Kundërspin: Mucunski kërkon që MPB të parandalojë qarkullimin e automjeteve të rënda, pa vendosur shenjë komunikacioni

Ajo që është problematike në postimin e kryetarit Timço Mucunski, është thirrja e tij drejtuar MPB-së që të mos lejojë qarkullimin e mjeteve të rënda në rajonin e Lisiçes së Epërme. Këtu në fakt, vërehet spin. Dhe ja pse. Në këtë zonë nuk ka asnjë shenjë komunikacioni, përkatësisht sinjalistikë rrugore që ndalon qarkullimin e mjeteve të rënda. Sipas Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, ky obligim për vendosjen e sinjalistikës rrugore është përgjegjësi e vetë komunës dhe Qytetit të Shkupit, ndërsa para realizimit kërkohet vetëm mendim – pëlqim nga MPB, transmeton Vërtetmatësi.

 

Shkruan: Mirosllava Burns

 

Kryetari i Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski, ka postuar një status në Facebook në të cilin shtrembëron të vërtetën. Ai informoi se vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës së kryetarit të komunës, janë vendosur “policët e shtrirë”, në lagjen Lisiçe e Epërme, ndërsa disa javë më vonë Komuna ka vërejtur se njëri nga “policët e shtrirë” është larguar. Fajin për këtë Mucunski e sheh në MPB:

SPIN: Ekipet tona në terren reaguan shpejt dhe e rregulluan menjëherë këtë problem. Në periudhën e fundit kemi qenë dëshmitarë të vandalizmit të mallrave komunal në të gjithë territorin e Komunës së Aerodromit, për të cilin dyshojmë se kjo ka ndonjë prapavijë për të dëmtuar pushtetin komunal. Njoftojmë banorët se pajisjet për projektet janë nën garanci dhe tashmë janë riparuar. Por, për të mos përsëritur të njëjtin dëm, e pyesim publikisht MPB-në pse nuk reagon për ndalimin e lëvizjes së mjeteve të rënda ngarkuese që lëvizin në rajonin e Lisiçes së Epërme dhe lejon shkatërrimin e rrugëve dhe pajisjeve urbane? Nuk duhet të ketë kompromis me sigurinë!ka shkruar Mucunski në Facebook.

[Burimi: Statusi në Facebook i kryetarit të Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski; Data: 24.12.2021]

Kundërspin: Në bashkangjitje të statusit të Mucunskit në Facebook, janë edhe fotot e policëve të shtrirë, në të cilat shihet se një pjesë e njërit prej tyre është zëvendësuar me një të ri. Ajo që është problematike në postim, është thirrja e kryetarit të komunës drejtuar MPB-së për të mos lejuar qarkullimin e makinave të rënda në rajonin e Lisiçes së Epërme. Gjegjësisht, këtu vërehet spin.

Dhe ja pse. Në këtë zonë nuk ka asnjë sinjalistikë rrugore, pra sinjalistikë rrugore që ndalon qarkullimin e mjeteve të rënda. Pikërisht këtë obligim për vendosjen e sinjalistikës rrugore e ka komuna dhe Qyteti i Shkupit dhe para vendosjes së tyre, kërkohet vetëm mendim – pëlqim nga MPB. Kjo është e rregulluar me Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor.

Sipas Nenit 351, të këtij ligji:

(1) Vendet për vendosjen e rrethojës së sigurisë për mbrojtjen e këmbësorëve, shtyllave mbrojtëse, masat e posaçme teknike dhe të tjera për ngadalësimin e komunikacionit dhe sigurinë e fëmijëve në afrimet e shkollave, masat e sigurisë gjatë kryerjes së punëve në rrugë dhe gjetjes së objekteve në zonën e kryqëzimeve, si dhe vendosjen, heqjen dhe zëvendësimin e shenjave të komunikacionit, nëse këtë e kërkojnë arsyet e komunikacionit dhe sigurisë në vendbanime, në bazë të projektit të komunikacionit, me vendim të përcaktuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, me pëlqimin paraprak të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa për rrugët dhe rrugët lokale caktohen me vendim të komunës, përkatësisht të Qytetit të Shkupit në pajtim me MPB-në.

