Nuk do të ketë Progres-raport në prill për Shqipërinë

Bashkimi Europian nuk do të hartojë një raport të ri për Shqipërinë për dhënien ose jo të Statusit të vendit kandidat. 

I pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse në mes të muajit prill do të hartohet progres- raporti edhe për vendin tonë për t’u diskutuar nga shtetet anëtare në qershor,Komisionierit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle, shprehet se deri tani Shqipëria nuk ka rezultate. 

“Nuk mendoj që do të kemi një raport për Shqipërinë. Po të ketë progres dhe të kemi diçka për të raportuar, unë do të jem i pari që do të shtyj që të dalë ky raport. Por, po s’pati progres, nuk do të ketë raport dhe e kundërta. Çfarë do them unë? Me falni, por që nga tetori, kur bëmë rekomandimin, nuk ka patur progres? Kjo nuk do të ishte serioze. Unë jam tërësisht i angazhuar dhe i vendosur që ne të japim një raportthelbësor në rast se do të kem në dorë rezultate të forta për t’u bazuar. Por nuk i kam këto rezultate”, theksoi zyrtari i lartë i BE-së. 

Ende, sipas tij, nuk shihen prova në luftën kundër korrupsionit ku të shihen të akuzuar që të shkojnë në gjykatë, të dënohen dhe të shkojnë në burg. Komisioneri për Zgjerim shprehet se shtetet anëtare e kanë bërë të qartë në dhjetor se mënyra se si do të bëhen zgjedhjet do të jetë shumë e rëndësishme për hapat e mëtejshme të integrimit të Shqipërisë. 

“Çdo palë zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Por, në rastin e Shqipërisë, ne nuk harrojmë dot se çfarë ndodhi në 2009 dhe më pas. Shpresoj që të gjithë të jenë duke punuar shumë. Mund t’ju them se përsa i përket komunitetit ndërkombëtarne po punojmë shumë, pra që problemet të mos përsëriten”, deklaron Fyle. 

Sipas tij, politikanët shqiptarë dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në përgatitjen e zgjedhjeve duhet të dërgojnë një mesazh shumë të qartë, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar që Shqipëria mund të bëjë zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Deri më tani, Komisioneri Fyle deklaron se ndihet i zhgënjyer nga mungesa e kompromisit midis partive politike për plotësimin e kritereve që janë kusht për integrimin. 

Në fjalën e tij, Komisioneri Fyle thekson se ekonomia mbetet një sfidë e madhe në Shqipëri. Edhe pse i shmanget një përgjigjeje direkte rreth largimit të CEZ, zyrtari i lartë kritikon qëndrimin e qeverisë ndaj kompanive të huaja, çka ka sjellë dhe largimin e tyre nga vendi. 

Sipas tij, është shqetësuese që investitorët e huaj, ndonëse planifikojnë investime afatgjata, largohen duke u ankuar për mungesën e shtetit të së drejtës.

Lajme të ngjashme

Back to top button