Ministria e Kulturës pjesërisht përkrah Teatrin Shqiptar

Avazi diskriminues i kulturës shqiptare nuk ka të ndalur, Ministria e Kulturës për Teatrin Shqiptar nuk ka ndarë mjete të mjaftueshme për të realizuar siç duhet programin e tyre.

‘Sa i përket mjeteve të akorduara për Teatrin Shqiptar nga ana e Ministrisë së Kulturës për vitin 2013 mund të them se jemi pjesërisht të kënaqur. Konkretisht nuk jemi të kënaqur me mjetet e propozuara për pjesën e produksionit apo programit të shfaqjeve, por shpresojmë se ankesa jonë do të merret parasysh dhe do të marrim një buxhet më të lartë nga ai që propozon ministria për të arritur të realizojmë projektet e parapara’ tha Anita Latifi, zëdhënëse e Teatrit Shqiptarë –Shkup.

Kënaq fakti se është premtuar rikonstruim i tërësishëm i Teatrit, ndërsa punimet duhet të fillojnë pas dy muajsh.

‘Nga ana tjetër, jemi të kënaqur që Ministria e Kulturës, përkatësisht Qeveria e Maqedonisë ka ndarë mjete në pjesën e investimeve kapitale edhe për Teatrin Shqiptar. Sipas afateve ligjore për përzgjedhje të operatorit ekonomik që do të realizoj punimet për rikonstruim, adaptim dhe sanim të ndërtesës së teatrit tonë, punimet në objekt do të duhet të fillojnë në fillim të muajit qershor’ theksoi Latifi.

‘Meqë sot është Dita Ndërkombëtare e Teatrit, do desha të apeloj deri te publiku i gjerë që sa më shpesh të vizitoj teatrin, jo vetëm Teatrin Shqiptar – por të gjitha teatrot dhe institucionet e tjera të kulturës. Arti gjithmonë ka qenë një ndër elementet më të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë. Sot të gjitha skenat teatrore në botë ballafaqohen me rënie të vizitueshmërisë dhe ky trend negativ nuk ka lënë anash as shtëpinë tonë. Përpjekjet tona për të luftuar këtë dukuri janë të kota nëse nuk kemi përkrahjen e atyre për të cilët ne ekzistojmë, pra publikut’ u shpreh ajo.

Ndryshe, dita botërore e teatrit është vendosur në vitin 1962 dhe sot shënohet në qindra vende nga institutet kombëtare të teatrit. Çdo vit një person i shquar nga teatri shkruan porosi ndërkombëtare në emër të Institutit intrernacional të teatrit, që UNESKO e ka formuar në vitin 1948. 

Ajo përkthehet në më shumë se 20 gjuhë dhe u lexohet spektatorëve para fillimit të shfaqjeve në teatro mbarë botën./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button