Monolog i qëndisur i punëtorit të higjienës

Ne nuk dimë t’i qëndisim fjalët. Nuk kemi pasur kohë për libra. Nuk shfaqemi ekraneve. Nuk dimë si jetohet me djersën e huaj. Nuk dimë si bëhet pasuri duke u (zh)veshur. Ndershmërinë e mësuam nga familja dhe jeta. Për ne jastëku më i mirë është ndërgjegjja e pastër, siç thotë frëngu.

Ne ndjehemi krenarë që jemi të vlefshëm për familjet dhe qytetin. Pa ne bota do të ishte më e pistë, duhma do të ishte frymëzënëse, sëmundjet dhe epidemitë do të ishin të shumta e të shpeshta.

Ne, të heshturit, i durojmë tekat e stinëve. Punojmë gjatë vapës, kur njerëzit freskohen nga kondicionerët. Punojmë gjatë acarit, kur të tjerët e shijojnë ngrohtësinë. Punojmë gjatë ditës, kur njerëzit bëjnë qejfe. Punojmë gjatë natës, kur bota fle. E pastrojmë qytetin nga plehrat. Shqisat e nuhatjes na janë mësuar me duhmën e mbeturinave, që shkakton të vjella. Kjo është puna jonë e vështirë dhe e paguar keq.

Ne ndotemi gjatë punës, por shpirtin e kemi të pastër. Ka shpirtra të ndotur, por ne nuk kemi mjete për pastrimin e tyre.

Ne punojmë aty ku respektohen ndotësit dhe përçmohen pastruesit e ndotjes. Përçmohen ata që rrojnë nga paga e cila harxhohet brenda javës dhe nderohen ata që jetojnë me djersën e huaj. Prandaj, çdo ditë, shumëkush i kërkon rrugët më të shkurtra të jetës dhe e nxjerr shpirtin në ankandin e djallit…

Secili mund të jetë krenar sipas mënyrës së vet. Ne jemi krenarë që e ruajmë pastërtinë e shpirtrave tanë dhe të qytetit; që i rrisim fëmijët me bukën e fituar vështirë.

Ka pastërti që bota nuk e sheh, sepse i janë verbuar sytë nga shkëlqimi i gjërave të rrejshme. Ka edhe ndotje brenda njeriut, e cila fshehet pas luksit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button