Anketa e BNT-së: 61% e bullgarëve duan që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së

Pothuajse 61% e qytetarëve bullgarë konsiderojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), tregojnë rezultatet e anketës të publikuar dje nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), transmeton Portalb.mk.

Kjo është përgjigja e pyetjes – cili është interesi parimor i Bullgarisë për anëtarësimin e RMV-së në BE, nëse çështjet kontestuese lihen anash. 60,9% e bullgarëve janë përgjigjur se vendi duhet të bëhet anëtar i Unionit, ndërsa 32,2% e të anketuarve kanë thënë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së.

Interesante janë edhe krahasimet e qëndrimeve të qytetarëve në pyetjen nëse do të thuhet “po” për fillimin e negociatave dhe pa arritur marrëveshje për çështjet e hapura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

29,6 përqind e të anketuarve u përgjigjën “po”, që në këtë anketë është rritje prej rreth 13 për qind krahasuar me përgjigjet e dhëna në anketën e nëntorit 2020, kur 16.9 për qind janë përgjigjur pozitivisht.

Se nuk duhet lejuar fillimi i negociatave pa zgjidhjen e çështjeve të hapura, konsiderojnë 69%. Në nëntor 2020 me këtë qëndrim ishin 81.1 për qind.

Shumica (si dhe Petkovi) konsiderojnë se pozitat aktuale të qeverive duhet të përmirësohen

Anekta e “Alpha Research” tregon edhe se 61,9% e të anketuarve konsiderojnë se qeveritë e reja të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të ruajnë pozicionet e tyre aktuale, por edhe t’i përmirësojnë ato për të zhbllokuar negociatat e vendit me BE-në.

12,4 përqind, nga ana tjetër, konsiderojnë se duhet të ruhen pozitat aktuale, ndërsa 25.7 për qind janë të mendimit se duhet të ndërtohen pozita krejtësisht të reja.

Në pyetjen se cilat tema duhet të përfshihen në negociatat me RMV-në para se Bullgaria të marrë vendim për heqjen e vetos – 80,1% e bullgarëve përgjigjen “historia”. “Arsimi dhe Kultura” janë përgjigjur 76,1 për qind, ekonomia dhe lidhjet e  transportit 65,5 për qind dhe infrastruktura 63,3 për qind.

Çdo i gjashti bullgar ka të afërm në Maqedoninë e Veriut

Moment interesant nga hulumtimi i BNT është se çdo i gjashti bullgar ka të afërm me RMV. Pyetjes nëse në mesin e të afërmve, përfshirë edhe ata të largët, keni njerëz në hapësirën gjeografike të Maqedonisë, 17,3 për qind janë përgjigjur me “po”, 81,9% thanë “jo”, ndërsa 0,8% nuk ​​e dinin.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button