Nëse Kasami jep detaje “Më mirë për Tetovën” do ta votojë propozimin që mirëmbajtjen dimërore të rrugëve ta bëjë NPK-ja

Mirëmbajtja dimërore e rrugëve në Komunën e Tetovës nuk arriti t’i transferohet NPK-së “Tetova” nga Këshilli Komunal, pasi dy këshilltarët e listës “Më mirë për Tetovën” nuk e votuan këtë pikë sepse kërkuan informata të cilat në atë seancë NPK-ja dhe Komuna nuk i kishin. Kështu me vendim të Kasamit NPK-ja për momentin e kryen këtë shërbim. Kryetari i Komunës tha se në seancën e radhës të këshillit do të dalin me informata të detajuara për këtë pikë që të kalojë në këshill. Nga “Më mire për Tetovën” thanë se nëse do të raportojnë me transparence në seancë tjetër do e përkrahin këtë pikë që kompetencat ti kalojnë nga këshilli NPK-së, shkruan Portalb.mk.

Në prag të fillimit të sezonit dimëror, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ndërpreu  procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kjo sipas tij u bë me arsyetimin që komuna të mos marrë ende më shumë borxh, ndërsa për mirëmbajtjen do ta kujdeset Ndërmarrja Publike “Tetova”, me ndihmën e një kompanie private e cila do ndihmojë pa pagesë.

Pika për transferimin e kompetencave te NPK-ja nuk arriti të kalojë në  seancën e tretë të Këshillit Komunal të Tetovës, pasi u kërkuan sqarime nga i gjithë stafi ku të ketë një prezantim më specifik, që mos të ketë hapësira për keqpërdorime. Kështu duke kërkuar procedurat, ligjet dhe standardet si dhe sektori juridik i NPK-së të tregojë planin që do e bën, makinerinë që do të ketë, si do menaxhojë të gjithë këtë.

Dy këshilltarët e “Më mire për Tetovën”, që janë pjesë e shumicës në këshill bënë që kjo pikë të mos kalojë, pasi këshilltarët tjerë nga shumica votuan pro. Ata thonë se kërkojnë sqarim për planin e menaxhimit të mirëmbajtjeje dhe pastrimit të rrugëve gjatë sezonit dimëror.

Për Portalb.mk ata thonë që nëse në një seancë tjetër do të raportohet me transparencë, do e përkrahin këtë pikë.

“Kërkesat tona janë:  Si është menaxhuar në të kaluarën mirëmbajtja dhe pastrimi i rrugëve ne sezonin dimërore –  Komuna e Tetovës, sa mjete ka shpenzuar Komuna e Tetovës për këtë shërbim në 4 vitet e kaluara (për secilin vjet ndarës),plani aksionar me të gjitha dokumentet shtesë për realizimin e këtij shërbimi, duke përfshirë: Listën komplet të makinerisë-automjeteve të cilat do vendohen në shërbim nga NPK Tetove, në qoftë se NPK Tetova nuk planifikon ketë shërbim ta kryej me mekanizmat e saja, si është strategjia e NPK Tetovë për realizim të saj. Për sa afat kohor  NPK – Tetovë do te jete përgjegjëse për realizimin e këtij shërbimi”, thanë nga “Më mire për Tetovën”.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës, Bilall Kasami për Portalb.mk shprehet se në mbledhjen e radhës të këshillit do të dalin me informata të detajuara.

“NPK-ja vazhdon në bazë të vendimit tim si kryetar komune të bëjë mirëmbajtjen e rrugëve. Sigurisht në mbledhjen e radhës të këshillit komunal ne përsëri do të dalim me informata të detajuara që e njëjta të kalojë në këshill por duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një problem akut. Ne nuk mund të presim që të mos shërbehen qytetarët me pastrimin e rrugëve. Për momentin ka një vendim timin si kryetar komune në bazë të të cilit ndërmarrja realizon këtë si aktivitet, ndërkohë kemi edhe vendim të këshillit besoj”, tha Bilall Kasami.

Rikujtojmë që në të kaluarën, mirëmbajtja dimërore e rrugëve ka qenë në kompetencë të NPK-së, ndërkaq për arsyet se përse ja kanë marrë ndërmarrjes këtë kompetencë drejtori i ndërmarrjes Nuredin Fetai tha se do i shpalosin në vazhdim.

Ditëve të fundit në rajonin e Tetovës ka pasur përsëri reshje të dëborës, në pjesët e qytetit përreth reshje të lehta ndërsa reshjet më të mëdha si zakonisht janë në malësinë e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button