Qeveria i reagoi Dimitrovit, pasi tha se nuk i beson Bujar Osmanit në bisedimet me Bullgarinë

Kabineti i kryeministrit në dorëheqje, Zoran Zaev, e ka ftuar zv.kryeministrin për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, të tregojë se kundër cilave pozita të RMV-së është në bisedimet me Bullgarinë, pasi që Dimitrov tha se ka pasur luftë serioze brenda Qeverisë në lidhje me pozitat nacionale për kontestin me Bullgarinë dhe mu për këto dallime nuk është pjesë e qeverisë së re, njofton Portalb.mk.

“Nëse Dimitrov është kundër çfarëdo prej pozitave që i kemi ndërtuar bashkë, është e ndershme që për shkak popullit të tregojë për cilat, pasi që në të kundërtën mbetet vetëm përshtypja se mospjesëmarrja e tij në qeverinë e ardhshme është arsye për këto manifestime publike të pasakta dhe spekulative me qëllim që paraprakisht t’i ngarkohet mosbesim qeverisë”, thuhet në reagim.

Prej atje thonë se opinioni është mirë i njohur me pozitat e RMV-së dhe se ato janë ndërtuar nëpërmjet procesit gjithëpërfshirës konsultativ dhe takimeve të punës në të cilat Nikolla Dimitrov ka pasur rol aktiv dhe thelbësor dhe për të cilat ka kontribuar me qëndrimet e tij dhe shtojnë se pozitat e tilla janë tërësisht në linjë me propozim portugez i cili ishte propozim edhe i udhëheqësisë sllovene, por edhe në pajtueshmëri të plotë me Rezolutën e miratuar në Kuvendin e RMV-së.

“Maqedonia e Veriut ka pozita të qarta në bisedimet me Bullgarinë, të ndërtuara me unitet të përbashkët qeveritar dhe janë dërguar si përgjigje nga MPJ-ja jonë deri te MPJ-ja bullgare. Identiteti maqedonas dhe gjuha fare nuk janë temë e bisedimeve mes nesh dhe Bullgarisë”, thonë nga Kabineti i Zaevit, duke shtuar se me pozitat e RMV-së në këto bisedime është pajtuar edhe Dimitrovi, për të cilin thonë se ka pasur kontribut serioz në krijimin e pozitave tona, nëpërmjet procesit që e ka udhëhequr ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Sot, Dimitrov tha se nuk ka besim tek Osmani, për të cilin tha se dëshiron sukses me çdo kusht në bisedimet me Bullgarinë dhe kjo sipas tij është e rrezikshme dhe joproduktive.

Dimitrov sot tha se ka qenë edhe kundër masave kundër pandemisë, por nga Ministria e Shëndetësisë e demantuan duke theksuar se është e ndershme që Dimitrovi të tregojë se ai nuk ka qenë në seancat e Shtabit Kryesor të Krizës ose të Qeverisë, por atë e ka zëvendësuar sekretari shtetëror.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button