Qeveria e re do të duhet të ndalojë importin e automjeteve me standarde nën EURO 5

Kaloi një vit nga deklarata e Ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi se do të ndalohet importi i automjeteve të përdorura në vend, me standard të emetimit nën EURO 5. Ai paralajmëroi se ndalesa e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet do të realizohet gjatë vitit 2021 që më vonë, kah fundi i vitit të kaluar, kjo ministri ta shtyjë fillimin e aplikimit të kësaj mase në vitin 2022., raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Nga Ministria e Ekonomisë tani, për Meta.mk, thonë se vendimin për ndryshimin e nivelit të shkarkimeve të gazrave për automjetet e importuara duhet ta marrë Qeveria e RMV-së, ndërsa ata si ministri duhet ta zbatojnë duke i ndryshuar rregulloret.

“Po bëhet analizë e rregulloreve që dalin nga Ligji për automjete, e që e rregullojnë importin e automjeteve. Njëkohësisht, po përcaktohen edhe specifikimet teknike që automjetet duhet t’i plotësojnë gjatë importit për të përmbushur të paktën standardin EURO 5”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Infografik për automjetet

Ndonëse kemi bërë pyetje për datën se kur mund të nisë ndalesa për import të automjeteve të përdorura me standarde nën EURO 5, nga Ministria e Ekonomisë, ende nuk kemi marrë përgjigje konkrete.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi më 26 janar 2021 në konferencën “Vizioni për tranzicionin energjetik 2040” tha se në vitin 2021 duhet të rritet standardi për importin e automjeteve në vendin tonë, duke shtuar se qeveria do të zbatojë dy masa shtesë – vendim për subvencione qytetarëve për të blerë automjete hibride dhe ndihmë të drejtpërdrejt financiare për ata që vendosin automjetet me standarde nën EURO 4 t’i zëvendësojnë me makina të reja me standarde EURO 5 ose EURO 6.

Ndërkohë, pandemia e kovid-19 në vendin tonë vazhdoi, si dhe u ndez kriza energjetike, duke e ngritë lart në rend të ditës çështjen e ndotjes së ajrit në qytete dhe problemet në trafik dhe parkimin po krijohen nga importi i përshpejtuar i automjeteve të përdorura nga jashtë.

Përkundër çështjeve më të rëndësishme që janë shfaqur në periudhën e kaluar, të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se qeveria qendrore do të duhet të merret me politikën e transportit në plan afatgjatë. Shkalla e motorizimit në vitin 2020 arriti një nivel rekord, i paprecedentë në histori.

Në Maqedoni në vitin 2020 numri i automjeteve të pasagjerëve për 1000 banorë është rritur në 207,1 për dallim nga 205,2 automjete të regjistruara për 1000 banorë një vit më parë. Për krahasim, në vitin 2012 kemi pas 146,4 automjete pasagjerësh për 1000 banorë, që është shenjë se numri i qytetarëve që posedojnë një ose më shumë automjete vazhdimisht po rritet.

Nëse e krahasojmë shkallën e motorizimit në Maqedon me atë të vendeve anëtare të BE-së, është pothuajse e sigurt se numri i automjeteve që do të vazhdojnë të importohen në vendin tonë vitet në vijim do të rritet. Shifrat e fundit nga Bashkimi Evropian tregojnë se vendet anëtare të BE-së kanë mesatarisht 519 makina pasagjerësh për 1000 banorë. Rritja më e madhe e numrit të automjeteve është regjistruar në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.

Për shkak të rritjes së dukshme të motorizimit të popullsisë edhe në të ardhmen, e duke e marrë parasysh faktin se trafiku rrugor së bashku me ngrohjen e banesave dhe industrinë janë burimet kryesore të ndotjes së ajrit, shumë vende të Ballkanit në të kaluarën i kanë shtrënguar kushtet për import të automjeteve të përdorura prej jashtë.

Ndalimi i importit të automjeteve të përdorura me standarde nën EURO 5 tashmë zbatohet në Bosnje e Hercegovinë, që nga mesi i vitit 2019, ndërsa Shqipëria ka vendosur ndalesë të tillë më 1 janar 2019.

Në të njëjtën kohë, nga 12 korriku 2021, Bullgaria futi në përdorim etiketa ekologjike për automjetet, ashtu që sipas sasisë së shkarkimeve të gazrave, automjetet kategorizohen në pesë kategori gjatë regjistrimit ose kontrollit teknik. Etiketat janë të detyrueshme për çdo automjet, kurse në kategorinë e pestë më të lartën përfshihen automjetet elektrike. Edhe Maqedonia planifikonte të fillojë me aplikimin e një masë të tillë, e cila do t’u mundësonte komunave të përcaktojnë masa për kufizimin e lëvizjes së automjeteve të vjetra në kushte të ndotjes së madhe të ajrit. Megjithatë, kjo masë nuk ka hyrë në fuqi deri më sot.

Ndryshe, statistikat tregojnë se në vitin 2020 në Maqedoni kanë qenë të regjistruara 500.633 mjete motorike pasagjerësh dhe rimorkio, që është shifra më e lartë në historinë e vendit. Bashkë me këtë rekord, dy vite më parë u thye edhe rekordi i moshës mesatare të automjeteve, që shkoi në 19,4 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button