacientëve, shumica e gazetarëve e rritën atë. Jo vetëm me diagnozën e gabuar për “personat që kanë varësi nga sëmundjet”, por edhe me përcjelljen jokritike të porosive diskriminuese dhe përjashtuese në aspekt social, duke i përforcuar stereotipet negative, paragjykimet dhe mitet, dhe duke e injoruar keqpërdorimin e pozitës zyrtare të ministrit për qëllime partiake.

**************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia

Lajme të ngjashme

Back to top button