Qeveria e Kovaçevskit do të përbëhet nga 21 anëtarë

Nikolla Dimitrov nuk do të jetë më zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Radmilla Shekerinska largohet nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa anëtarë të Qeverisë nuk do të jenë ministri aktual i Shëndetësisë Venko Filipçe, ministrja e Arsimit Mila Carovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska dhe ministrja e Kulturës Irena Stefoska, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e re që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski do të ketë 21 anëtarë. LSDM dhe koalicioni do të kenë 12 ministra, BDI gjashtë dhe Alternativa tre ministra. Kabineti i ri qeveritar do të ketë edhe një anëtar më tepër, ministër pa resor, post që i takon Alternativës.

Seanca për zgjedhjen e qeverisë së re të propozuar nga Dimitar Kovaçevski është caktuar të shtunën në ora 11:00. Debati parlamentar për zgjedhjen e qeverisë së re zgjat maksimumi dy ditë, ndërsa zgjedhja e qeverisë votohet pas përfundimit të saj, gjegjësisht jo më vonë se 24 orë në ditën e dytë ose në këtë rast të dielën deri në mesnatë. Qeveria zgjidhet nëse për të voton shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend.

Ndryshe, Dimitar Kovaçevski në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut zëvendëson ish-kryeminsitrin, Zoran Zaev i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button