Mendim i tillë – vendosja e shenjës për të mos kaluar kamionë të rëndë në Lisiçe të Epërme, nuk është kërkuar nga MPB.

Për këtë rast, MPB ka dalë me sqarim ku thuhet se nuk kanë detyrim që të mos lejojnë qarkullimin e mjeteve të rënda në rrugët ku nuk ka sinjalistikë rrugore se është e ndaluar. Në njoftimin e MPB-së ndër të tjera thuhet:

…… kryetari i Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski, i cili qoftë për shkak të injorancës apo me qëllim të përhapjes së dezinformatave, pyet MPB-në se pse nuk reagon për ndalimin e lëvizjes së makinave të rënda në zonën e Lisiçes së Epërme, ku ai pa respektuar ligjet vendosi të ashtuquajturit “policë të shtrirë”. Për informim të saktë dhe korrekt, informojmë opinionin se MPB nuk mund të marrë masa për lëvizjen e kamionëve të rëndë në territorin e Komunës Aerodromit, Lisiçe të Epërme, sepse qarkullimi i mjeteve të rënda ngarkuese nuk është i rregulluar me shenjë të komunikacionit, kurse shenjat e komunikacionit janë të vendosura me ligj nga vetëqeverisja lokale. Domethënë, në zonën e përmendur nuk ka sinjalizim të përshtatshëm vertikal të komunikacionit – shenja të komunikacionit për drejtimin e trafikut të makinave të rënda ose për ndalimin e lëvizjes së tyre.

Prej atje më tej shtojnë:

Në lidhje me “policët e shtrirë” apo gungat artificiale, të cilat janë masa teknike të komunikacionit për ngadalësimin e qarkullimit dhe janë pajisje komunikacioni në rrugë, e jo pajisje urbane, theksojmë se janë vendosur pa pëlqimin paraprak nga MPB, në pajtim me nenin 351 të LSKRR.

I bëjmë thirrje Mucunskit të mos manipulojë qytetarët dhe të ndalojë me nënshtrimet e lira. Në vend që të shkruajë statuse në Facebook, të bëjë punën e tij dhe nëse ka nevojë për ndihmë nga MPB jemi në dispozicionin e tij në çdo moment që të bashkëpunojmë si institucion me institucion, dhe jo duke përhapur gënjeshtra përmes rrjeteve sociale.

Përveç kësaj, nuk ka prova se “polici i shtrirë” i dëmtuar, ka qenë pasojë e lëvizjes së mjeteve të rënda. Gjithashtu, kryetari Mucunski, nga njëra anë tha se dyshonte se dikush me qëllim dëmton të mirat sociale për të dëmtuar pushtetin komunal, dhe nga ana tjetër pretendoi se “polici i shtrirë” i dëmtuar ishte pasojë e kamionëve të rëndë që kalonin në atë rrugë. Këto dy arsye janë kontradiktore.

Për shkak të gjithë kësaj, deklaratën e Mucunskit e konsiderojmë si spin. Në këtë rast ka përgjegjësi kaskadë, pra hapin e parë duhet ta bëjë komuna. Sipas rregullave ligjore ekzistuese, për vendosjen e sinjalistikës rrugore, përkatësisht një tabele që do të ndalojë lëvizjen e mjeteve të rënda të mallrave në vendbanim, komuna cakton një vend dhe më pas kërkon pëlqimin e MPB-së. E, pas vendosjes së tabelës, MPB do të mund të rregullojë nëse ka apo jo fluks të makinave të rënda. Po ashtu, në rastin konkret nuk është vërtetuar se kamionët e rëndë janë shkaktar i dëmtimit të “policit të shtrirë”.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button