18 janari u rivendos si datë e vizitës së kryeministrit bullgar në Maqedoninë e Veriut

Ministria për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur që përsëri është vendosur që 18 janari të jetë dita kur kryeministri i ri i Bullgarisë do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Informojmë se termini: 18 janar, e martë, mbetet si datë e caktuar për realizimin e vizitës, e cila pritet të korrespondojë edhe me zgjedhjen e Qeverisë së re në vend.”, njoftojnë nga Ministria për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut.

Ministria sqaroi që ky vendim erdhi pas konsultimeve ndërmjet dy MPJ-së në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, duke sqaruar që vendimi për vetëizolimin e një pjesë te kabinetit të kryeministrit Petkov, nuk do të ndikojnë në vizitën e tij në Shkup.

Ndryshe, vizita e paralajmëruar e kryeministrit bullgar Kiril Petkov në Shkup gjatë ditës u vlerësua se do të anulohet për kohë të pacaktuar, pasi që ai përfundoi në vetëizolim për shkak të kontaktit me person pozitiv në COVID-19, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Siguri Nacionale në Sofje. Nga Qeveria bullgare informuan se vizita në Shkup nuk anulohet, por shtyhet për kohë të pacaktuar.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button